Kurthe kafehanesh

23 Mars 2011, 21:03Blog TEMA

Veset e një shoqërie në qorrsokak: Si u shndërrua rrena, mashtrimi, mosnjohja dhe sjelljet e këqija në stil politik dhe publik në Kosovë

Nga Enver Robelli

Ndoshta më së miri na njohin të huajt, kur thonë se bota shqiptare është e muzgët, prandaj shpesh mbetet e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme. Një gjë është e sigurt: shqiptarët nuk e njohin njëri-tjetrin. Duke qenë historikisht të izoluar prej pushtuesve të ndryshëm shqiptarët, me gjasë, kanë zhvilluar një lloj kulture refuzuese, e cila atyre ua bën të pamundshme të krijojnë raport besimi me tjetrin. Ata mund të krijojnë marrëdhënie besimi vetëm me rrethin e ngushtë familjar, fisnor dhe klanor – ose thënë më ashpër: vetëm me kotillën e vet!

Shtetit i besojnë vetëm ata që kanë qindra kushërinj të punësuar në administratë. Rrjedhimisht, në shtetin e kushërinjve qytetari s’ekziston, ai mund të merret parasysh eventualisht si tatimpagues dhe votues, jo më shumë. Shtetit të kushërinjve, sigurisht, nuk mund dhe nuk duhet t’i besojë një njeri normal, sepse interesat e një shteti të tillë janë vetëm interesat e kushërinjve. Rasti i Kosovës është një shembull i neveritshëm i shtetit të kushërinjve.

Shërbëtorë nëntoke

Një koleg gjerman, i cili prej vitesh përcjell zhvillimet në Ballkan, një ditë, derisa po e lyente rriskën e bukës me margarinë, shpjegonte se njëri ndër problemet më të mëdha të shoqërive shqiptare është mungesa e gatishmërisë së njerëzve për të njohur njerëz të tjerë – bashkëkombës apo të huaj – dhe për të fituar besimin e ndërsjellë. “Shqiptari dëshiron ta njoh tjetrin vetëm për aq sa llogarit se mund ta instrumentalizojë për ndonjë punë, interes, favor. Kjo vlen sidomos për skenën politike”. Një mendim i ashpër, por zor të mohohet. Meqë te shumica e shqiptarëve nuk ekziston gatishmëria për ndërtimin e bazës së besimit të ndërsjellë, as biseda nuk mund të jetë e sinqertë. Asnjëri nga bashkëbiseduesit kurrë nuk mund të jetë i sigurt se një këshillë që e merr nga dikush që e konsideron mik mund të jetë qëllimmirë. Përherë ekziston rreziku i instrumentalizimit. Në situata të tilla miqësia bëhet sinonim i mashtrimit dhe mosbesimit si mes maces dhe miut në poezinë e Hil Mosit.

Le të shikojmë skenën politike të Kosovës në këto dhjetë vitet e fundit. Ka pak njerëz që në politikë janë futur për shkak se kanë qenë të bindur në programin e partisë përkatëse ose pse kanë synuar të përmirësojnë diçka. Shumica janë kyçur në politikë, sepse dikush i ka joshur, duke shpresuar se përmes tyre do t’ia ndreq pozitën vetes në parti. Motivi për angazhim politik shpesh ka qenë fillimisht i padukshëm, konfuz, dhe me kalimin e viteve është shpalosur si grykësi e pafundme. Ka njerëz që dje paraqiteshin si engjëj, intelektualë, zëdhënës të shoqërisë civile dhe të vlerave perëndimore. Të njëjtit prej se kanë marrë një copëz pushtet janë bërë shkelës të asaj që propagandonin, përfshirë këtu edhe raportet ndërnjerëzore. Ka të tillë që në forma të ndryshme i kanë shërbyer pushtetarëve, nëntokës, krimit të organizuar, spastruesve të parave – dhe në fund kanë përfunduar në politikë në një grup me këtë kategori. Nuk janë motivet fisnike që i bashkojnë këta njerëz, por kurthet e kafehaneve, humori bajat, cinizmi dhe arroganca, të cilat mund të burojnë vetëm prej posteve të zaptuara me kërcënim apo me vjedhje votash.

Në këto rrethana rrena në Kosovë është shndërruar në sport kombëtar. Çfarë premtohet para zgjedhjeve, menjëherë shpaloset si rrenë e madhe (rritja e rrogave, për shembull). Para shpalljes së fituesit të një tenderi (për shembull autostrada diku nëpër Kosovë) thuhet se gjithçka do të jetë transparente, pastaj, kur të hidhen nënshkrimet në kontratë, nuk bëhet publike as kontrata, madje për këtë gjen arsyetim edhe ambasadori i Amerikës në Prishtinë, duke thënë se fjala është për biznes privat të një firme amerikane dhe turke. Shteti i Kosovës këtu kufizohet në rolin poshtërues të vëzhguesit, që vetëm duhet të paguajë.

Klima e mashtrimit

Vesi tjetër i shoqërisë në qorrsokak si kjo e Kosovës është mashtrimi. Thuhet se po bisedojmë, po bëjmë një llaf goje me një shtet fqinj, sepse kështu gjoja sigurohet perspektiva evropiane, hiqen vizat dhe nëpër lumenj nuk do të rrjedhë më ujë, por mjaltë – ndonëse vizat dhe dialogu me Serbinë janë larg me njëra-tjetrën sikur klima e Malediveve me atë të Siberisë. Sistemin e mashtrimit e ushqejnë dhe e lyejnë me vaj për çdo ditë mushkonjat publicistike, duke mbrojtur diçka që nuk mund të mbrohet me logjikë të shëndoshë dhe duke lavdëruar një sheik të krupshëm pushteti me shpresën e vetme se mund të fusin pak dorën në vegshin me lira, qoftë ai edhe imagjinar ose i mbushur me përmbajtje tjetër, jo të shijshme. Një kategori tjetër e mashtruesve janë ata politikanë që e bartin etiketën e një partie të caktuar dhe pas zgjedhjeve shfaqen me etiketë tjetër. Shumëfytyrësia, pafytyrësia dhe faqefëlliqësia si shenjë dalluese të politikës – a ka mizori më të madhe ndaj një vendi që së paku formalisht synon të ndërtojë demokracinë dhe të bëhet pjesë e integrimeve evropiane?

Prej nga buron gjithë kjo paturpësi? Ndoshta nga mungesa edhe e edukatës themeltare familjare. Disa gjëra nuk mund të rregullohen me ligj, për shembull çështja e turpit. Marrja nuk është kategori ligjore. Disa gjëra nuk bëhen – jo pse janë të ndaluara eksplicit me ligj, por pse ndalohen nga turpi, nga etika, nga frika se mund të shkaktohet dëm. Për shembull vetëm turpi mund ta ndalë një vartës ministri të mos pështyjë nga thellësia e fytit mbi barin e oborrit të një restoranti, para syve të mysafirëve, të cilët i gëzoheshin çastit kur kamerieri të sjellë kafenë e mëngjesit në tavolinë dhe kur njëri prej mysafirëve mendonte se cilën gazetë do ta lexoj të parën: një gazetë lokale apo njërën prej tri të huajave? Të gjitha këto shpresa mëngjesi fundosen përballë një aksioni të tillë të neveritshëm.

Kështu është tani për tani dhe ky është trend i keq – një trend që demonstrohet prej ujarit të ministrit e deri te kalemxhinjtë e nëntokës politike dhe kriminale. Shoqëritë që mendojnë seriozisht për forcimin e shtetit veprojnë në situata të tilla, së pari duke e mundur frikën shpesh irracionale, së dyti duke u angazhuar politikisht, së treti duke e sfiduar të keqen përmes denoncimit publik. Heshtja, oportunizmi dhe demagogjia vetëm mund të ndikojnë në vazhdimin e agonisë së këtij vendi. Vagoni i Kosovës është shkëputur para disa vitesh nga treni ballkanik që po udhëton ngadalë drejt Evropës. Jo gjithherë fajin për këtë e bart Brukseli. Shpesh pengesë për çdo përparim janë politikanët e Kosovës, të cilët nuk i bashkon më asnjë ideal përveç idealit të hajnisë. Dhe këtë s’e thonë vetëm gazetarët që nuk kanë pranuar ta shesin lëkurën në pazarin e thashethemeve, por edhe figura të rëndësishme politike. Kosovën nuk e presin ditë të mira po qe se nuk shkëputet nga politikanët rrenacak dhe nga mashtruesit, të cilët politikën e shohin vetëm si vetëshërbim – tamam sikur ato çikat e Beogradit që e shfrytëzuan rrëmujën e një demonstrate kundër pavarësisë së Kosovës për të vjedhur atlete (patika).

Lini një Përgjigje