Konsensusi i lartë i 2/3 të votës në Kuvend që është arritur në zgjedhjen e Presidentes së Kosovës, i ka dhënë fund krizës gjashtëmujore politike në vend. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se nga ky moment kjo kaptinë e historisë është mbyllur, sigurisht deri në zgjedhjet e ardhshme, kur do të vazhdojë gara, që shpresojmë të jetë pa probleme të ngjashme me këto që i kishim gjatë kësaj krize. E them këtë konstatim për ata që vazhdojnë me tone të ashpra mohimin e rrjedhës dhe të rezultatit të procesit zgjedhor. Ata vazhdojnë të thonë se zgjedhjet kanë qenë të manipuluara, se koalicioni i PDK-së me AKR-në nuk është përfaqësues, se Hashim Thaçi nuk e meriton postin e Kryeministrit dhe se as Presidentja Atifete Jahjaga nuk është e përzgjedhura me mandat të padyshimtë të qytetarëve të Kosovës, por e përzgjedhura e një ambasadori dhe e një fuqie të huaj.
Kjo kokëfortësi e mohimit mund të kuptohet, ngase në botën shqiptare humbësit zakonisht nuk e kanë lehtë ta pranojnë humbjen. Por, ajo nuk ka si të arsyetohet. Të kokëfortit që mohojnë duhet ta kuptojnë se procesi është kryer edhe për faktin se nuk ka më ndonjë organ më të lartë ku mund të ankohen dhe anulojnë mandatin e kësaj Qeverie dhe të Presidentes. Opozitarët mund të shfaqin pikëllim dhe hidhërim ndaj përfundimit, por nuk u rekomandohet që të shikojnë prapa dhe vetëm prapa. Nuk po them se s’duhet të marrin mësime nga e kaluara për ta avancuar performancën e tyre në garat e ardhshme, por vetëm se nga modeli i kontestimit të vazhdueshëm të së kaluarës nuk do të kenë asnjë dobi.
Një legjitimim i heshtur i rregullsisë së krejt procesit – kuptohet me arnimet që kanë ndodhur mbi bazat e procedurave institucionale përmes rivotimeve dhe intervenimeve të Gjykatës Kushtetuese – është afirmuar edhe me faktin se asnjëra prej partive opozitare, e sidomos LDK-ja, nuk kanë insistuar në përsëritjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Kjo mbase për faktin se asnjëra nga partitë opozitare nuk ka shpresuar se në zgjedhjet e përsëritura do të ndodhin ndryshimet dramatike të votës. Me këtë nuk po them se nuk ka pas parregullsi dhe hajni të votës me 12 dhjetor 2010. Për hajnitë ka dëshmi të shumta dhe është e qartë se keqpërdorimet e votës duhet të ndiqen penalisht dhe ndëshkohen. Por, në tërësi, ndarja aktuale e votës dhe e mandateve është e merituar.
Dhe ky legjitimim i dyfishtë mendoj se është një pikë zero e proceseve, prej nga duhet të startojnë edhe pozita, edhe opozita. Qeverisë së Hashim Thaçit duhet t’i jepet shansi që të formulojë një program më të qartë zhvillimor dhe të prioriteteve të Kosovës për dy-tre vitet e ardhshme, sa është obliguar që do të qëndrojë në pushtet. Përbërja aktuale e Qeverisë duket sikur ka më shumë kompetenca dhe potenciale, por nuk dimë, ose jemi me arsye skeptikë për shkak të qeverisjes së mëparshme, se Hashim Thaçi do të tregojë vullnet për një qeverisje më efikase. Një prioritet absolut i Qeverisë duhet të jetë luftimi konkret i korrupsionit. Por, nuk po nxitohem në këtë rast me komentimin e detyrave të Qeverisë. Nuk i ka shpenzuar ende 100 ditët e sistemimit dhe të hartimit të planeve të veprimeve dhe duhet ta lëmë të qetë.
Por, mund të merremi me opozitën. Dhe këtë nga një aspekt që është karshillëk i qartë për qëndrimin e saj të ashpër kundër Hashim Thaçit. Dëshira për ta përmbysur Thaçin, për ta treguar të paaftë, të korruptuar, si Kryeministër që e ka dëmtuar vendin, ka qenë retorika e vazhdueshme e opozitës. Më e ashpër në këto akuza ka qenë AAK-ja dhe më vonë i është bashkuar edhe Isa Mustafa, madje para se ta marrë drejtimin e LDK-së. Me retorikën kundër Hashim Thaçit, Isa Mustafa dhe LDK-ja edhe kanë përfituar diçka, por AAK-ja praktikisht asgjë. Madje, po të mos i bashkohej si partner i koalicionit zgjedhor Lista Ibrahim Rugova, AAK-ja ndoshta do të kishte të paktën 2 apo edhe 3 për qind më pak vota.
Nuk e mohoj të drejtën e AAK-së për të kritikuar Hashim Thaçin. Por, mendoj se gabimi trashanik i qasjes së AAK-së ka qenë karakteri i kësaj kritike që ka tingëlluar paushall, sepse nuk e ka përcjellë një platformë dhe program pozitiv, se çka do të bënte AAK-ja më ndryshe dhe më mirë në qeverisjen e vendit.
Problemi që duhet ta reflektojë opozita – jo vetëm AAK-ja, por edhe LDK-ja dhe Vetëvendosja – është jo ai që shtrohet mbrapsht, se si ka qenë e mundur që Hashim Thaçi t’i fitojë sërish zgjedhjet dhe postin e kryeministrit. Pyetjen e drejtë që duhet ta shqyrtojë opozita është se si ia ka mundësuar Thaçit ngadhënjimin vetë kjo opozitë, e tillë çfarë është, pasi që ka garuar pa programe të qarta alternative për qeverisje!
Partitë tona opozitare u ngjajnë klubeve të mbyllura, ku shquhet një shef praktikisht i pakontestueshëm dhe një skuadër e vogël e anëtarëve të privilegjuar të kryesive, ku hartohen të gjitha politikat, që u ngjajnë bisedave të salloneve, dhe tema kryesore e tyre është përgojimi ziliqar i pushtetarëve. U mungojnë ose injorohen analizat, ekspertizat, hulumtimet e orientimeve dhe pritjeve të qytetarëve, kontaktet më të sinqerta me elektoratin, vizionet…
Comments are closed.
Jam shume kurioz te kuptoj se perse implikohet tema me kete sherbetor sharlatan pushtetesh?!Si ka mundesi qe tema nje gazete opozitare boton artikuj ku vec kritikohen opozitat,dhe justifikohen vjedhjet e pranuara te zgjedhjeve?! Me intrigon vertet raporti i teme-s me kete sharlatan?Me keqardhje konstatoj se tema nuk i perbahet te njejatave standarte kur behet fjale per analiste shqiptare prej Kosove.(Se kam fjalen per kete sherbetorin e sherbetoreve te serbeve)