Kryetar bashkie në një botë tjetër

2 Maj 2011, 13:41Blog TEMA

Nga Mustafa Nano

Një miku im shqiptar me banim në Londër më tregoi këto ditë një ngjarje kureshtare. Në muajin prill, kur i biri, Iliri, mbushi plot 18 vjet, në kutinë postare të shtëpisë gjetën një letër të dërguar nga kryetari i bashkisë së Londrës, Boris Johnson. Dhe letra, gjithë-gjithë nja 200 karaktere, kish ardhur bash për Ilirin. E lexova dhe m’u duk një letër e bukur. Afërmendsh, nuk është se në të kish ndonjë gjë që të linte pa mend. Ishte një letër shumë e thjeshtë; më e thjeshtë nuk bëhej. E pavarësisht kësaj (ndoshta pikërisht për këtë) ajo letër më bëri përshtypje. “Dear Ilir”, fillonte letra. Dhe më pas vijonte: “Urimet më të mira për datëlindjen tuaj të 18-të. Është një përvjetor që dallon nga çdo përvjetor tjetër. Tash e tutje ju do të keni të drejtën të votoni për të zgjedhur një anëtar Këshilli komunal, një anëtar të parlamentit, apo dhe kryetarin e bashkisë së Londrës. Ju vetë mund të konkuroni, gjithashtu, për të marrë përgjegjësira të tilla.”

Të kuptohemi, letra që fillonte me këto fjalë nuk është një letër personale që Kryetari i Bashkisë së Londrës ia dërgon Ilirit. Sipas shumë gjasave, ajo është një letër standard, që qytetari nr. 1 i Londrës ua dërgonte atë ditë të gjithë atyre që mbushnin 18 vjeç. Të njëjtën letër ua ka dërguar, me siguri, të nesërmen e të pasnesërmen të gjithë atyre që kanë mbushur 18 vjeç një e dy ditë më vonë se sa Iliri. Nuk ka se si të jetë ndryshe. Nuk mund t’u dërgohet dhjetra mijra 18 vjeçarëve një letër e personalizuar. Do të duhej një burokraci gjigande për ta bërë këtë gjë; e s’do kish kuptim. Por ky fakt nuk e zhvleftëson gjestin në fjalë. Së pari, është sublimimi që i bëhet momentit kur shënohet legalisht formimi dhe pjekuria civike e dikujt. Është për t’u sublimuar, apo jo? Secili prej nesh e ka përjetuar datëlindjen e 18-të si një moment të veçantë të jetës (tek-tuk ka vende që moshën e pjekurisë civike e kanë më të vogël, apo më të madhe; por 18 vjeç është një standard shumë i përhapur; edhe në Shqipërinë komuniste në këtë moshë fitoheshin e ushtroheshin të drejtat e përgjegjësitë civike, të cilat në të vërtetë njiheshin vetëm formalisht). Në këtë kuptim, është plot domethënie një letër e ardhur prej kryetarit të bashkisë. Së dyti, është mënyra se si është formuluar kjo letër. Sapo pamë që kryebashkiaku i Londrës nënvizon të drejtën për të zgjedhur, dhe – kjo është ledhatuese, inkurajuese e frymëzuese në një moshë të tillë – për t’u zgjedhur.

Më tej, letra në fjalë merr një formë kinse konfidenciale: “Kam mbushur dhe unë 18 vjeç, dhe atëmot Princi William sapo kish lindur (vihet theksi në këtë pikë për të kultivuar krenarinë për familjen mbretërore e për sistemin qeverisës të quajtur ‘monarki kushtetuese’? Sipas shumë gjasash, po. M.N), trupat britanike sapo kishin rimarrë nën kontroll ishujt Falkland (kjo është një ngjarje që nxit një krenari të një lloji tjetër; është krenari për përmasën imperiale të Britanisë së Madhe; dhe me siguri nuk është i paqëllimtë ky evokim i historisë së tridhjetë viteve më parë. M.N), dhe Lufta e Ftohtë ishte në pikun e saj. Ishte një botë më e zymtë se sa kjo, në të cilën po jetojmë. Por e dini se cila ishte gjëja e parë që unë bëra, sapo mbusha 18 vjeç? Shkova në një pub dhe piva një krikëll birrë si i rritur e me të rriturit; me masë, sigurisht (me shumë inteligjencë u kujton të rinjve se, përtej të gjitha problemeve që ka kjo botë e përtej të gjitha detyrimeve që u lindin për motive anagrafike qysh nga ky moment e tutje, gjesti më i parë me të cilin ka kuptim ta përurosh moshën e ‘burrit’ mund të jetë dhe një krikëll birrë me miq në një pub, ku deri në atë moment ka qënë e ndaluar të futeshe. M.N)”.

Si Boris Johnson, ashtu dhe Iliri, janë londinezë. Dhe i pari gjen mënyrën për t’ia kujtuar të dytit këtë fakt. Si? Duke i thënë, se “ju po mbushni 18 vjeç në një nga momentet më të bukura në historinë e Londrës. Sytë e gjithë botës janë drejtuar nga ne të gjithë, pasi verën e ardhshme do na duhet të organizojmë lojrat olimpike (e tepron pak, pasi Londra ka jetuar momente më të bukura e më të lavdishme se sa ato të një olimpiade sportive; por e tepron me qëllim; don t’i egzaltojë patriotikisht bashkëqytetarët e vet rioshë. MN). Këto lojra janë duke krijuar mundësi të panumërta për të gjithë të rinjtë; janë duke krijuar dhe një numër të madh vendesh pune.”

Dhe në fund e mbyll: “Qysh kur kam mbushur 18 vjeç, unë kam bërë jetën e një qytetari e shtetasi të rritur në qytetin më të madh e të bukur që gjendet mbi faqe të dheut. Shpresoj që dhe ju të jeni duke jetuar qysh tani me këtë ndjesi. Ju mund ta bëni Londrën edhe më të bukur.”

Kjo ishte letra. Mendoni, se kjo letër thellë-thellë është menduar si një operacion marketingu elektoral e politik? Nuk besoj, pasi letra të tilla janë tanimë një praktikë e vjetër e komunikimit të kryetarit të bashkisë së Londrës me qytetarët e vet, e për këtë shkak mund ta ketë humbur magjinë e ndjelljen elektorale. Por edhe sikur të mos ish kështu, efekti i fisëm e mund motivimin ‘hileqar’ të këtij gjesti’. Në fund të fundit, kjo letër nuk ka asgjë të përbashkët me marifetet elektorale të këtushme. Cilat? Ato urimet për datëlindjen në formë sms-ësh e letrash elektronike, të cilat kanë 100% synime elektorale. Nuk kanë asnjë domethënie tjetër. Rrjedhimisht, ta shpifin. Nëse do t’më qëllonte të merrja mesazhe të tilla vetëm gjatë një fushate elektorale, unë do t’u bëja një ‘reply’ me shënimin: Faleminderit, por urimet që prisja më kanë ardhur. Këtë tuajin nuk e quaj urim. Po jua kthej ta mbani për vete”.

11 komente në “Kryetar bashkie në një botë tjetër”

  1. skaran says:

    O Nano le nam more burre ngele duke kopjuar dhe publikuar shkrimet e te tjereve. Shkruaj ore ndonje gje vet ….

  2. raimondi says:

    Ky eshte shkrim i bukur dhe EDUKATIV ,sepse i ben jehone nje xhesti edkativ qe perdorin Qeveritaret lokale ne boten perendimore

    –Kete shkrim eshte mire ta lexojne ate qe behen kryetare bashkie dhe ta bejne praktike edhe ata
    ,sepse duke ju uruar te rinjve nje tielindje te tille , i ben te qendrojne me afer komunitetit ,i ben ata edhe me te sjellshem , dhe me patriote

    –Natyrisht jo si Sala qe dergon SMS diten e zgjedhjeve –hahahahahahahahaahahaha Sala eshte hilqari me i madh i te gjitha koherave ,e ka mendjen vetem per keq –hahahahahahaahahah

  3. Neorealizmi says:

    Dhe sikur e kopjuar fjale per fjale te jete, perseri percjell nje shije te nje bote tjeter per te cilen kemi nevoje.

  4. alketa85 says:

    PO KU JANE MESUAR SHQIPTARET ME KRYEBASHKIAK TE TILLE . NE DUAM VETEM NJEREZ QE ULERASIN, SHAJNE FYEJNE, NA PERCMOJNE… NE DUAM KRYEBASHKIAK QE TE NA QUAJE KATUNAR, ALPIN, MALOK, ETJ…ETJ… TANI QE SHOHIM NJE LULI QE I SHKRETI MUNDOHET TE FLASE SI NJERI DHE ME EDUKATE NE E SHAJME. THEMI SNA PELQEN. VAJ MEDET

    1. Claus says:

      Kritiken qe te bera dje se shkruan pa pika dhe presje dhe qe pas pikes fjalia fillon me shkronje te madhe te shtypit, e paske marre parasysh. Ke vene dy presje dhe dy pika. Gjithashtu per te evituar gabimin e djeshem, qe pas pikes fjalia fillon me te madhe, ke shkruar vetem me shkronja te medha. Perseri je ne gabim, por nuk te ve faj ty, Alketa85,se nese ke lindur ne vitin `85, shkollen e ke filluar ne vitin e pare te Berishes si kryeminister, ne `92 dhe je me tere kuptimin e fjales pasqyra me e mire e qeverisjes se tij.
      Sa per ate qe thua: ” ne duam njerez qe ulerasin, shajne, fyejne,na percmojne…” ke gabuar adrese, se ato i degjojme nga goja e nje alpini me emrin Salih bin Vicidoli. Fjalia do te ishte me e plote sikur te kishe shtuar edhe “na vrasin”, por si duket nuk te ka rreshqitur dora se bije vete brenda. Ne date 9 Maj kam frike se alpini yt do te dale perseri me buze te gjakosur per t`ju dhene sihariqin ” Neeeeee, kena fitu zonat me te mira, me europiane, me ca kasolle te braktisuraaaaa qe i kishim vendosur si zona elektoraleeeee, zonat rurale me gerxhe dhe shtigje, ato jane dhe do te mbeten shpirtiiiiii i demokraciiiiise, mos u merzisniiii, ne kena fituuuuu!!!!”
      I je fut mire computerit sot, dukesh si “eksperte” qe shkruan nga zyrat e ndonje ministrie haxhiqamiliste dhe je marre tere diten me Facebook-un, duke pare vetem fytyren e Lul-it tend te ndershem, amerikano-holandezo-shqiptar.

    2. Epirioti says:

      O moj alketa85! Ne tastiere eshte nje buton, i katerti nga fundi vertikalisht, i pari horizontalisht, qe quhet Caps Lock. Shtype ate dhe fillo e shkruaj si njeri qe te ka mesuar Lul-i i Sales me edukate. Luli me shume edukate i dhuroi Greqise troje shqiptare(e mban mend o e trashe), kur ishte minister i Jashtem. Lul-i me shume edukate vodhi per vete dhe per Salibanin 340 milione euro nga leket e tua, te sat’eme e tyt’eti, nga sherbimet mjekesore dhe fondet e pensioneve, o tarrallake. Lul-i me shume edukate dha urdher per te vrare demonstruesit ne bulevard me 21 janar, duke zbatuar urdherin verbal te Saliqenit, o e mjere. Tani Lul-i i Salibanit po sillet si Luli i Migjenit duke lypur vota po prape me edukate. Se je bullafiqe dhe e pahijshme nuk eshte faji yne, mos enderro Lul-in e Lulit se eshte bure me nje R ai e jo burrre sic jane shqiptaret e vertete.

  5. Aniko says:

    I dergon bashkia per te sensibilizuar te rinjte per te drejten e votes e per me teper impaktin qe do kete ne shoqeri.

  6. vucidoli says:

    dallohet luli jone:uron gjithe dashamiresi ditlindjet e njerezve[qytetareve] dhe nepermjet urimit nuk ka fare fushate.kurse ai tjetri din vetem nje rruge.na i shpifi fare.

  7. Rani says:

    Kaq interesante ju duken broçkullat e Nanos o Tema qe i publikoni. Duhet te hiqni dore edhe ju nga kjo mania e publikimit te çdo lloj broçkulle vetem pse eshte derguar nga persona qe quhen Nano ose Bunguri dhe te lejoni edhe njerezit e thjeshte te shprehin mendimin e tyre. Verifikojeni shkrimin para publikimit a ka brume edhe vendosni ta publikoni ose jo. Jemi lodhur me keta pseudoanaliste te dale boje qe hezitojne te thone gjerat atehere kur duhen thene dhe na i thone atehere kur edhe budallai me i madh i kupton vete.

  8. Dino USA says:

    Bukur!Dallimi esencial i kesaj letre (bile cudia) eshte se ajo nuk bente thirrje qe Iliri te votonte per Lul Bashen!

  9. Dino USA says:

    Pyetja e dites:Eshte paralele me nje titull filmi:(Cili jeni ju Z. Sorge?)…Cila jeni ju Z. Alketa85?A mund te na recitoni nje vjershe per Xhaxhi Lulin?

Comments are closed.

Lini një Përgjigje