Zgjedhje lokale në jugun e thellë

30 Prill 2011, 21:19Blog TEMA

Nga Arbër Zaimi

Njëjtë si Jack Kerouac, që nisej prej Neë York-ut të mërzitshëm hedonist, drejt një perëndimi edhe më të mërzitshëm në kotësinë e vet patetike e në cektësinë e pluhurt të marrëdhënieve aspak njerëzore në botën e amerikës së pasluftës, u nisa dhe unë drejt jugut.

Lashë pas Tironën i sigurt që do ta rigjeja me të njëjtat fytyra, të njëjtat vende, të njëjtat vese e probleme, ankime, qaravitje e gallata të shteruara. Pas shpatullave Tironën, fanarin që i prin në ballë perëndimorizmit kozmopolitan shqiptar (pra hiçit me dy brina), ndërsa përpara, disi në të majtë, përvijohet mali i Tomorrit, si për të shenjuar afrimin historik drejt Lushnjes – qytetit për të cilin askush nuk ka më prova se ekziston, i lënë mënjanë autostradës. Autostrada është ngërthimi asfalto-spiritual i botës së sotme, mantra e së cilës është lëvizja e liruar e mallrave dhe kapitaleve (po jo e njerëzve që vijojnë të jetojnë në kushte mjerane anash xhadesë) – larg autostradës veç shkretëtirë mbetet.

Nëpër trotuare, nëpër fasada shtëpish e kioskash, varur nëpër flamuj e banderola, rrinë parrullat elektorale. Syrja Ormënaj, rruga e vetme për Urën Vajgurore? Ilir Deçolli, Berati është i pari ne jemi të parët? Mirë de, ecim. Më absurd se sloganet dhe se emri i Urës Vajgurore, është fakti që në këtë cep gri, mes tokash djerrë, a parcelash të punuara pa sistem e pa logjikë, brezaresh të rrënuara me ullinj e fiq të papërkujdesur, mes ndërtesash të ndërtuara dikur për industri, bujqësi a banim, e sot të lëna në harresë, mes monumentesh të lashta e të reja që janë kthyer në shurrtore, flitet për shpresë. Nga posterat, fytyrat qeshin me dhëmbë të bardha borë, promovues të një higjiene që reflekton dhe trutë e tyre. Të bardha. Nga lokalet e nga rrugët qeshin njerëzit me dhëmbë më pak impresivë.

Baçi, elektriçist i vjetër 55-vjeçar dhe “die-hard” PD-ist së fundmi është pushuar nga puna. Psenë e rrëfen vetë, me dialektin e Beratit që rrjedh përmes mustaqeve bashkë me aromën e rakisë së rrushit: “Erdhi Mediu e na tha se ne qeverisim se kështu e ka dhënë zoti, prandaj do votoni për neve. Tani, unë me PD-në kam qënë gjithnjë, po këtu s’durova dot, për atë Abas Ali. Po të vinjë dhe Mediu e të zërë në gojë zotin?”. Edhe ishte ngritur Baçi në sallë, e kishte sharë me zë Mediun, siç dinë të shajnë në Berat. Sharjet e Baçit shkonin përkundër slloganit të Mediut, përkundër shpresës që ato përcjellin për një Atdhe e një Familje të fortë. Për këtë arsye, Baçi u pushua nga puna. Mediu, si çdo sharlatan që i ikën drejtësisë, kërkon të luajë kartën e konservatorit. Atdhe, zot, familje. Baba Tomorri e pastë në gjykim këtë punë…

Lipja, inxhinier i ujësjellësit, gjithashtu është PD-ist i vjetër në këtë “bastion të kuq flakë”, siç është nahija mes Skraparit e Beratit. Ai më tregon se si kësaj radhe ka vendosur të mos kandidojë për PD-në në këshillin e komunës: “Më erdhi ky kryetari e më tha, o Lipe a do kandidosh ti? – i thashë jo, kam vendosur ta provoj veten. Do kandidoj me një nga këto partitë e vogla.” Edhe kështu, Lipja vuri emrin e vet në krye të listës me Partinë e Legalitetit, të cilën e quan padashje Parti e Ilegalitetit. Pak rëndësi ka, siç thotë dhe Lipja, këtu fiton njeriu, jo partia. Sondazhet tregojnë se Lipja mund të bëhet kryetar këshilli, dhe pas tij mund të dalin dhe dy këshilltarë të tjerë, për këtë parti që kurrë s’ka patur simpatizantë në këtë zonë. Si ka mundësi? Lipja thotë se e ka gjetur ilaçin. Përveç faktit që vetë ka taraf, fis e miqësi, dhe i ruan marrëdhëniet e respektin për gjithkënd, ka vendosur të dytën në listë një çupë, se duheshin ca femra sipas ligjit. Kjo çupa është studente te Universiteti i Objekteve Fluturuese të Paidentifikuara, dega Berat, po edhe kjo ka fis goxha të madh. Dhe e gjithë kjo rezulton në një rritje të menjëhershme të mbështetjes për Partinë e Ilegalitetit.

Megjithatë, rasti i Lipes nuk është i izoluar, përkundrazi ky fenomen e ka një traditë e një përhapje. Shiko Tik Zotkën psh. që ka arritur të marrë mandatin e kryetarit të Bashkisë Poliçan me PBDNJ-në (e do ta marrë prapë, i mbështetur nga PS), edhe pse ky qytet s’ka asnjë kokërr greku, madje dhe kaurrë ka shumë pak (as vetë Tiku s’është ndonjëfarë minoritari). Thua ta kenë votuar ato-dy tre familje rome? Poliçani, si komunitet ish-ushtarakësh dhe ish-prodhuesish armësh, nuk ka as ndonjë grup që të shquhet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut…

Gara e vërtetë pra s’është as politike, as apolitike, është thjesht qesharake. Kthej sytë me shpresë nga posterat e kuq të LSI-së, ku shkruhet “Ndryshimi i vërtetë”. Pastaj kthej sytë nga Tomorri, që njërën brinjë e ka të gërryer thellë prej makinerive e kamionave që nxjerrin mijëra metra kub gurë dekorativë në mënyrë të paligjshme. Gojët e mira (në Skrapar nuk gënjen kush), thonë që këtë punë e bën Iliri. Kjo m’i jep kuptim flamës që ka pushtuar posterat e LSI-së. Nuk mund të prishësh Tomorrin, edhe të mos skuqesh. Abaz Aliu i pastë në defter…

“On the road”-i im mbyllet me raki e këngë. Dhe me keqardhje për Kerouac-un, amerikanët dhe skraparlinjtë.

 

*saktivista.com

1 komente në “Zgjedhje lokale në jugun e thellë”

  1. dyadri says:

    shume e bukur, humor i holle duke vene gishtin ne plage!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje