Duke qene se isha pak i lirë nga aktivitet e mia, ndeza televizorin të shikoja ndeshjen Laçi – Flamurtari. Më ka mbetur zakon në fakt të ndjek futbollin, që atëherë kur shikoja Partizanin. Atëherë kur Berisha nuk kishte vendosur që ta degdiste Partizanin të luante në male, se fushat pa pronar do t’ja jepte disave e do t’i kthente në pallate.
Në fushën e lojës një portier me emrin Shpëtim (Moçka) ishte shtrirë i gjakosur. Një Shpëtim tjetër, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, vraponte drejt gjyqtarit.
Asnjë nga Shpëtimët në fakt nuk arriti të shpëtonte Flamurtarin. Gjyqtari edhe pas batërdisë, rifilloi lojën. Sigurisht që do ta rifillonte, pasi gjerat ishin gatuar shumë muaj më parë. Atëherë kur një Shpëtimtar, jo me emrin Shpëtim, por Ridvan, mblodhi rreth vetes ca biznesmenë për ta çuar emrin Skënderbe në Qiellin e Shtatë të Parajsës. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Përderisa nga arabishtja Ridvan, do të thotë Parajsë, Skënderbeu ishte i destinuar të shkonte drejt Parajsës. Kjo ndërhyrja e Ridvanit, atëherë se ç’ më solli ndër mend ndërhyrjen e Kryeministrit rus, Putinit i cili vjet mblodhi disa biznesmenë në tavolinë dhe gjithë xhentilesë ju tha që ekipi i qytetit Tomsk duhej shpëtuar nga rënia nga kategoria. Biznesmenët s’ mund t’ ja prishnin dëshirën Kryeministrit të tyre. U tha u bë. Zbrazën kuletat dhe mbushën arkën e klubit Tomsk me 600 milionë rubla, apo e thënë shqipo-amerikançe, me 21 milionë dollarë. Duke qenë se Ridvani, Parajsa jonë e ka kthyer vendin në një parajsë ekonomike, ç’ të keqe ka të çojë dhe Skënderbeun në parajsë- mendova duke parë betejën në fushën e lojës së futbollit. Gjë e mirë që kemi një Ministër që e brohorasin tifozët fanatikë dhe që mund të mbushin kutitë me vota për të, së barkun e kanë mbushur me kohë- thashë.
Duke qenë se Skënderbeu ka qene hero legjendar dhe pavarësisht se disa here ka humbur disa beteja, por jo luftën, u vendos që emri i tij të shënohej me germa të arta në panteonin e futbollit shqiptar.
Në mbrëmje shumë analistë sportivë, flisnin për skenat e përdorura nga ekipet. Asnjë prej tyre nuk bënte analizën sociologjike. Ç’punë ka politika të përzihet me sportin?
Të nesërmen e ndeshjes Policia e Laçit theksoi se fajin e kishte Shpëtimi. Ai Moçka. Fajtori u gjet. Ishte portieri. Dhe vërtetë ai ishte, se po të kishte hapur portën ai, nuk do detyroheshin disa tifozë të qëllonin ndaj tij.
Pas kronikës së policisë, në tv u shfaqën tifozë korçare, duke festuar në rrugët e qytetit. Në mendje më erdhi Tereku i Groznit. Një ekip i Çeçenisë, e cila në vitin 2004 fitoi Kupën e Rusisë duke shënuar gol në minutën e 92-të. Kështu ishte vendosur. Kupa duhej të shkonte në Grozni, përderisa kështu donte Putini, për të treguar se jeta në kryeqytetin çeçen është e qetë.
Vitin tjetër Tereku u katandis të luante një kategori më poshtë. Por politika e kishte bërë punën e saj. I dha një kupë aman. Të tillë fat, do ketë edhe Skënderbeu, përderisa për të vendos politika dhe jo politikbërja sportive.