Ndodhemi në situatë jo normale kur shohim para syve tanë që vetë shteti shqiptar luan apo mundohet të imponojë në mënyrë anti kushtetuese me simbolin e kombit. Këtë e themi pasi dhe vetë kjo përdhosje bëhet në mënyrë sa demonstrative, aq dhe të dukshme në sy të të gjithë shqiptarëve.
Kushtetuta e Shqipërisë, e cila është votuar nga populli (por që për fatin tonë të keq është keq përdorur nga politika mëse një herë) në nenin 14 pika dy përcakton në mënyrë sa të saktë aq dhe taksative se flamuri shtetëror është i kuq, me shqiponjë të zezë dykrenore në mes. Ky simbol është simboli që ne shqiptarët krenohemi dhe njihemi në tërë arenën botërore. Ky simbol, jo vetëm që nuk mund të ndryshojë, por dhe nuk mund të përdoren në mënyrë abuzive vend e pa vend. Për këtë flamur janë bërë luftëra të ndryshme dhe është derdhur shumë gjak nga shqiptarët ndër shekuj. Para këtij flamuri betohemi për besnikëri ndaj atdheut. Këtij Flamuri i gjunjëzohemi dhe e puthim me ëndje. Dhe Kosova, pjesë integrale e kombit tonë, në luftën e saj për pavarësi kundër shovinizmit serb, me të njëjtin flamur luftoi. Në të gjitha institucionet ndërkombëtare ky flamur valëvitet në emër të kombit tonë. Dhe vetë kryeministri i vendit organizoi një pritje duke bërë dhe një bum mediatik kur falenderoi një punonjës policie se kishte ruajtur flamurin kombëtar gjatë zhvillimit të demonstratës së 21 janari, ku punonjësi e kishte ngritur nga toka dhe e mbështolli për t’ja dorëzuar më pas Kryeministrit. Ajo që shohim ne sot është më e dhimbshme dhe më dramatike se ky rast. Simboli ynë nuk ka rënë në tokë por është përdhosur duke e shpërfytyruar në mënyrën më të keqe të mundshme. Atë që s’na e bënë dot të huajt, ndër shekuj e shekuj, sot e bëjmë vetë ne shqiptarët pa na u dridhur qerpiku as nga ligji, e aq më pak nga morali e ndjenja kombëtare.
Shteti vendosi të ndryshojë targat e mjeteve lëvizëse falas me targa të reja. Deri këtu nuk ka asgjë shqetësuese. Shqetësimi vjen më pas kur i shohim këto targa që bredhin nëpër rrugët e Shqipërisë apo dhe të vendeve europiane me simbolin e pakuptimtë. Në vend të flamurit kombëtar kuq e zi shohim një flamur tjetër, po me shqiponjë, por këtë radhë më fushë blu dhe shqiponjë të bardhë. Cili është qëllimi i këtij ndryshimi? Nga pikëpamja juridike kjo është një përdhosje e simbolit kombëtar që sipas nenit 268 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri më burg.
Në një kohë kur në Shqipëri bëhet një propagandë e madhe nga shoqata e individë që harrojnë detyrën e tyre shtetërore, me apo pa dashje bien në nivelin e një qytetari të thjeshtë dhe harrojë apo duan të harrojnë se çështja e formularit për deklarimin e kombësisë bëhet dhe në rrugë të thjeshtë parlamentare, heshtin përpara faktit të kryer, pra të dhunimit të simbolit kombëtar. Themi se heshtim pasi askush nuk mund të thotë se për një veprim të tillë shtetëror nuk është në dijeni apo nuk e ka vënë re një gjë të tillë. Kjo përgjegjësi bie që nga Presidenti i Republikës e deri tek shqiptari më i thjeshtë. Organet kompetente duhet urgjentisht të merren më këtë problem dhe të nxjerrin para përgjegjësisë ideatorët dhe urdhëruesit që bënë të mundur dhunimin e këtij simboli.
Themi se duhen nxjerrë para përgjegjësisë ideatorët pasi nuk duam t’i japim ngjyrim politik apo anti-kombëtar këtij problem pasi nëse do t’i futemi kësaj analize na duhet jo vetëm të ndalemi gjatë, por duhet dhe të nxjerrim konkluzionet reale të këtij fenomeni, aspak i pranueshëm për një komb. Ndoshta me këtë shkrim, i cili më shumë i ngjan një mesazhi kritik, por dashamirës për strukturat shtetërore që e kanë marrë këtë iniciativë për ta ndrequr sa më parë e për të na rikthyer simbolin e kombit tonë.
Comments are closed.
E perse u dashkerka simboli i nje vendi kur ne kemi simbol “Saline”,perse u dashkan targat me flamurin kombetar kur ne nuk kemi ndjenje kombetare,perse u dashkan gjykuar keta qe kane kompozuar targat kur ne nuk kemi denuar asnje per shitje te vendit,vjedhje te tij,vrasje te popullit e varferim te tij!E çfaj ka nje president kur eshte vene vetem per kete pune ose puna me e madhe e tij jane ti kete mire çiftet e pllumbave!E ç’nuk eshte perdhosur e dhunuar ne kete vend qe te benkerkan pershtypje targat nese ngjajne me teper te dala boje se sa te reja.Ne fund te fundit po sikur tu pelqejne miqeve ç’fare mund te na thuash zotrote z.Merkoçi?Nje kombi qe po i kerkojne te ndrojne kombesine se besoj se e gjen ndonjegje te ndrroje targat e makinave!