Unë jam demokrat!

3 Maj 2011, 20:26Blog TEMA

Nga Artan Vatoci

Ndodh shumë herë që shumë në Shqipëri i referohen vetes si “demokrat”, për të treguar se kanë ide demokratike për zhvillimin politik, ekonomik, shoqëror dhe kulturor të Shqipërisë. Në shumë raste të tjera njësojnë termin “demokrat” në lidhje me Partinë Demokratike të Shqipërisë që natyrshëm quhen “demokratë”, siç mund të quhen “socialistë” ata që aderojnë në partinë Socialiste, epitete të tjera për ata që janë anëtarë në partitë e tjera politike. Çfarë është e ngatërrueshme është se kur duhet marre epitetin “demokrat” si reference ndaj anëtarit të partisë dhe kur duhet marrë si mënyrë për të shprehur idetë e tyre demokratike? Ka kohë që ka një humnerë që qëndron midis kuptimit ideologjik dhe atij partiak. Nëse në fillimet e PD-së, fraza “jam demokrat” nuk kishte ndonjë dallim me çfarë idesh kishe dhe në çfarë partie aderoje, sot kjo fjalë ka dy kuptime, që të mos them të kundërta po i referohem si dy vija që çdo ditë e më tepër i largohen njëra-tjetrës. Demokracia ka parimet e veta dhe brenda këtyre parimeve, ka dy këndvështrime, njëri është i djathtë (ose konservator) dhe tjetri është i majtë (ose liberal). Në fillimet e saj, PD-ja e lindur në epshin e madh për demokraci, përfaqësonte në programin e saj dhe ne frymën e saj atë që çdo njëri prej nesh e quante veten demokrat, anëtarë apo jo i asaj partie, student dhjetori apo i ikur me ambasadat, intelektual apo punëtor, fshatar apo qytetar. Të ishe “demokrat” nënkuptonte të ishe i lirë dhe të doje Shqipërinë demokratike, nënkuptonte se e vetmja mënyrë për të dalë nga errësira ishte demokracia. Me kohën, disa këndvështrime të parimeve demokratike, evoluojnë dhe kanë nuanca të lehta të dy krahëve, që bëjnë që këto këndvështrime të jenë në qendrën e të dy krahëve. Parti e djathtë e qendrës ose parti e majtë e qendrës, nënkuptojnë një liri ideologjike dhe praktike që këto parti ta kenë të lehtë për të përqafuar reforma dhe iniciativa që mund të jenë të krahut tjetër ideologjik, që në politikë quhet “qendër”, për arsyen e vetme sepse i afrohen krahut tjetër nga një krah i kundërt ideologjik. Kohët e fundit në politikën e vendeve demokratike, janë shfaqur tendenca dhe krijuar parti të mirëfillta të qendrës, që në vetvete përfaqëson atë që çdo popull do dëshironte, parti që vendimet dhe ideologjia e saj është:  gjithçka në të mirë të popullit dhe vendit, që çdo vendim politik bëhet vetëm duke menduar për të mirën e shumicës. Qendra nuk është ideologji, është vetëm qëndrim politik. Që të jesh parti e djathtë e qendrës në radhë të parë duhet të jesh parti e djathtë. Qendra është aneks politik. Po ashtu për të qenë parti e majtë e qendrës, në themel duhet të jesh e majtë, për të kaluar herë pas here në qendër për të takuar krahun tjetër. Për të mos u futur më thellë në analiza ideologjike, po qëndrojmë te parimet demokratike, që sot, është shumë e vështirë t’i gjesh të mishëruara tek partitë shqiptare, në veçanti tek një parti me emrin “demokratike”. Ka kohe që më është krijuar një instinkt i kushtëzuar, për të pyetur nëse fraza “jam demokrat” i referohet parimeve apo partisë. Nëse një anëtar i thjeshtë i PD-së mund të vazhdojë të besojë në ato parime demokratike dhe ëndërron që kjo parti ende i përfaqëson ato, kupola drejtuese ka kohe që i ka lënë ato. Si rezultat edhe ata që aderojnë në këtë parti apo mbështesin atë, kanë kohë që me dashje apo pa dashje e kane aprovuar një gjë te tillë. Ata që shpresojnë për “demokratizim”, vetëm sa ushqehen me lugë bosh. Eshtë e tepërt të sillen shembuj që tregojnë që demokracia nuk ekziston në  Partine Demokratike, prandaj po e lë në dorën tuaj për të gjetur inekzistencën e saj.

Edhe pak ditë dhe vota duhet hedhur në kuti. Gjithmonë në prag zgjedhjesh tendencat e atyre që janë të djathtë është të votojnë djathtas, ata që janë të majtë të votojnë majtas. Në këto zgjedhje, shumë analizojnë se nga cili krah do votojnë pjesa e pa politizuar, ajo pjesë që zakonisht nuk ka një bosht ideologjik apo preference partiake, por niset vetëm nga preferenca e momentit, parti apo kandidat.  Përzierja ideologjike ka kohë që ka krijuar një “çorbë” politike alla shqiptarçe. Nuk merret vesh se kush është i djathtë apo i majtë. Bëjnë fushatë para zgjedhjeve në koalicion, një parti e djathtë me një parti të majtë, në krahun tjetër një e majtë me një të djathtë! Vetëm në Shqipëri ndodh kjo. Të shkretët ne që jemi të djathtë e të shkretët ata që janë të majtë. Por në këto zgjedhje më të shkretë janë ata që e quajnë veten “demokratë”. Duhet të votojnë për “demokratin” apo për “demokracinë”?. Kjo është dilema e këtyre zgjedhjeve, kjo është ajo pjesa “gri” që ngatërrohet me të pa vendosurit në kushte normale zgjedhjesh politike.

Së fundi, përherë e më shpesh ata që thonë “jam demokrat” nuk harrojnë të thonë që mbështesin Partinë Demokratike dhe do votojnë për PD-në dhe aleaten e saj të majtë, s’ka si ndodh ndryshe, po votojnë si “demokratë” të PD-së.

Unë jam i djathtë dhe e dua demokracinë, di vetëm për kë nuk do votoj!

Lini një Përgjigje