Celularë në vend të kamerave

4 Maj 2011, 20:27Blog TEMA

Nga Kristo Thoma

Sa herë fillojnë fushatat elektorale një numër i madh njerëzish ulen kryesisht para televizorit për të parë e kuptuar se ç’ po ndodh. Ulen të marrin informacion edhe një pjesë e madhe e atyre që nuk kanë hiç ndërmend të votojnë. Tamam si në fshatin global, që në këtë rast mund të quhej “fshati kombëtar”. Sipas teoricienit të komunikimit Marshall Mcluhan, fshat global (global village) është bota e sotme mediatike në të cilën të gjithë jetojmë. Është quajtur kështu, sepse kjo botë i ngjan tashmë një fshati mediatik, ku të gjithë janë të ulur rreth të njëjtave informacione të çfarëdo fushe, para televizorit, apo në internet, ku përveç informacioneve më të fundit, mund të lexosh edhe gazeta të panumërta on-line. Dhe një ngjarje të ndodhur në çdo cep të botës sot e mëson kudo që një person ndodhet. Tamam ashtu si në një fshat të vogël pra, ku një ngjarje çfarëdo në një kohë shumë të shkurtër e marrin vesh dhe e komentojnë të gjithë. P.sh. tragjedia e 11 shtatorit në SHBA, në pak sekonda u mor vesh nga të gjithë ata që ndodheshin para një televizori në cilindo cep të globit. Aq sa jo vetëm banorët e Nju Jorkut, por e gjithë bota pati mundësinë që, fatkeqësisht, të shikonte avionin e dytë duke goditur kullën e dytë, në atë moment që ngjarja po ndodhte, pra direkt. Me këtë rol dhe me zhvillimin e saj, media vihet në funksion të demokracisë. Është në shërbim të politikës për të komunikuar me publikun, (ose klientin e saj në ditën e votimeve), për të ndarë idetë me këdo që është i interesuar dhe për të vlerësuar alternativën më të mirë. Politologia  Pippa Norris shkruan: “Informacioni duhet të vihet në dispozicion nga partitë dhe mediat e lajmeve, në mënyrë që qytetarët të kuptojnë zgjedhjet e tyre dhe të përllogarisin pasojat e votës që do të japin”.

Rëndësi të veçantë ky komunikim merr gjatë fushatave zgjedhore kur partitë dhe kandidatët duhet të komunikojnë idetë e tyre. Komunikim që duhet parë si detyrim ndaj qytetarëve, të cilëve u kërkon votën. Por në fakt në fushatën e fundit që po ndjekim (sigurisht edhe më parë) është krijuar loja e fshehjes dhe e shmangies nga mesazhi i vërtetë. Madje një nga kuruesit e fushatave e pranoi hapur në televizion këtë fakt,  duke thënë se kjo bëhet që kandidati të përcjellë atë mesazh që ai do. Pra theksohet edhe një herë ajo ide se për këta kandidatë rëndësi ka ajo që duket dhe ajo që është. Pastaj vjen puna që publiku e merr vesh atë që ndodh realisht në takimet e fushatës nëpërmjet filmimeve amatoreske dhe pa cilësi të  një celulari të rastësishëm që po filmon pa leje. Edhe celulari prej kur luan edhe rolin e kamerës ndihmon në mbarëvajtjen e “fshatit global”. Në këtë rast ky medium është përdorur për t’i përcjellë publikut informacion të vërtetë. Dhe besoj se të gjithë biem dakord që informacioni i duhur për publikun, në mënyrë që ai të përllogarisë pa gabime votën e tij, është ai vërteti. Pra është ai i filmuar me celular dhe ajo ai me kamera profesionale. Dhe në fakt publiku nuk e pati mundësinë ta shikonte skenën e ngjarjes së famshme me pedagogen në Universitet nëpërmjet kamerave të tilla. Po të mos ishte celulari amator, ne nuk do ta kishim marrë vesh çfarë ndodhi aty.

Atëherë ngelet të kuptojmë se qëllimi i kandidatëve nuk qenka të komunikojnë me publikun, por ta magjepsin atë. Kjo ndoshta shpjegon edhe premtimet e panumërta e të pallogaritura që shkojnë deri në përmirësim të diellit. Duket se po luhet pikërisht me nevojën e votuesve, kryesisht të lëkundur, për të marr informacionin e nevojshëm mbi secilin kandidat. Tregohet një kujdes shumë i madh që këta votues të shikojnë atë që duhet dhe jo atë që është. Kjo rrezikon ta shndërrojë “fshatin kombëtar shqiptar” në një fshat thashethemesh, duke zbehur rolin informues të tij. Dhe nuk mbaron këtu. Më pas me shumë ironi premtohet qeverisje me transparencë. Nga të gjitha këto që kemi parë dhe dëgjuar deri tani parashikoj se në takimet elektorale të radhës do të ndalohen edhe celularët, si masë parandaluesve ndaj rrjedhjes së lajmit. Kur në vetëm 30 ditë fushatë diskutohet aq shumë për mesazh të vërtetë, mesazh të zbukuruar, mesazh të fshehur, pakkush mund të besojë se mund të marrë nesër informacion të plotë dhe të saktë se si shpenzohen (apo nëse shpenzohen) taksat për qytetarin. Kur thirrja e një njeriu të thjeshtë, pedagog ose jo, mbytet nga mjetet në dispozicion të një kandidati, vështirë që nesër kryetari i bashkisë të dëgjojë zërin gjithë drojë të qytetarëve. Sepse kur ndodh kështu në fushatë ku politikani ndihet më i dobët dhe më i vogël se kurrë përballë qytetarit, imagjinoni ç’ mund të ndodhë kur ai të ketë fuqinë e pushtetit me vete.

Mendoj se fushata të tilla në luftë me të vërtetën, i mbështjellin premtimet elektorale me mjegull të dendur mosbesimi. Dhe kur publiku nuk i beson ato që thuhen, atëherë informacioni i ndarë detyrueshëm me ta, bëhet i pavlerë. Votuesit e lëkundur që secili krah politik kërkon t’i tërheq nga vetja si në një lojë litari, me mënyra të tilla mundet që vetëm t’i largosh.

 

 

 

 

1 komente në “Celularë në vend të kamerave”

  1. Jeniceri says:

    Shkrim i goditur ne shenje pikerisht fale teknollogjise keto zgjedhje mendoj se do pasqyrohen te gjitha shkeljet sado te kamufluara qofshin ato pra transparencen do ta shikojme me syte tane ne jutub per cdo shkelje dhe manipulim qe mund te kete.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje