Nga Mustafa Nano
Ora 10.00. Mora gazetat në një kioskë, dhe u hodha një sy. Në faqet e para të tyre vihej re një sforcim i fundit dhe i qartë partizan. Tema luante me një foto të Lulzim Bashës në shoqërinë e gruas së vet, mbi të cilën ish vënë një kryq, dhe për t’i bërë karshillëk, në të majtë të saj, ish fotoja e atij djalit nga Lezha, Aleksit, që u qëllua për vdekje më 21 janar. Ky i fundit kish pozuar me gruan. Dhe mbi Aleksin ish një kryq. Shënimi mbi këto foto të lidhura tok përcillte mesazhin, që “personat e shenjuar me kryq nuk do të votojnë, por për motive krejt të ndryshme”.
Gazeta Mapo kish mbushur faqen e parë me një foto të Lulzim Bashës, ku ai shfaqej jo vetëm veçantërisht i pashëm, por edhe i fortë dhe i sigurtë. Titulli ishte një apel për lexuesit. Diçka e ngjashme me sloganin “Votojeni këtë njeri”. Të njëjtën hapje spektakolare kish bërë dhe Shekulli, por me mesazh të kundërt. Ata e kishin me Berishën. Lulzim Bashës nuk i jepnin peshë, duke dashur të përcjellin idenë se e keqja është kryeministri. Ndërsa Basha është një hiç. E përditshmja Shqip kish dalë më e shtruar. Ishte më e shtruar se gjithë të tjerat. Si zakonisht. Edhe ata të Panoramës ishin përpjekur të bënin të njëjtën gjë, por nuk e kishin maskuar dot qëndrimin e tyre. Përkundrazi, përpjekjet për ta fshehur (duke mos dalë me tituj të fortë në favor të njërit apo kundër tjetrit) e theksonin më shumë anën që mbanin. Apo kështu më duket mua? Sa për Gazetën Shqiptare, ajo ka mënyrën e vet për të rënë në sy. Gjithë faqen e parë e kishin zënë me një alarm të PS-së për manipulim (nëpërmjet kartave të rreme), dhe me një deklaratë të ish-presidentit Moisiu mbi bashkimin kombëtar.
Ora 11.00. Telefoni celular s’më kish rënë akoma. Zakonisht më bie një a dy herë mes orës 10.00 e 11.00, por sot nuk u dëgjua asnjë zërrrrrr. Ende nuk kisha asnjë informacion mbi zgjedhjet, por këtë fakt e mora për shenjë të mirë. Në fakt, kur fillova të lexoja site-et informativë të Tiranës, vura re se dita elektorale ish më e qetë se sa pritej. Ish regjistruar një incident shumë i rëndë, por ish i vetmuar. Për ç’incident është fjala? Për dhunën mbi gazetarin e kameramanin e Top-channel-in. U tha se këtë dhunë e kishin ushtruar do njerëz të kërkuar. Policët, jo vetëm që kishin mbërritur me gjysmë ore vonesë, por edhe nuk kishin arritur ende të kapnin autorët e kësaj ngjarjeje. Më tej nuk kish gjë tjetër. Tek-tuk vinin lajme për ndonjë incident, por këto incidente, ngaqë ishin të rralla, në vend të përcillnin idenë e një dite të dhunshme, theksonin bash të kundërtën.
Ora është 14.00. U vura të ndiqja televizionin. Të gjitha kanalet kryesore bënin të njëjtën gjë: Top-channel, TV Klan, AS, Ora News, News 24, Vizion Plus ishin identifikuar me anchormen-ët e tyre, Sokol Balla, Enkel Demi, Eni Vasili, Ilva Tare, etj, etj. TVSH-ja po se po (ma thanë këtë gjë), por unë atë qelbësirë mediatike nuk e shoh asnjëherë. Të ftuarit që i zinin vendin njëri-tjetrit, flisnin me tone të qeta. M’u krijua përshtypja se edhe televizionet nuk e bartin më atë harbimin e zakonshëm në raste zgjedhjesh. Nga terreni nuk raportoheshin lajme incidentesh të rënda. Pasdite u fol vetëm për një skandal, që duhet provuar e dokumentuar mirë: U fol se një numër të burgosurish janë shoqëruar me furgonë pranë qëndrash të votimit. Nuk është nga ato tentativa manipuluese që kondicionojnë rezultatin e zgjedhjeve (veç në daltë fare i ngushtë ky rezultat), por sikur kjo gjë të ish e vërtetë do të ish një SKANDAL. Jo SKANDAL elektoral, por SKANDAL. Do të ishte një ngjarje që do njolloste keq shtetin, e që do demonstronte se ky pushtet është marrosur deri në limite të pamendueshme.
Ora 16.45. U vesha dhe dola për të votuar. Jashtë nuk kish zhurmë. Trafiku ish i përmbajtur. Më panë sytë një makinë fuori-stradë, me tre flamuj të PD-së të varur mbi të. S’është ndonjë gjë alarmante? Në fakt jo, por është një gjë që të bezdis. Është një gjë e projektuar në kuadrin e përpjekjeve për të dominuar terrenin. Kur mendoj që Berisha mund të bënte shumë më tepër se sa kaq, ndihem i ngushëlluar (ka kohë akoma në fakt. Për të, kuptohet). Por askush s’ma heq nga mendja se këto makina të grahura nga gangsterë elektoralë veç mendja e një të marri mund t’i nxjerrë në rrugë gjithë kohën pa provuar pak zor; ashtu si atë baterinë e fishekzjarrëve, që e mbajtën të ndezur për 15 minuta të plota të premten pas tubimeve elektorale. Punë rrugaçësh!
Ora është 17.00. Sapo votova. Si provë të aktit kam një shenjë të vogël tek gishti madh i dorës së majtë, shí mbi thua. E vuaj shumë atë shenjë, si të ish një ear-mark që u vihet bagëtive për t’i identifikuar, por njolla që më kanë vënë është e vockël. Nuk kam provuar ta laj me ujë e sapun për të verifikuar soliditetin e saj, por duhet të jetë bojë e koncentruar, ngaqë nuk kam dëgjuar të bëhet zhurmë mbi këtë problem. Në qëndrën time të votimit kish njerëz. Shumë. Përballë derës së kësaj qëndre me nr. 1751 (brenda shkollës Niket Dardani), ishte dera e një qëndre tjetër votimi, por aty nuk kish radhë.
Radha mbahej në heshtje. Dëgjohej tek-tuk ndonjë pëshpërimë, por bisedat aty rrotull meje ishin neutrale në pikëpamje politike. Vetëm në një moment e prishi heshtjen një djalë me pamje të forti, i cili i tha me zë të lartë një tjetri pranë tij, se “duhet të votojmë ndryshimin”, por nuk e mora vesh se ç’kuptonte me ndryshimin. Interlokutori i tij, ndoshta i ndrojtur prej pranisë sime, nuk ia ushqeu atë bisedë. Dhe ai e qepi.
Kur u futa brenda, një vëzhgues i PS-së dhe një i PD-së po haheshin me sho-shoqin për një ngjarje të orëve më parë. “Ti s’duhet ta përsërisësh më atë gjë”, i thosh demokrati, një djalë simpatik, që kur hasi vështrimin tim bëri një rrëfim që s’e prisja: “Unë jam rrugaç”, më tha. “Nuk më dukesh”, i thashë me sy, ndonëse në mendje po e projektoja kot më kot si të zotin e asaj makinës me flamuj që kisha parë pak përpara se të mbërrija pranë qëndrës së votimit. Por dy minuta më pas e kuptova që ai kish të drejtë. Ndërsa unë po palosja fletët e votimit, dëgjoja zërat e militantëve vëzhgues, të cilët ishin bërë tanimë kaustikë. “Komunist dreqi!”, ia bëri demokrati. “Mos fol kështu”, ia kthente socialisti, i cili duhej të kish moshën time, por dukej i mbajtur mirë. Më bezdisi kjo situatë, dhe hodha me ngut fletët në katër kutitë, të cilat m’u dukën të mbushura dingas. “Këtu s’ka vend për fletë të tjera”, mendova, por ndërkohë kisha dalë nga dhoma e ngarkuar me ajër të rëndë, e me djersë. U përplasa me dy vëzhgues të huaj, të cilët, të shoqëruar nga një vajzë e re përkthyese, po hynin aty ku biseda e tensionuar mes armiqve vijonte. Zërat dëgjoheshin edhe jashtë. “Ndoshta i japin fund sherrit prej turpit e frikës nga të huajt”, thashë me vete, dhe dola në rrugë.
Aty kishin votuar gati 50% e votuesve. Kështu më tha një komisioner. Kjo do të thotë se në atë qendër votimi pjesëmarrja ka për të qënë shumë e mirë. Të paktën, jo më e vogël se 55%. Nëse kjo shifër pjesëmarrjeje do të ishte e vërtetë edhe në planin kombëtar, atëherë do kishim të bënim me një dukuri të rëndësishme elektorale, shpjegimi e interpretimi i së cilës do të bëhej duke pasur në dorë rezulttatin.
Ora 18.40. Po e mbyll. Më duhet të dal. Do jem në Studion e Hapur të Eni Vasilit në orën 19.00. Tok me të tjerë. Do të diskutojmë mbi këtë ditë zgjedhjesh, e cila rrodhi – e përsëris – më qetë se sa e kisha pritur. Por procesi s’ka përfunduar. Tani fillon më e vështira ndoshta. Sa mirë do ish që nesër në mëngjes të kishim në dorë rezultatet e garave për kryetar bashkie të qyteteve kryesore. Do t’i kemi vallë?
Comments are closed.
Sa keq per ty, o Muci, qe nuk kishte rremuja dhe incidente.E gjithe fryma e shkrimit shpreh vuajtjen tende qe nuk pati probleme,sic prisje ti.Mendo nje here drejt, o analist “i pavarur”.
je komunist i vjeter ti muco, e ngaqe je dhe shume i mire si gazetar ta hoqen dhe nje program qe te dha top channeli sa per te lare gojen.
ike ha naj pjate tasqebap andej nga liqeni se te ben mire….
keteO Muc, urime me ngjave pak si Kadareje ne shkrim, sidomos ne pershkrimin e rrugacit te PD.
Urime.
ik ore komunist,mos na bej si i pervuajtur …
muci duhet te qartesosh vehten njehere
mustafa duke lexuar me shpejtesi ate cafre ti ke shkruar, nuk e di me kujtove te ndjerin astrit nuri, qe edhe ai i niste shkrimet, “isha ulur mbi nje stol, aty prane pashe tek kalonin disa njerez, ishin te veshur keshtu e ashtu”, mustafa kaq vjet o njeri si nuk u integrove pak ne tirane, e di, me mire kthehu ne codovoden tende, je me mire atje. hajt vlla