Me pak normalitet Shqipëria mund të kapë trenin e fundit për në BE

17 Maj 2011, 22:46Blog TEMA

?Nga Augustin Palokaj

Asgjë normale nuk kishte në zgjedhjet lokale në Shqipëri, por përmbyllja e tyre mund të ndikojë në kthimin e një lloj normaliteti, qoftë edhe të përkohshëm, deri në fushatën e radhës. Në Shqipëri  zgjedhjet janë ankth e jo festë e demokracisë. Nuk kishte dallim as kësaj radhe. Fushata ishte me plot akuza dhe kundërakuza. Nuk munguan as tensionet dhe konfliktet  ndërmjet militantëve. Por për herë të parë mund të ndodhë që rezultati i këtyre zgjedhjeve të mos kontestohet, përkundër dallimit jashtëzakonisht të vogël të numrit të votave që përcakton kryebashkiakun e Tiranës.

Tash, kur zgjedhjet kanë përfunduar, Shqipëria ka nevojë për një normalitet dhe racionalitet. Nëse të dehur nga fushata zgjedhore në vend liderët politikë në Shqipëri nuk e kanë vërejtur në muajt e fundit, vendet e rajonit kanë përforcuar agjendën e tyre evropiane dhe të gjitha, me përjashtim të Shqipërisë, tash mund të presin një hap të madh në këtë proces.

Kroacia pas një muaji mund të përmbyllë procesin e negocimit për anëtarësim në BE dhe para fundit të këtij viti edhe të nënshkruajë Traktatin e anëtarësimit, duke u bërë anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2013. Serbia ka gjasa të mira që me 12 tetor të marrë opinionin pozitiv nga Komisioni Evropian, me të cilin do të mund të rekomandohet dhënia e statusit të kandidatit dhe nisja e negociatave të anëtarësimit. Mali i Zi e ka pothuajse të sigurt se do të marrë datën e nisjes së negociatave. Maqedonia ka qëmoti statusin e kandidatit dhe, në rast të zgjidhjes së mospajtimeve me Greqinë për emrin, edhe ajo mund të marrë datën e nisjes së negociatave.

Për Shqipërinë deri dje është thënë se nuk mund të shpresojë në asgjë të mirë për këtë vjeshtë.  Me fjalë tjera, është bërë më se e qartë se Shqipëria as riprovimin e këtij viti (pasi kishte rënë keq në provim vitin e kaluar), nuk do ta kalojë.

Dhuna e 21 janarit, vazhdimi i politikës konfliktuoze mes forcave kryesore politike, përdorimi i Kuvendit nga Qeveria për qëllime partiake, politizimi i gjykatës dhe policisë, si dhe shkelja e rëndë e ndarjes së pushteteve, të cilave u shtohet edhe ndërhyrja politike dhe presioni ndaj mediave, përmenden në Bruksel si dëshmi se Raporti i progresit këtë vit jo se nuk do të jetë më i mirë se ai i vitit të shkuar ( e ai ishte shumë i keq), por do të mund të konfirmojë se vendi ka bërë hapa prapa.

Vetëm Shqipëria mund ta ndryshojë Raportin e progresit. Jo duke kërkuar nga zyrtarë të delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë apo ambasadorë të ndryshëm që të ndërhyjnë për të përmirësuar gjuhën e raportit, por duke e ndryshuar gjendjen në vend. Nëse nuk kontestohen rezultatet e zgjedhjeve, nëse tejkalohet shpejt gjuha nxitëse, nëse organet policore dhe gjykatat punojnë profesionalisht pa ndikim të politikës, BE-ja mund të gjej arsye që edhe në këtë kohë të shkurtër sa ka mbetur deri tek Raporti i progresit për këtë vit të ndryshojë kahen e këtij raporti dhe të sugjerojë edhe për Shqipërinë dhënien e statusit të kandidatit.

Elitës politike në Shqipëri, pozitës dhe opozitës,  duhet t’i vijë turp nëse Serbia (vendi që shkaktoi aq lufta dhe bëri aq krime në Ballkan, e i cili ende strehon kriminelë lufte) këtë vjeshtë merr statusin e kandidatit për BE, ndërsa Shqipëria vazhdon të ngelë në klasë. Shqipëria në dy-tri javët që vijnë ka shansin që të zërë këtë tren të fundit për marrjen e statusit të kandidatit. Për këtë duhet të vazhdohet shpejt me procesimin e rasteve  Ilir Meta dhe ngjarjeve të 21 janarit.

Fushata zgjedhore, pranojnë edhe vetë zyrtarët e BE-së në Bruksel, në një mënyrë e ka penguar avancimin e hetimeve nga droja se çdo hap do të mund të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor. Por tash nuk ka arsye për të vonuar, ndërsa të dy këto raste nuk janë edhe aq të vështira për profesionistët (nëse punojnë pa ndikim politik) që të zgjidhen.  “Rasti Meta” dhe ngjarjet e 21 janarit janë dy shembuj kryesorë përmes të cilëve Brukseli do të vërtetojë nëse sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit do të nisin  të funksionojnë  në Shqipëri.

Ndërsa edhe Edi Rama, tash si prijës i konfirmuar i forcës bindshëm më të madhe politike në vend (PS ka marrë 13 % më shumë vota se PD në nivel vendi), ka përgjegjësi të normalizojë punën e Kuvendit  dhe të ndërtojë me PD-në konsensusin për Evropën, çfarë kanë për shembull, partia në pushtet dhe opozita në Kroaci.

Rama dhe PS-ja duhet ta dinë se në nivel lokal do të qeverisin pjesën më të madhe të vendit. Dhe nuk mund të ketë qeverisje të mirë në nivel lokal nëse nuk ka një qeverisje sadopak normale në nivel qendror shtetëror. Po ashtu do të ishte një lloj rreziku që PS, e motivuar nga suksesi i madh në këto zgjedhje, të kërkojë menjëherë zgjedhje të përgjithshme dhe ta çojë vendin në një fushatë të re, e cila mund të jetë dhe më e ashpër seç ishte kjo për zgjedhjet lokale. Të gjithë kanë nevojë për një lloj pushimi. Kompromisi mund të jetë në pajtimin që zgjedhjet në Shqipëri të mbahen në vitin 2013, e kjo kohë të shfrytëzohet për ta avancuar agjendën evropiane të Shqipërisë. Këto zgjedhje dëshmuan se populli më nuk mund të mashtrohet me përvetësime të meritave siç ishte tentimi i Berishës apo Bashës që të përvetësojnë meritat për liberalizimin e vizave dhe ndërtimin e rrugëve. Vizat, fundi i fundit, i hoqi BE-ja, ndërsa rrugët ndërtohen me paratë e taksapaguesve. Ky duhet të jetë një mësim tjetër se integrimet evropiane janë për shtetin dhe qytetarët e jo për partitë politike dhe liderët e tyre.

Në Shqipëri do të mbeten shumë fusha ku opozita dhe pushteti mund të shkëmbejnë kritika konstruktive në një garë politike. Por do të ishte mirë që ta lënë BE-në jashtë këtij debati të brendshëm dhe të punojnë bashkë për interesa të vendit. BE-ja, një krijim të një „konsensusi për Evropën“, do ta mirëpriste dhe, nëse do të dëshmohej si i sinqertë, me gjasë edhe do ta shpërblente.  Ka mbetur shumë pak kohë dhe duhet nxituar.

3 komente në “Me pak normalitet Shqipëria mund të kapë trenin e fundit për në BE”

  1. votues says:

    O z .Agustin,per cfare treni e ke llafin,besoj se per trenin e tallashit,se per ndonje tren tjeter as qe behet llaf,sa larg jemi ne o vlla,Apo ta ka mush menien Sala,me idiotizmat qe thote?

  2. hysni dajaku says:

    te vazhdoje ne kembe shqiperia nga ferrat,se as makinat e qymyrit te Memaliajt nuk e marrin me:)),se trenat e kan prer gojen me kohe:)

  3. pelivan says:

    SALIUT

    Mbolle flam’e korre helm!
    Njezete vjet’ qe vjellim vrere,
    helmin shite per melhem,
    o zjarr venes der’ me dere…..

Comments are closed.

Lini një Përgjigje