Ilir Meta dha dorëheqje pas presionit publik, jo pse ishte i vetëdijshëm se kishte bërë diçka të paligjshme. Në një shtet normal ai do duhej të shkarkohej. Këtë s’e bëri kryeministri Sali Berisha. Sulmet kundër gjyqësisë tashmë kanë filluar, prandaj do të jetë tepër interesante të shihet nëse Meta do ballafaqohet ndonjëherë me ligjin
Zëvendëskryeministri i Shqipërisë dhe ministri i Ekonomisë Ilir Meta dha dorëheqjen të premten pas një presioni të gjithanshëm publik. Ky politikan ishte zënë në vepër, siç thuhet „me pelë për dore“, pasi ishte incizuar duke bërë pazare për tenderë, duke urdhëruar punësime në administratën publike dhe lloj-lloj punë të tjera të ndotura. Në vend se ta shkarkonte Metën derisa të sqarohet vërtetësia e përmbajtjes tronditëse të videos, kryeministri Sali Berisha preferoi ta mbronte atë dhe – sipas zakonit të tij – zbrazi një mori akuzash jopolitike kundër opozitës. Në Evropë, mbase vetëm në Shqipëri dhe në viset e banuara me shqiptarë në Ballkan, ndodhë kjo: Në pothuaj çdo ballafaqim publik mes politikanëve nuk përmenden argumentet, por atakohet familja, rrethi, nëna, babai, tezja e rivalit politik.
Në vend se t’i hapte rrugë drejtësisë, Berisha filloi të merrej me paraardhësit familjarë të Edi Ramës dhe të funksionarëve të tjerë socialistë. Në një shoqëri që mëton të jetë demokratike, rivali politik luftohet me argumente, jo me mendësi klanore dhe përbaltje familjare. Secili është individualisht përgjegjës për veprat e tij dhe me siguri nuk është faj i Edi Ramës dhe as i Sali Berishës bij të kujt janë dhe prej nga vijnë. Lehtësisht ka mundur të ndodhë që Berisha të jetë me origjinë nga Gjirokastra dhe Rama nga Kukësi. Duhet thënë se në aspektin e fyerjeve më bizare personale as Berisha, as opozita me Edi Ramën në krye s’dallojnë shumë mes vete. Skena politike e Shqipërisë shpesh kundërmon një duhmë kënete, e cila i bën shumë politikanë evropianë t’i mbyllin hundët.
Fjalori i keq
Ilir Meta iku, sepse këtë e kërkoi publiku, jo nga bindja se ka bërë ndonjë vepër të paligjshme. Presioni erdhi nga Brukseli, që kërkoi hetim të këtij rasti, nga diplomatët e akredituar në Tiranë, nga opozita dhe nga disa media, por jo nga të gjitha. Në Tiranë, por edhe në Prishtinë, roli i mediave është i ndarë: Një pjesë demaskojnë korrupsionin, pjesa tjetër e ka për detyrë „nga lart“ ta maskojë atë sa është e mundshme dhe t’i fyejë ata gazetarë që hulumtojnë mizoritë e politikanëve. Rrjedhimisht ka edhe dy lloj gazetarësh: Të tillë që përpiqen në rrethana të vështira të kryejnë punën e tyre dhe të tjerë që ndërtojnë pallate falë proteksionizmit politik.
Shqetësuese është se ende pa filluar mirë hetimet për rastin Meta veçse ka filluar ndërhyrja dhe presioni ndaj drejtësisë. Jo vetëm nga kryeministri Berisha incizimi u quajt i montuar, ndonëse ai vetë para disa muajsh kishte refuzuar ta shikojë këtë video dhe të bindej në vërtetësinë e saj. Sipas Berishës videoja është e manipuluar nga „kryeçimka“, që vetëkuptohet se fjala është për Edi Ramën. Në Kosovë këto ditë u ambientuam me fjalën çimkë, e cila s’është e përhapur në viset tona, ku flitet gegërishtja verilindore. Çimka është një parazit që ia thith gjakun njerëzve. Sërish politikanët në Shqipëri shërbehen me fjalor nga koha e nazizmit, kur njerëzit që ishin vënë në shënjestër për likuidim quheshin insekte (gjermanisht: „Ungeziefer“). Me deklarata të tilla diskualifikuese vetëm shtohet presioni ndaj autoriteteve të drejtësisë dhe pamundësohet një hetim i pavarur i rastit Meta. Do të jetë interesante të shihet në të ardhmen se si do të përfundojë ky kapitull i ndotur i qeverisë aktuale në Shqipëri. A do të ketë hetim serioz, arrestime të personave nga rrjeti kriminal dhe korruptiv, ngritje aktakuzash? Apo gjithçka do të politizohet në atë mënyrë saqë drejtësia do ta mbyllë rastin brenda natës? Deklaratat e deritanishme të politikanëve udhëheqës në Tiranë më shumë flasin për mundësinë e dytë. Jo pak raste janë mbyllur në këtë mënyrë në Shqipëri. Madje politikanë të dyshuar për korrupsion kanë përdorur ndjenjat sentimentale patriotike për t’u mbrojtur nga akuzat e opinionit. Njëri prej tyre, për shembull, kishte thënë se po e akuzojnë për korrupsion vetëm pse është nip i Kosovës.
Kafehane në trotuar
Loja me ndjenja sentimentale dhe patriotike po përdoret gjithnjë e më shpesh edhe nga politikanët në Kosovë. Disa prej tyre i referohen të kaluarës dhe rolit të tyre, ta zëmë në luftë, kur ballafaqohen me fajësime nga publiku për korrupsion, keqmenaxhim etj. Thua se çdo trimëri në luftë qenkësh një lloj mandati për plaçkitje të resurseve shtetërore ose të votave. Para pak ditësh, për t’i ikur monotonisë festive të Prishtinës, me disa kolegë shkuam në një qytezë jo larg kryeqytetit. S’duhet humbur shumë fjalë për arkitekturën kosovare të këtyre dhjetë viteve, e cila kishte lëshuar shtat pervers edhe në këtë qytezë. Makabre ishte se edhe në këtë lokalitet ekzistonte një „i fortë“, një „komandant“, i cili lëre që kishte ndërtuar një pallat të neveritshëm, por e kishte zënë edhe trotuarin me një kafeteri. Nga një mendësi e tillë antishtetërore s’ka hair askush, përveç atij që shkel ligjin. Nga pushteti askush s’guxonte t’i thoshte gjë „komandantit“. Shteti kishte kapitulluar.
Comments are closed.
Zoti Robelli,deri tani,jeni Ju i pari qe i jepni vend te pare Presionit Publik qe detyroi doreheqjen e I.Metes.Ju falnderoj qe artikuloni te verteten.
Une mendoj se te gjitha konsekuencat,qe do mbrrijne se shpejti,do te kene arsye te pare dhe me te forten,Presionin Publik.Uroj te kemi nje maredhenje interaktive,ne trojet tona, perpermiresimin e pandalshem te ketij procesi.
Zoterinjve M Baze e M Nano: Shikoj qe ka nje keqinformim masiv( sidomos ne Kosove) per kontekstin e perdorimit te fjales çimkë. Perdorimi i tanishem i kesaj fjale ne diskurin politik nuk ka kuptimin fillestar, pra nje insekt gjakpires. Ne diktature çika quheshin mikrofonat mikro qe sigurimi vendoste ne tavolinen e kafenese, ne xhaketen e spiunit provokator, ne portollampen e shtepise te personit qe sigurimi survejonte, etj. Ju lutem, me qene se ju e keni mundesine sqaroheni kete.
Nje sqarim shoqeror per paragrafin: Çimka është një parazit që ia thith gjakun njerëzve. Sërish politikanët në Shqipëri shërbehen me fjalor nga koha e nazizmit, kur njerëzit që ishin vënë në shënjestër për likuidim quheshin insekte (gjermanisht: „Ungeziefer“).
Ne gjermanisht cimkes ne kuptimin e pergjimit i thone “Wanzen” qe ne gjuhen shqipe jane cimkat e dysheqeve ose tartabiqet. Nuk ka te beje kjo me kohen e nazizmit etj,etj. Ndoshta ne gjermanishten e Zvicres mund te kete kuptimin qe jepni ju, sidoqofte ky eshte mendimi im si shqiptar lindur dhe rritur ne Shqiperi. (Me fal per kete ndarje te kombit, nuk e kam me qellim te keq). Pershendetje dhe faleminderit per artikujt teper interesante dhe plot analize.
Me behet qejfi zoteri qe je nga te paktet gazetare ne Shqiperi qe shkruan te verteten.Urime.