Pas “reformës” që u krye në Akademinë e Shkencave, e cila solli si pasojë krijimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike (QSA), në të cilën u inkuadrua edhe Instituti i Arkeologjisë, arkeologjia shqiptare pësoi një katastrofë të vërtetë. Veç shkurtimit të gati 75% të punonjësve të saj, si arkeologë, punonjës ndihmës/shkencorë, teknikë, bibliografë, laborantë, skicografë, topografë, fotografë etj., ky institucion pati edhe pasoja të tjera të rënda, si mbylljen e laboratorit të restaurimit, laboratorit fotografik, arkivit shkencor, kabinetit të skicografëve, bibliotekës shkencore etj., sektorë tepër të rëndësishëm në arkeologji, pa të cilat nuk mund të bëhet një punë e mirëfilltë shkencore.
Për të kuptuar më mirë shkatërrimin dhe rrënimin që i është bërë arkeologjisë, na duhet të rikthehemi në vite, të cilat, për hir të vërtetës, ishin vitet më të lavdishme të arkeologjisë shqiptare.
Historiku i kërkimeve arkeologjike shqiptare zë fill pas Luftës së Dytë Botërore, dhe pikërisht në vitin 1948, me ngritjen në Tiranë të Muzeut Arkeologjik-Etnografik dhe krijimin e Sektorit shkencor të Arkeologjisë. Brenda një periudhe të shkurtër Sektori i Arkeologjisë, që ishte i atashuar pranë Institutit të Shkencave, u plotësua me specialistë të arkeologjisë, që ishin shkolluar jashtë Shqipërisë. Gërmimet e para filluan në tumat e Matit, në të cilat u zbuluan objektet e para të kulturës ilire. Zbulimet më të bujshme ishin ato që u bënë në Maliq, të cilat edhe sot konsiderohen si zbulimet më të rëndësishme të periudhës prehistorike. Në të njëjtën kohë u zhvilluan gërmimet në qytetet antike të bregdetit shqiptar, si në Durrës, Apoloni, Butrint, Lisus, Orikum etj. Zbulimet më të rëndësishme qenë ato të qyteteve ilire, si Amantia, Olimpia, Dimali, Antigonea, Bylisi etj. Këto gërmime sollën rezultate të jashtëzakonshme. Pionierë të këtyre zbulimeve ishin 4-shja e shquar: Hasan Ceka, Skënder Anamali, Selim Islami dhe Frano Prendi, të cilët udhëhoqën dhe drejtuan arkeologjinë shqiptare për mbi 40 vjet. Rezultatet e jashtëzakonshme që arriti arkeologjia shqiptare, botimet që i pasuan këto rezultate, bëri që jehona e këtyre zbulimeve t’i kapërcente kufijtë e Shqipërisë së izoluar komuniste. Studimet e arkeologëve shqiptarë u botuan në revistat më autoritare në Europë e gjetkë dhe janë vlerësuar nga personalitetet më të mëdha të arkeologjisë botërore. Këto rezultate krijuan edhe një imazh të mrekullueshëm të arkeologjisë shqiptare, aq sa një arkeolog i huaj (Garashinin) pati thënë se “Arkeologjia shqiptare hyri nga dera e madhe në arkeologjinë botërore”. Duhet theksuar se, kur arkeologët e parë firmosën lindjen dhe zhvillimin e arkeologjisë shqiptare, identiteti i Shqipërisë thuajse nuk njihej, ndërsa gjeneza shqiptare ishte pothuajse e mjegullt.
Me kalimin e viteve, me zgjerimin e hartës së gërmimeve, sektori i arkeologjisë u shtua me arkeologë të rinj, si Aleksandra Mano, Dhimosten Budina, Hëna Spahiu, Zhaneta Andrea, Muzafer Korkuti, Beb Jubani, Neritan Ceka, Faik Drini etj., të cilët i dhanë një shtytje më të madhe zbulimeve dhe studimeve arkeologjike shqiptare.
Tashmë arkeologjia shqiptare kishte krijuar reputacionin e saj dhe përballej me sukses në arenën ndërkombëtare. Ajo ishte vendosur në ballë të shkencave albanologjike. Në vitin 1972 u zhvillua në Tiranë Kuvendi I i Studimeve Ilire dhe 13 vjet më vonë, në vitin 1985, u zhvillua Kuvendi II i studimeve ilire. U botua revista shkencore “Iliria”, që dilte dy herë në vit, në të cilën u shpalosën rezultatet shkencore të zbulimeve arkeologjike.
Është fakt se regjimi komunist, për shkak edhe të propagandës ideologjike, i përkrahu zbulimet arkeologjike. Shteti i atëhershëm i pati stimuluar, si gërmimet, por edhe botimet dhe nuk i pati kursyer fondet për arkeologjinë. Në fillim të viteve ‘80 pati një zgjerim të madh të gërmimeve arkeologjike, të cilat u shtrinë gati në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kjo solli edhe një fluks të madh të punonjësve të rinj arkeologë. Në fund të viteve ‘80 numëroheshin rreth 120 punonjës shkencorë, ndihmës shkencorë dhe specialistë të tjerë. U krijuan qendra të reja arkeologjike në rrethe, të cilat u quajtën Bërthama Arkeologjike, që u shtrinë në disa qytete të vendit, si në Shkodër, Kukës, Peshkopi, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier dhe Sarandë. Pranë Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike organizoheshin mbi 30 ekspedita arkeologjike në vit.
Gjatë këtyre viteve u ngritën edhe muzetë e profilit arkeologjik. Veç pavionit arkeologjik në Muzeun Historik Kombëtar (1981), u hapën 5 muze arkeologjikë, si në Tiranë, Durrës, Korçë, Apolloni dhe Butrint, të cilët ruajnë objekte me vlera unike. Ato, së bashku me qendrat arkeologjike të vizitueshme, si Lisusi, Durrësi, Apollonia, Bylisi, Antigonea, Butrinti etj. vizitoheshin nga mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë dhe të huaj.
Ndonëse arkeologjia shqiptare ishte në majat dhe në pararojë të shkencave albanologjike, arkeologjia si institucion dhe arkeologët shiheshin si punonjës të dorës së dytë, në krahasim me kolegët e tyre të historisë, gjuhësisë, folklorit etj. Që me krijim e Institutit të Shkencave, ishin krijuar edhe institutet e historisë, gjuhësisë, folklorit etj., kurse arkeologjia i ishte atashuar si sektor (sektori i arkeologjisë dhe etnografisë) Institutit të Historisë. Edhe pas krijimit të Akademisë së Shkencave në vitin 1972, arkeologjia mbeti përsëri e mënjanuar dhe aneks i Institutit të Historisë. Vetëm në vitin 1976 arkeologjia u organizua si institucion më vete, por vetëm si qendër (Qendra e Kërkimeve Arkeologjike). Do të ishte viti 1991 kur, me iniciativën e prof. Neritan Cekës, atëkohë politikan i lartë dhe deputet, u krijua Instituti i Arkeologjisë. Përse ishte krijuar ky handikap për arkeologjinë shqiptare, e cila vijon të jetë e tillë edhe sot e kësaj dite?! Në vijim do të përpiqemi t’i përgjigjemi kësaj pyetje, gjithnjë sipas pikëpamjes sonë. Arsyeja kryesore, sipas nesh, është se arkeologjia si shkencë historike, merret me vetëm me historinë e lashtë të Shqipërisë dhe nuk merrej me “bëmat” e “trimëritë” e politikanëve dhe familjarëve të tyre. Është për këtë arsye që, për mbi 60 vjet, nuk u pranua asnjë arkeolog shqiptar si anëtar i Akademisë së Shkenca, kur gati gjysma e saj ishte dhe është e mbushur me historianë.
Periudha e pas viteve ’90 përbën një etapë të re për arkeologjinë shqiptare, atë të hapjes, ballafaqimit dhe bashkëpunimit me arkeologjinë e huaj. Arkeologët shqiptarë dëshmuan se ishin në një nivel profesional me kolegët e tyre perëndimorë. Por vitet ’90 sollën edhe rrjedhjen kuadrit specialist jashtë vendit, të cilët u larguan për një jetë më të mire. Pjesa më e madhe e arkeologëve të rinj, që ishin për specializim jashtë, nuk u kthyen më. Megjithatë, falë pasionit dhe punës vetëmohuesve të pjesës së mbetur të arkeologëve, arkeologjia shqiptare i mbijetoi sfidave dhe vështirësive të mëdha të periudhës së rëndë dhe të gjatë të tranzicionit. Shkurtimet e njëpasnjëshme që ndërmorën qeveritë shqiptare gjatë këtyre viteve sollën edhe një rrudhje të stafit që merreshin me arkeologji, por u arrit që të ruhej struktura e institucionit, gjë që i siguroi edhe një mbarëvajtje normale të punës kërkimore e shkencore.
Katastrofa më e madhe ndodhi në arkeologjinë shqiptare pas “reformës” së tre viteve të fundit. Institutet e studimeve albanologjike u shkrinë në një institucion të vetëm, që u quajt Qendra e Studimeve Albanologjike (QSA). Për të drejtuar këtë institucion u vendosën në krye të studimeve albanologjike njerëz pa asnjë reputacion në shkencat albanologjike, siç ishte, p. sh., z. Adrian Marashi, që u emërua drejtor i QSA-së. Z. Marashi kishte mbaruar studimet për gjuhë frënge dhe pati punuar në Institutin Kombëtar të Gjuhëve e Qytetërimeve Orientale në Paris (seksioni i Studimeve Shqiptare). Vendosja e një anonimi në krye të albanologjisë shqiptare çuditi jo pak studiuesit shqiptarë. Akademiku dhe arkeologu u mirënjohur, prof, dr. Muzafer Korkuti, do të shkruante rreth emërimit të Marashit, se “Unë nuk mund ta kuptoj këtë gjë, sepse kam parasysh se në krye të këtij Instituti ishte Aleks Buda, Prof. Stefanaq Pollo, atëherë si do të ulem unë me një të gjuhës frënge për kërkimet arkeologjike, apo për gjuhësinë?! Është jashtë çdo norme, është anomali. Ai mund të jetë i shkëlqyer aty, në fushën e tij. Ky drejtor nuk mund të gjykojë për fusha që nuk i njeh” (Gazeta “Metropol”).
Puna e parë që ndërmorën “reformatorët” ishte sulmi mbi Institutin e Arkeologjisë. Së pari ata “pushtuan” godinën e këtij instituti, për ta kthyer në ambiente të zyrave të QSA-së. Qendrës së Studimeve Arkeologjike i ishte ofruar një godinë, e cila ndodhej pranë dhe ngjitur me godinën e Akademisë së Shkencave. Drejtuesit e rinj të QSA-së nuk e pranuan godinën e re, pasi ajo ishte pak më e ulët se godina e Akademisë dhe ata s’mund të rrinin nën hijen e institucionit më të lartë shkencor të Shqipërisë. Drejtuesit e QSA-së i vunë syrin godinës së Institutit të Arkeologjisë dhe arritën të futen në atë institucion me ndihmën e ish ministrit Genc Pollo, i cili kishte qenë edhe vetë arkeolog. Nga 9 zyra që kishin arkeologët, drejtuesit e QSA kërkuan 6 ambiente për administratën e tyre, duke u lënë vetëm 2 zyra dhe dhomën e arkivit 23 punonjësve të arkeologjisë. Pas protestës së vendosur të arkeologëve, drejtuesit e QSA u tërhoqën përkohësisht. Në këtë periudhë, për gati tre muaj (janar, shkurt, mars 2008) nuk ishin paguar pagat e punonjësve të ish Akademisë së Shkencave dhe mbi kokat e tyre vërtitej si “shpata e Damokleut” pushimi nga puna. Ky presion bëri e efektin e tij. Drejtuesit e QSA, në bashkëpunim edhe me drejtoreshën e Institutit të Arkeologjisë, që ishte emëruar prej tyre, arritën që të “gllabëronin” 5 zyra të arkeologjisë. Zgjidhja “ideale” u gjet duke mbyllur Laboratorin e Restaurimit, Laboratorin Fotografik, Arkivin shkencor, Bibliotekën shkencore, kabinetin e skicografëve. Disa punonjës shkencorë u vendosën në sallën e Bibliotekës, kurse pjesa tjetër u “rrasën” në 4 zyra me nga 4 vetë. Me dhjetëra specialistë, si arkeologë, skicografë, preperatorë, topografë, restauratorë, arkivistë, fotografë, bibliotekarë etj., që kishin nga 10 deri 30 vjet që punonin në institut, u hodhën në rrugë. Nga 12 skicografë që kishte I. Arkeologjisë deri në fillim të viteve ‘90, para reformës mbetën vetëm 2 dhe aktualisht është vetëm 1 (një); nga 2 restauratorë që ishin në prag të reformës, aktualisht nuk ka asnjë; nga dy fotografë, tani nuk ka asnjë, nga një bibliotekar, tani nuk ka asnjë dhe nga një arkivist, tani nuk ka asnjë. Formalisht thuhet se mbyllja e këtyre sektorëve u bë për shkak të reformës, por në të vërtetë ato u mbyllën për të flakur nga puna specialistët. Sipas specialistëve të pezulluar, në disa raste drejtuesit e rinj të instituteve shkencore shfrytëzuan inatet personale dhe i flakën nga puna kolegët e tyre (?!). Mbyllja e Bibliotekës, Arkivit, Laboratorit të Restaurimit etj. u krye nga persona jo kompetentë dhe të pa aftë, që mbylljen e këtyre sektorëve e bënë duke u nisur nga motive joprofesionale, absurde dhe dashakeqe. Mbyllja e Bibliotekës, Arkivit dhe Laboratorit të Restaurimit në Institutin e Arkeologjisë është një veprim i nxituar e i pa studiuar, që do t’i sjellë një dëm të madh studimeve të arkeologjisë shqiptare.
Por vetëm në Institutin e Arkeologjisë ndodhi mbyllja e këtyre sektorëve, si për të kujtuar armiqësinë e vjetër që kanë për arkeologjinë shqiptare edhe pushtetarët tanë të rinj. Se, p. sh., në ish Institutin e Kulturës Popullore, që është pjesë e QSA, nuk u prekën strukturat e këtij institucioni. Në këtë institut akoma ekziston Laboratori i Restaurimit, Arkivi shkencor, Arkivi i Fototekës, i Filmotekës, i Fonotekës së bashku me punonjësit (specialistët) e tyre përkatës.
Është e pajustifikueshme që edhe sot, pas tre vjetësh nga mbyllja e këtyre sektorëve, akoma nuk është marrë asnjë masë konkrete për hapjen e Laboratorit të Restaurimit, Bibliotekës shkencore dhe Arkivit të Institutit të Arkeologjisë dhe rikthimin në punë të specialistëve të saj, në një kohë që nevojat dhe kërkesat për punën e specializuar nga ana e specialistëve teknikë ndihmës shkencorë, në ndihmë të studimeve shkencore në këtë Institut (të Arkeologjisë), janë shumë të mëdha. Gati në çdo mbledhje të Departamenteve, Këshillit Shkencor dhe në Analizat Vjetore të Institutit Arkeologjik, arkeologët e kanë ngritur me ngulm, bile edhe në prani të drejtuesve më të lartë të QSA-së, nevojën e domosdoshme që kanë për skicografë, topografë, restauratorë, për arkivin, bibliotekën etj. Për fat të keq, kërkesa e tyre vazhdon të bjerë në vesh të shurdhër, në një kohë që administrata e QSA-së vazhdon të fryhet çdo vit me punonjës të rinj, që mund të jenë të vlefshëm për çdo gjë, por jo për shkencat e albanologjisë.
Por rrënimi i arkeologjisë nuk mori fund me kaq. U hoqën dietat për arkeologët, u pakësuan në minimum fondet për kërkimet arkeologjike dhe, po për shkak të mungesës së fondeve, u pezulluan edhe botimet shkencore (nga dy botime që nxirrte ky institucion, revistat “Iliria” dhe “Kandavia”). Por oreksi për të mbyllur ambientet e arkeologjisë dhe kthimin e tyre për zyra nuk mori fund me kaq. Drejtuesit “reformatorë” të QSA i janë qepur edhe mbylljes së Muzeut Arkeologjik Kombëtar, i vetmi institucion mësimor-didaktik në Shqipëri, me vlera kulturore, historike dhe turistike, dhe kthimi i ambienteve të tij në zyra të reja të QSA-së (?!). Se si mund të arrihet në një absurditet të tillë, atë e dinë vetëm “reformuesit” e rinj.
Dihet që zbulimet dhe studimet arkeologjike janë shumë të rëndësishme për historinë dhe kulturën shqiptare. Si të tilla ato paraqesin një rëndësi shumë të madhe edhe në fushën turizmit kulturor. Është e pafalshme që edhe sot, pas tre vjetësh nga ajo që u quajt “reformë“, por që doli një fiasko, vijon të jetë po ajo situatë dhe në krye të QSA-së dhe të Institutit Arkeologjik janë po ata drejtues dështakë.
Problemet në fjalë nuk do të ekzistonin nëse arkeologjia do të ishte vërtet ndër prioritetet e qeverisë, sikundër tha kryeministri Berisha gjatë vizitës që bëri verën e kaluar në Muzeun Arkeologjik. Probleme të tilla nuk do të kishin ekzistuar nëse reforma shkencore do të kryhej me seriozitet dhe kompetencë. Është për të ardhur keq që as në sistemin që u quajt “i mefshtë” i Akademisë së Shkencave, para se kjo e fundit të shkrihej, nuk kishim të bënim me kësisoj ngërçesh. Për këtë problem shumë organe shtypi dhe gazeta e ka ngritur disa herë zërin, duke denoncuar situatën dhe duke u rënë kambanave të alarmit. Por gjithçka është në vesh të shurdhër! Edhe sa kohë do të zgjasë e gjitha kjo? Po pasojat për dëmet dhe humbjet shkencore kush vallë do t’i marrë përsipër?
Comments are closed.
Sa fatkeqesi eshte per Shqipetaret te cilet po humbin cdo gje kane.
Mire beni qe shkruani, por keto qe jane ne Qeveri nuk duan tja dine se cfare behet ne kete vend.
Akoma nuk e kuptoni qe keto nuk kane as pergjegjesi, as turp, as frike jane te paguar te prishin e te shkaterrojne. Me e keqja eshte se ne do i leme brezave te ardhshem nje grope te zeze, mjere ato si do ta rregullojne. Keto hibride qe na drejtojne sot duan para dhe vetem para. Ky sistem duhet cmontuar, shkulur menjehere sa nuk eshte vone, sdo minute qe kalon vetem shkaterrime shaktojne……
Shkaterimi dhe mbyllja e muzeve dhe i Institutit te Arkeologjise eshte nje atentat qe i behet kombit shqiptar si ne drejtim te identitetit, kultures,turizmit etj.E kuptojme mentalitetin e nje shpellari (realisht nuk i veme faj se nga shpellat vjen ), e te mos harojme dhe veprimet e vazhdueshme antikombetare. Po ndihem keq kur intelktuale qe kane dhene shume per arkeologjine e kane braktisur ate dhe te joshur nga politika dhe pushteti qofte majtas apo djathtas me indiferencen e tyre kane lejuar te shkatorohet kjo pasuri kombetare. Po thesi i shqiptareve nuk ka vetem nje vrime .. ke te mbyllesh me pare. Por ndoshta ose sigurisht po te qerojme saliun mund te filloje mbaresia.
E nderuara Lisiana Shkaterrimi i Institut te Arkeologjise dhe i pjeseve perberese te tije nuk erdhi rastesishte, nuk ka ndodhur gabimishte. Askujte te mos i shkoj ndermend se SALIVIC BERISHOPULLIS i ndodhin rastesira. Ato jane pjesa e parafundit e shkaterrimit total te Shqiptarise dhe Shqiperise. SALI SHPELLARI ko programe te qarta antikombetare pjese aktive te programeve serbo-greke per shfarosjen e cdo lloj krenarie kombetare Shqiptare qe e keqja me e madhe e saj eshte se ky truall perban pasuri te papara te nje qyteterimi te lashte. qe ky popull jo vetem u rezistoj qyteterimeve me te medha te historise boterore si ai grek, romak, bizantine. Jane me dhjetra heronje te ketyre qyteterimeve qe ishin te paster Ilir. Serbise dhe greqise nuk u intereson nje qyteterim rezistues Ilir qe keta shkencetar te vertete pasqyrojne me studimet dhe punimet e tyre. SHPELLARI DHE SHPELLARET QE E MBESHTESIN nuk munde te arrinin ne perfundimin se shqiptaret duhet te zgjedhin kombesin qe duan ose kane deshirete kene. Institutet apo Akademia eShkencave do ti kerkonte hesap prandaj dhe shkaterrimi i tyre erdhi para rregjistrimit te popullsise. A mos eshte cudi e nderuara LISIANA qe deri tani asnje institucion i ashtequajtur shkencor apo albanologjik nuk ka dale me asnje lloj mendimi per ceshtje te tilla qe jane vertet alarmante per profilin e punes se tyre. Nje arkeolog apo historian me nje gure do bej histori me nje kocke do gjeje nje popull me shkencen e sotme. Shpellarve nuk u nevojiten keto por BOLLANOT qe po bollanosin nje kombe te tere ne menyren me te vrazhde dhe te pa degjuar ndonjehere.