Duke guxuar që të interpretojmë sociologjistin e shquar Devorah Kalekin-Fishman do të mund të themi se edhe termi ankth-ankthe, i vendosur në lëmin e politikës, lidhet ngushtë me kushtet objektive të një vendi, me ndjenjat subjektive të një populli dhe me orientimet që politika e po atij vendi jep me qëllim që të çkurajojë pjesëmarrjen. Që të çkurajojnë individin apo grupe individësh të marin pjesë aktivisht në jetën politiko-shoqërore të vendit të tyre. Nga ky këndvështrim, me kaq shumë ankthe të cilat enden në liri, nëpër qytetet e fshatrat e vendit tonë, është e pashmangshme që disa prej tyre të mos kapen e të mos sillen përpara gjykatës, me qëllimin për të vendosur drejtësinë. U kap, një prej tyre, ai që do të gjykohet sot, është ankthi i fletëve të votimit të hedhura me përgjegjësi vetjake qytetare, në 8 maj 2011, në kutinë e gabuar, pra, jo në atë për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Ky është identiteti i ankthit. Përderisa ankthi ka identitet ai tashmë ekziston objektivisht, pra pavarësisht nga ndërgjegjja jonë. Po kush e lindi ankthin? E krijoi, me duart dhe mendjen e saj, vetë KQZ-ja e republikës sonë. Dhe pasi e sajoi na e la në dorë, që ne të hamë kokat e njëri-tjetrit, të cilat koka, sot pas 20 vjetësh pa diktaturë, mezi ja kemi dalë që ti mësojmë sesi të jetojnë në paqe e të bashkuara. Sidoqoftë. Tani, kur jemi përpara faktit të kryer, të gjithë po shtyhen të dinë se cila do të mund të ishte përgjigjja e pyetjes: si bëhet e mundur që të gjykohet ankthi? Zotëri. Ankthet janë ndjenja të cilat nuk duan t’ia dinë për ligjet, pra, ato nuk kanë kurrfarë respekti për kufinjtë. Megjithatë. Dijeni. Pasojat që ankthet sjellin i fyejnë ndjenjat e të gjithë shqiptarëve. E për këtë përgjegjësia në fund të fundit duhet që të jetë globale, pra e të gjithë shqiptarëve kudo në botë. Për ankthet, një gjykatë kombëtare ose kolegj zgjedhor është themeluar në Tiranë. Mendjet më solemne të mendimit gjyqësor janë mbledhur së toku që të shprehin keqardhje, që të dokumentojnë, dhe që të gjykojnë lidhur me arrestimin e ankthit në fjalë. Sigurisht, dihet që ankthet në natyrën e tyre janë përgjithësisht të brishta. E kjo gjë pranohet në parim. Por në rastin tonë, kur dobësia, ky tipar përshkues i ankthit, i bie për hise veçse opozitës këtu lindin mosbesime. Dhe, nga ana tjetër, kemi një ankth të shëndetshëm, ai pozitar, që ndërmerr interpretime fletësh të fshehta votimi. Një ankth ky i cili nuk ka kohë për të humbur me një trup gjykues. Sepse ankthi i pozitës është i zënë me punët e hallet e popullit. Deri në grykë i zënë. Vetëm se: kur qeveria që e përkrah rrëzohet edhe ankthi dobësohet mjaftueshmërisht, aq sa që mund të shoqërohet për në qelën e izolimit edhe nga një polic i thjeshtë. Gjithsesi, kudo që ankthi të jetë, ka bërë aksident apo është marrë nën mbrojtje, ndëshkimi do të jetë i ashpër. Gjykimi kërkon që të shpenzohet një kohë e gjatë. Dëshmitarët janë mbledhur. Dhunuesve u është dhënë imunitet kështu që ata munden që t’i realtojnë bëmat e tyre me detaje nga më të pështirat. Është e mundur që një apo dy gjyqtarë të shfaqin edhe ngjasime të forta me të pandehurit. Është e mundur që edhe ata në ditët e tyre të kenë nëpërkëmbur shumë njerëz të pafajshëm. E për këtë shkak është e mundur gjithashtu që një leverdi joemocionale në karrierën e tyre të mbushë cilindo shqiptar me krupë dhe urrejtje. Dikush, në vijim, mund të pyesë: po ata gjykatësit në vetjet e tyre a’ nuk janë ankthe – jo aspak. Gjithçka që ata bëjnë është saktësisht ligjore. Sepse arsyeja fle. Sepse: gjithçka është e drejtë, për aq kohë sa e drejta bëhet nga qeveria në fuqi.