Veçanërisht këto ditët e fundit, me një lehtësi të padurueshme po rishfaqen tezat për “ndarjen e Kosovës”, “ripërkufizimin etnik”, “marrëveshje historike mes serbëve dhe shqiptarëve” etj., në njërën anë, dhe “bashkimi kombëtar”, “Shqipëri etnike” etj., nga ana tjetër. Janë këto teza burgu identitar që prodhojnë zhurmë, ndërkaq që përdoren për konsum të brendshëm politik, në suaza të luftës për pushtet, në dy shtetet përkatëse që mëtojnë ta fshehin mjerimin ekonomik dhe kulturor e social, të dy shoqërive të zëna pengje brenda kontekstit të armiqësive historike, ato megjithatë shterin energjitë qytetare, përçajnë kombin dhe ndjellin katastrofa të reja.
Kosova prosperuese ekonomikisht nuk ka nevojë as për ndarje, as riorganizim territorial, as për bashkim kombëtar dhe as ridefinim kufijsh dhe më së paku për “modelin e Ischingerit” (model fantazmagorik që motivohet nga raportet mes dy Gjermanive gjatë luftës së ftohtë e që presupozon riintegrimin, pra bashkimin e Kosovës me Serbinë!?) Kosova ka nevojë për zgjidhje demokratike, joterritoriale (çterritorializim) dhe ky është çelësi i suksesit.
Kosova së këndejmi ka nevojë për bashkim kombëtar brenda hartës së vet shtetërore dhe asaj shpirtërore. Ajo ka nevojë për bashkim mes kosovarëve rreth idesë së shtetit ligjor.
Kosova e ndarë në pjesën që administrohet nga Prishtina zyrtare dhe në pjesën veriore të administruar nga Beogradi dhe e përçarë nga brenda, në rajone dhe enklava, me një trup politik të sëmurë, me partizanë po ashtu të ndarë e barrikaduar, sot ka nevojë për integrim kombëtar të pjesëve partikulare të vetvetes, për ta ruajtur shtetin kosovar, kohezionin kombëtar dhe legjitimitetin vertikal e horizontal të pushtetit si një shoqëri politike.
Kosova nuk mund të shpenzojë energji të pakufishme për ide revolucionare, për bashkim me Shqipërinë (shqiptarët) ose me Serbinë (serbët), ose për ndërrime territoresh dhe tregime të ngjashme, të cilat të vetmin destinacion e kanë shndërrimin e qytetarit në instrument pushteti qoftë edhe me mallkimin e refugjatit.
Nëse ligjërisht (sipas parimeve kombkrijuese mbi të cilat është çliruar dhe pavarësuar Kosova) si bashkimi ashtu edhe ndarja janë dy nga tre parimet e panegociueshme të Grupit të Kontaktit, atëherë kujt po i shërbejnë “zgjidhjet territoriale”?
Ra ky mort e u pamë, është titulli i librit për Kosovën të Ismail Kadaresë.
Dhe sërish ky fatalitet dhe mallkim na vjen e merr zë (me fjalë ikonike) pikërisht në mort, në përkujtime familjare dhe kombëtare, për të rënët dhe për viktimat e luftës.
Atje ku fjala peshon rëndë.
Kështu ndodhi në disa raste, këtyre ditëve, kur ish-politikanë pa vizion dhe që kanë heshtur si peshku kur kanë qenë zotërues pushteti, tashti hallakatin plagët e kosovarëve, (Alfred Mojsiu) me ide të mëdha romantike për shtetet e mëdha etnike për Kosovën si “krahinë të Shqipërisë”, njëjtë siç pretendon politika serbe në vazhdimësi, që nga viti fatal 1913, që t’i trajtojë ata me mallkimin historik: “Krahina jugore e Serbisë.”
Këta ‘brejtës” të pavarësisë së Kosovës, kombin e trajtojnë vetëm si prononcim politik, pa e ditur vërtet se ç’është kombi dhe cili është ai ligj që e mban atë të gjallë sot dhe të bashkuar nesër, si “njësi e rritur”, të aftë të hyjë në marrëdhënie me kombet e tjera dhe ta administrojë drejt shtetin që e ka në pronësi, duke i ndarë po ashtu drejt edhe resurset nacionale mes shtetasve?
Në anën tjetër, viktimat, të vdekur e të gjallë, ende nuk kanë gjetur prehje.
Kosova nuk ua ka dhënë ende të vdekurve një varr me nishan e pietet e të gjallëve dinjitet dhe përkujdesje ligjore. Shteti kosovar dymbëdhjetë vjet pas luftës, nuk arriti t’i rehatojë dhjetëra mija ish- të burgosur politikë në ish- Jugosllavi dhe Serbi, viktimat e torturës dhe kampeve të përqendrimit, gjatë dhe pas luftës së fundit, posaçërisht viktimat e egërsisë që e kishte shndërruar Burgun e Dubravës në kasaphanë, por edhe të tjerët.
Këtyre njerëzve shteti u ka mbetur shumë borxh, sepse ata ishin dhe janë trefish viktima.
Së pari, si të persekutuar e të dënuar si veprimtarë politikë dhe së dyti si të jashtëligjshëm, (në hapësira për jetë të zhveshur) dhe së treti pa status shoqëror në shtetin e ri.
Pos ish-të përndjekurve politikë përgjatë gjysmë shekulli nën ish- Jugosllavi, duhet kujtuar në këtë rast të izoluarit gjatë viteve ’90 dhe pengjet e luftës më 1999, pra njerëzit e zhvendosur nga politika në biopolitikë.
Së pari duhet nxjerrë ligje që integrojnë në komb këto kategori shoqërore, të lëna pa kurrfarë mbrojtjeje institucionale, e pastaj të mendohet për kategoritë e tjera, të papunët, të pastrehët, invalidët e punës, diasporën, e deri tek pakicat etnike që jetojnë në Kosovë, e që e përbëjnë kombin që mbështetet në ligj, por që vazhdojnë të jenë larg vëmendjes së pushtetit. Prandaj Kosova ka nevojë për bashkim kombëtar, ama brenda trupit dhe konstitucionit shpirtëror të saj, për t’u ngritur në komb kushtetues, (ligjor) sipas konceptit modern të miqësisë qytetare.
Secila nga idetë e dhëna territoriale për pjesën veriore të Kosovës, por edhe idetë për kombin e shumicës dhe pakicës, në fakt do ta shtynin Kosovën drejt qiprizimit, ndërsa Evropën e implikuar në çështjen kosovare drejt ballkanizimit. Nëse Kosova mbetet e paintegruar kombëtarisht, Perëndimi do të insistojë që në Kosovën e pavarur (me veriun “e ngrirë”) të implementohet pakoja e Ahtisaarit, pra të mbrohen pakicat serbe në enklavat brenda Kosovës; nuk do ta inkurajonte asnjë lëvizje separatiste në Luginën e Preshevës dhe as që do të diskutonte për ndarjen e Maqedonisë, ndërsa shoqëria kosovare do ta paguante çmimin e izolimit dhe mjerimit ekonomik.
Pjesa veriore e Kosovës duhet të pranohet se është çështje, por duhet po ashtu të pranohet se në Ballkanin Perëndimor zgjidhjet territoriale i përkasin së kaluarës fatale.
Kuptimi i historisë së modernizmit nuk është progresi drejt një përkryerjeje finale të karakterizuar nga plotënia, nga transparenca gjithëpërfshirëse, nga prania përfundimisht e realizuar e qenies së njeriut dhe botës.
Çka do të thotë kjo për aktualitetin politik dhe historik të Kosovës në raport me rrethanat dhe koniunkturat globale dhe veçanërisht atyre evropiane? Shteti i Kosovës, si asnjë shtet tjetër nuk do të mund që t’ia përputhë kufijtë e shtetit kufijve etnikë ose gjuhësorë e gjeografikë, pra shteti kosovar nuk do të jetë së këndejmi i përkryer dhe në plotëni, sepse asnjë shtet (lëre më shteti i ri) nuk e ka arritur përsosmërinë.
Shteti i Kosovës duhet t’ua bëjë jetën të durueshme qytetarëve të saj.
Kosova nuk duhet të ndalet në këtë mësymje, por ajo duhet të heqë dorë nga zgjidhjet e plota, përfundimtare, të përkryera, utopike.
Duket se megjithatë Evropa e re, që po konstituohet përditë në terren, po i kushton vëmendje të madhe fjalës së tjetrit.
E kosovarët ku janë në këtë vëmendje?
Mos janë ata duke e perceptuar fuqinë e tyre si motor të lëvizjes së historisë në të vetmin kah – drejt mësymjes së tyre? Drejt zgjidhjeve përfundimtare?
Në këtë kontekst Giorgio Agamben vëren se Evropa do të mund të mendohej si një hapësirë mos-territoriale ose ekstra-territoriale, në të cilën të gjithë banuesit e shteteve evropiane të kishin një status të qytetarit në të qenit në mërgim, por jo të zhvendosshëm, sipas ligjeve “të egra” që kanë sot shumë vende evropiane për refugjatët. Shkurt e shqip, ideja e Agambenit konsiston në atë se hapësira evropiane nuk duhet të përkojë tutje me asnjë territor kombëtar homogjen, por do të vepronte mbi ta duke i vrimëzuar territoret, duke i nxitur qytetet territoriale të sotshme të hyjnë në raporte ekstra-territorialiteti të ndërsjellë. Në këtë kontekst, “vrimëzimi” territorial dhe eks-territorializimi i ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, që në thelbin e vet “i krijon” Pakoja e Ahtisaarit, duke i paraprirë idesë së krijimit të “Strasbourgëve” të këtyre dy shteteve, në Preshevë dhe Mitrovicë.
“Vrimat” që dikush i cilëson si zgjidhje enklavizuese, e që e thyejnë integritetin e shtetit dhe kohezionin e kombit, i quaj zgjidhje (est)etike. Vetë ideja e Evropës e ka bazën në standardin e çterritorializimit, (Schengeni) e pse të frikësohen kosovarët?
Aktualisht bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit po zhvillohen sipas agjendave të Brukselit dhe jo të palëve që kanë një kontest për ta zgjidhur dhe kjo ndoshta është e mira e këtij tregimi.
Çka ka këtu për shqetësim?
Asgjë pos kulturës së sekretit, primesë kjo që po i karakterizon bisedimet (madje duke i cilësuar “sekret shtetëror”, e duke ia mohuar qasjen në rrjedhën e tyre edhe presidentes kushtetuese të vendit.)
Kombi ngjizet dhe vazhdon jetën, jo në simbole grabitçare e mite për kalorës mesjetarë, por në mirëqenie, solidarësi dhe miqësi qytetare.
Kosova nuk integrohet pa bashkimin e kosovarëve!
o matosheviq mos llomotit se ske haber pos me llomotit
Eshte H. matoshi ai qe vitin e kaluar ofendoi aq rende nje gazetare ne aeroportin e Prishtines, apo ka qene ndonje tjeter?. Nuk e dij, sidoqofte, eshte gjynah qe keto lloj surratesh te marrin honorare per ato qe shkruajne, por per fat te mire, nuk i lexon njeri.
Po me c’fare do prosperoje Kosova o Matush?Mos ndoshta me domate, apo me kumpira?Bashkimi me Shqiperine eshte e vetmja zgjidhje logjike sido qe ta shikosh problemin.Mbi dhjete vjet ka Serbia qe eshte larguar nga Kosova.Ku eshte prosperiteti?Apo mos duhet pritur edhe 100 vjet te tjera?
Bashkimi ben fuqine,dhe kur sot flitet per europiane te bashkuar,perse te mos flitet per shqiptare te bashkuar.Apo ju nuk mendoni se “kosovaret” jane shqiptare?