Nderi i humbur i votës

31 Maj 2011, 21:23Blog TEMA

Nga Dardan Braun

“Vota është vetjake, e lirë, e barabartë dhe e fshehtë”, thotë Kushtetuta. E kërkojne edhe standartet, e kerkon edhe besimi. Kur s’është kështu, prodhohet skarcitet, besimi nuk ndjehet mirë. Megjithatë, “këto janë zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë në Shqipëri”. Edhe me këtë dakort, sidomos kur na e thonë të huajt.  Dhe ne jemi të prirur të besojmë.

Komisioni zhvilloi live procesin e numërimit, ankimimit, kontestimit, prapësimit, konfirmimit. Sa e sa argumente dhe kundërargumente u hodhën e u ngritën në eter. Sytë katër aty. Gjithë dynjaja aty. Të sigurtë për profesionalizmin e tyre, juristët zhvilluan luftën për të cilën palët i kishin angazhuar. Komisioni vendosi. Siç duhej apo siç mundej, kjo nuk dihet. Siç ia urdhëroi bindja e brendshme apo detyrimi i jashtëm, edhe kjo mbetet pa përgjigje. Në fakt, nëse doni fakte, me më shumë se sa një përgjigje. Edhe me këte dakort, pavaresisht se na e thonë të huajt. Ne përsëri besojmë siç na e ka ënda.

Sytë ndalen tek loja “vota dhe votuesi”. Njëlloj si tek kali dhe shala. Çdo kalë ka të drejtën e një shale, pavarësisht se dikush ia vendos përsëmbari, dikush përsëprapthi. Më pas vjen “finish line”. Këtë e kaluam dhe domosdoshmërisht e besojmë të gjithë, sidomos kur na e thanë të huajt. Përpos të tjerash, ka dhe një rekord, pasi finishi është kaluar edhe së prapthi, njëlloj sikurse fëmija i lindur potalik. Një operacion tashmë e kish nxjerrë në dritë, duke injoruar a kursyer dhimbjet e lindjes natyrale. Shumë gjak, por lehona nuk kish ndjerë gjë. E kur nuk kish ndjerë, nuk kish as se si të reagonte gjithësesi.

Gjërat po shkonin fjollë, ajo në shtrat, e detyruar sakaq të mos tentonte të lindte përsëri, pa kaluar aq e kaq kohë. Le të ishte në fazë tranzicioni, gjersa të mësohej disi me rregullat e planifikimit familjar. Qejflije e madhe ajo. Edhe u kujtua të lindte vonë, edhe ia kërkonte barku të pillte shumë fëmijë. Besueshmeria na donte pluralitet. Për më tepër, pretendonte edhe të kish qenë e virgjër pas 50 vjetësh, kur gjatë kësaj kohe, vetes i kish punuar qindin. Njëlloj si republika jonë demokratike. Donte edhe që njerëzia t’i besonte. Përbetohej për këtë, duke ia mbushur mendjen vetes se kish qenë vërtetë e tillë, dhe shumëlindshmërinë e kishte një objektiv të panegociueshem për t’u integruar në familjen e “nënave me shumë fëmijë”. Donte t’i ngjante edhe Evropës plakë. Thashë “plakë”, vetëm kaq, jo ashtu si mendon ti. Ashtu besonte, por askush nuk kish besim.

Thoshin se demokracia qenkësh procedurë. Sistemi ynë e kishte të garantuar ankimimin. Procedura parathoshte se një Komision do i nënshtrohej një Kolegji. Që të dy cilësoheshin “zgjedhorë”. U thoshte gjë mbiemri? A kishin dëshmuar ndonjë konflikt interesash a lidhje farefisi a politike me sho-shoqin? Jo. Ashtu besonte, por askush nuk kish besim.

Loja përsëri tek faktet, vota, votuesi, votimi, numërimi, ankimimi, prapësimi, konformimi, mirëbesimi, keqbesimi. Besim ia thonin faktorit. Faktori dhe fakti ishin bërë njësh, por fakti nuk dallohej gjëkundi. Besueshmëria  pretendonte ende virgjërinë. Besimi i pohonte të kundërtën, por ajo përsëri këmbëngulte “për mungesë faktesh”. Besimi kish qenë vetë faktori megjithë fakt. Por faktin nuk e kish parë as vetë. As të vetin jo, e jo më factin e të tjerëve. Besimi ish treguar mendjehapur dhe ishte dhene fillimisht pa kushte, i mirë apo i keq të kish qenë. Besueshmërisë nuk i mjaftonte. Ishte tejet egoiste dhe, po t’i mohoje virgjërinë, të vriste. Jeta e saj kishte qenë njëlloj si vota, “vetjake, e lirë, e barabartë dhe e fshehtë”. Vetë ndershmëria e sanksionuar në një kushtetutë referendare.

Por fatkeqësia i kish ndodhur para Kushtetutës, prandaj nuk quhej. Herën e parë e kishin përdhunuar në Maj të motit 1996. Ej, ishim në shekullin XX, tani jemi në XXI, kupton? Për më tepër, kishin qenë të panjohur dhe me uniforma. Në fakt, nuk se ia kishin marrë me vete. Ndershmërinë në vend e kishte, me një fjalë “vetjake”. Herën e dytë e kishin marrë me qira, por jo me zor, vetë kish pranuar para noterit me

vullnetin e saj të lirë, duke qenë dhe vazhduar të ishte “e lirë”, njëlloj si ndonjë garazh a lavazh i braktisur. Herën e tretë kishin zgjedhur një tjetër në vend të saj, por kjo, ndonëse ish ndjerë disi e lënë mënjanë, nuk kish qenë e vetme. Sa e sa kishte si ajo, mes të cilave kish plot arsye të ndihej “e barabartë”. A mund të ankohej për diskriminim? Pastaj, se mos e kishte parë njeri! A kishin fakte? Jo. Askush nuk e kish shqetësuar në privatësinë e saj, në shenjtërinë e saj. Ajo vërtetë kish qenë dhe vazhdonte të ish “e fshehtë”.

Besueshmëria përsëri e pakënaqur. E pamjaftueshme me të gjithë faktorët që e realizonin, ajo nuk kish arritur të kenaqej e të kënaqte asnjë prej atyre, të cilëve u ish dhënë pa duar në 20 vjet liri-demokraci. Njëlloj sikur Evropa, me të vetmin ndryshim, se dama plakë tanimë ishte zonjë. E rëndë dhe rëndshëm fare madje. Ajo kish kaluar edhe kohërat e gejshave. Bijtë e saj na ishin zotërinj e kaluar zotërinjve tanimë. Askush nuk guxonte t’i thërriste si dikur, përveçse me ndonjë përkëdheli që i nxirrte akoma më të zgjuar. Kësaj tonës i kish ardhur radha vonë. Shumë vonë. As me shoqet e Ballkanit nuk arrinte të matej. Ça të bënte? T’i padiste armiqtë e virgjërisë së saj? Po kush do t’ia varte paskëtaj? Të qahesh a të mos qahesh, kjo është çështja. Ah ti besim që nuk je besim, por ngele keqbesim deri në asgjesim!

Prit, kishte ende shpresë. Operacioni i Komisionit e kish dërrmuar. Një njeri i vetëm në krye të tij kish qenë i pirë dhe e kish bërë fërtele. Shpresonte të qepej disi në Kolegj. Atje kishte shumë femra dhe, me hir të zotit, më pak të korruptuara, do të vinin dorën në zemër dhe t’i mbyllnin shtigjet e zhvirgjërimit të mëtejshëm. Tryeza e dasmës evropjane e kërkonte virgjëreshë. Të paktën të hiqej si e tillë. E pse të mos ishte, kur të gjitha i kishte. Besueshmëria jonë ishte njëlloj si vota, “vetjake, e lirë, e barabartë dhe e fshehtë”. Besimi le të bënte të tijën, ajo do të bënte të sajën. Por, nga huqi kurrë dorë nuk do të hiqte. Ky na ishte një zakon i lashtë, epik madje, dhe, në këto vise fillonte që me virgjërinë e motrës së Gjergj Elez Alisë. Natyrisht, përpara se t’i vinte syrin Bajlozi. Besimi ynë kish qenë gjithmonë pre e pushtet-bajlozit. Prandaj dhe nuk kish mundur të ruante nderin e besueshmërisë shqiptare, të humbur qysh para se të kish lindur vetë besa e shqiptarit, jo si rrota e panxharit.

2 komente në “Nderi i humbur i votës”

  1. syçelë says:

    dardaaaan, c’te ka gjetur a i zi?! fol mor i uruar shqip. dhe ndaje mendjen: o analist, o eseist, o fejtonist… se i ke bere çorbe! nejse, dicka morem vesh. je i zhgenjyer gjer ne veshë! s’ke faj. kjo politika s’la moral ne kembe pa thyer. po merre shtruar, vella. kujdes shendetin

  2. Bardhi says:

    Dardan, stili yt here me kenaq, here me duket sikur na e fut te gjitheve. Bravo, qe arrin te pasqyrosh te verteten e hidhur lakuriq, duke dhene idene me nje satire dhe autoironi sa artistike, aq edhe thumbuese per te gjithe ata qe na kane trullosur gjithe kete kohe me pallavra procedurash. Gjuhen e ke me shume kuptime, por te kuptueshme edhe per budallenjte, edhe shejtan budallenjte. Stili yt me duket shume i perpunuar. Vazhdo mik i panjohur se vertete godet ne shenje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje