Përballë pasqyrës së NATO
Ndërsa zgjedhjet presupozojnë kthjellimin e situatave politike, tek ne veçse përkeqësojnë më keq. ‘Zgjedhje me të mirat deri më sot’ mbeten konsiderata relative që varen nga referenca e janë maksimumi i lëvdatës perëndimore që përtej një komplimenti, është një kritikë ‘elegante’ për një vënd të NATO që dështon sistematikisht të respektojë votën edhe pas 20 vjet demokraci formale. Fiaskot elektorale me fushatat jo transparente e jo etike parazgjedhore, kaotizmin e amatorizmin e ditës së votimit, numërimin e ‘telekomanduar’, pështjellimin postzgjedhor e arbitraritetin e ‘levave’ të partisë, intimidimin e sistemit të drejtësisë me finale tensionimin e jetës së vëndit janë shëmti që pasqyra e NATO nuk i fsheh aspak. Deri në përmbushjen e standarteve perëndimore, mbetemi në ‘ujrat’ e tranzicionit dhe askujt nuk i lejohet, qeverisë të parës, të mburret e vetkreditohet politikisht.
Perëndimi me lupë në dorë
Sepse u zhgënjyen nga 2009, kësaj rradhe perëndimi me lupë në dorë, ‘preku’ vetë dhe imtësisht realitetin zgjedhor duke shmangur çdo lloj ‘telefoni të prishur’ me efekte në objektivitetin e çertifikimit final. Pa qënë surprizë, vlerësimet paraprake nuk janë inkurajuese. Zhgënjimi është evident ndaj dështimit të një vëndi NATO në mospërmbushjen e pritshmërive normale edhe pas investimit të jashtëzakonshëm dhe dorëzanisë së miqve anglo-saksonë në perspektivën e integrimit në BE. Përtej përjetimit dhe konsideratave tona, pozicioni perëndimor mbetet thelbësor për aq kohë sa aspirojmë të ndajmë me të vlera të përbashkëta të demokracisë dhe shtetit ligjor.
Kur dëgjojmë çfarë na pëlqen
Përpos dështimit elektoral dhe provokimit të predispozicionit perëndimor, politika shqiptare, pa kurrfarë përulësie ndaj elektoratit dhe respekti ndaj miqve perëndimorë, jo vetëm që nuk pranon ‘mëkatin’ me ndjesën përkatëse por intepreton sipas interesit mesazhet e perëndimit duke mos ndrequr por korracuar më tej qëndrimet absurde që pse janë të tilla provokojnë atë reagim perëndimor. Karshillëku i syresh politikanëve, përzjerë me doza butaforike servilizmi, shkon deri në arrogancën e ‘vënies’ në gojën e partnerëve të konsideratave që më tej serviren si alibi të rradhës duke bërë që politika e vjetër, nga promotore e emancipimit dhe progresit demokratik, të bëhet pengmarrëse e këtyre vlerave.
Butaforia e ditës së zgjedhjeve
Ndonse e konsideruar si realitet perëndimor, vetë dita e zgjedhjeve nuk i shpëtoi butaforisë dhe anormalitetit. Qetësia relative është progres por kjo nuk mjafton. Mjerisht ditën e votimit nuk ndjehemi perëndimor përderisa, në mungesë të sistemit online të verifikimit të kartave të identitetit dhe reflektimit në database zgjedhor, dinjiteti i votuesit cënohet si prej (a) paragjykimit përmes shënjimit të gishtit me bojë, (b) kartave të identitetit që nuk garantojnë eskluzivitet apo (c) kushtet e papërshtatshme deri dekurajim – distanca të largëta, ngjitje shkallësh apo formati vetëm verbal e pa simbole i fletës, për të ushtruar vullnetin zgjedhor për një seri kategorish delikate – pleqëria e thellë, romët, të verbërit, të sëmurët kronikë apo analfabetët.
‘Turisti’ votues
Një gangrenë konstante e subjektivitetit zgjedhor mbeten listat e votuesve. Opozita duke i dhënë ‘privilegjin e dyshimit’ pushtetit, pranoi të merrte pjesë në zgjedhje kur, përveçse kartave të identitetit ende jo on-line, vetë listat zgjedhore mbeten problematike për shkak të fluiditetit në to. Kushdo mund të bëhet banor i metropolit, qoftë dhe në prag të zgjedhjeve por ndërkohë duhet të ketë kritere për privilegjin për të votuar atje sepse një kontratë qeraja në ‘banesa’ anormale – garazhe, qilare, lavazhe, gërmadha të braktisura etj, nuk duhet të garantojë këtë gjë ndërkohë që edhe për banesa normale kontrata e qerasë duhet të mbështetet me dokumentacion përkatës të shërbimeve utilitare – ujë, drita, telefon apo banka për një periudhë të caktuar përpara zgjedhjeve në fjalë.
Kur drejtësia vendos për ‘fatin’ e saj
Sfida legale ndaj fatit të votës së lirë, sesa drejtësi për të, është sfida e gjyqësorit ndaj imazhit të vetvetes. Preçedentët nuk inkurajojnë besueshmëri e përsa kohë drejtësia nuk respekton vetveten do të endemi pafund në rrethin vicioz të ‘arbitraritetit politik që pjell më shumë arbitraritet politik’. Me një sistem efikas gjyqësor të pavarur prej politikës, zgjedhjet nuk do të riciklonin tensione pafund sepse do të dekurajohej abuzimi me to, sikurse asnjë opozitë nuk do të radikalizohej sepse çdo papërgjegjshmëri politike dhe qeveritare do të ndëshkohej në kohë sipas ligjit. Kjo nuk ka ndodhur dhe pushteti gjyqësor perceptohet si aneks i pushtetit politik duke u paragjykuar nga syresh në objektivitetin e verdiktit si mision i pamundur.
Drejtësia meriton ‘privilegjin e dyshimit’
Ndonse i paragjykuar, konsolidimi i gjyqësorit shkon përmes respektimit të verdiktit të tij, pavarësisht ndërhyrjes politike, për të krijuar një preçedent pozitiv për më tepër që rekomandohet prej miqve anglo-saksonë, që të zhveshur prej emocioneve, apelojnë për qetësi dhe përgjegjshmëri. Respekt nuk do të thotë dakortësi dhe pala e pakënaqur mund të konsiderojë si rrugë të tjera apelimi ashtu dhe rritjen e trysnisë politike dhe sensibilizimin e mëtejshëm për kauzën e saj. Nëse gjykatat paragjykohen, reformat në drejtësi duhet të jenë urgjente si për të garantuar objektivitetin e gjykimit ashtu edhe apelimin efikas shoqëruar me masat ndëshkuese në raste të abuzivizmit.
Përtej etiketës së NATO
Etiketa NATO në ‘ambalazhin’ e shoqërisë shqiptare duhet të pasohet me standarte sjelljeje po të tilla. Reagimet e palëve ndaj apelit për votën e 8 majit duhet të jenë kushtetuese. Pushteti, i paragjykuar për intimidim institucionesh e pushtetesh të pavarura, duhet të distancohet nga praktika të debatueshme dhe të mos riciklojë preçedentët e dikurshëm kur vetë në opozitë sfidonte drejtësinë e ‘kapur’ sipas saj, deri në komunikimin eskluziv vetëm me prokurorë të huaj apo personel ambasadash. Ndërkohë opozita, nëse beson se drejtësia merret peng, nuk duhet të radikalizohet në mosrespektim të atij vendimi por të fokusohet në mundësitë për sfidim legal të tij paralelisht me sensibilizimin politik të ‘kapjes’ së shtetit ndaj çdo protagonisti të përfolur, që i imunizuar prej ligjit, ende apelon për votën e qytetarit. Protesta opozitare duhet të jetë qytetare dhe paqësore duke sensibilizuar jo vetëm prokurorinë që të zbardhë afera e tragjedira me ndjeshmëri maksimale publike por dhe mbarë opinionin publik dhe miqtë tanë perëndimorë në fatin e një shoqërie që meriton drejtësi. Përkundrejt arbitraritetit të pushtetit, opozita është në të drejtën e radikalizimit për aq kohë sa ai mbetet paqësor dhe ligjor në emër të shmangjes së ‘boomerangut’ politik e afirmimit të shëmbullit për të ardhmen.
Pashmangshmëria e zgjidhjes politike
Nëse synimi maksimalist opozitar, pavarësisht verdiktit të kolegjit, mbetet zgjedhjet e parakohëshme, në kushtet kur perceptohet se puna e pushtetit lokal nuk ka ‘duk’ me një qeveri që nuk ka predispozicionin e bashkëpunimit, kjo domosdon paraprakisht reforma të shpejta e efikase në drejtësi e ligj zgjedhor. Nëse ekipi qeveritar aktual nuk gjeneron më besueshmëri tek opozita që më 8 maj priste të mos dëgjonte më klishenë e ‘zgjedhjeve më të mira se më parë’, alternativa e zgjedhjeve të parakohëshme do të ishin ato po sipas kalendarit por me një qeveri të përbashkët të ‘mirëbesimit’ apo rrokadë brënda mazhorancës pa praninë e emrave të lakuar si shpërfillës të të drejtave kushtetuese të opozitës.
Skenari minimalist për opozitën – riformatimi qeveritar, jo vetëm garanton vijueshmërinë e qeverisjes së mazhorancës në respekt të verdiktit formal të 2009, preçedentin e zgjedhjeve sipas kalendarit, por do të përbënte një shans për mazhorancën që të dëshmonte me vepra përgjegjshmërinë politike duke sanksionuar preçedentin e zgjidhjes politike për interesa superiore. Dorëheqja nuk duhet të jetë tabu qoftë për protagonistë afatgjatë të pranishëm në mënyrë të vazhdueshme në ulje-ngritjet e politikës pavarësisht rrokadës së palës përballë, ashtu dhe në funksion të pastrimit të imazhit të implikuar në çështje të ndjeshme publike.
Sfida e lobimit të perëndimit
Në funksion të progresit të kauzës së saj, opozita duhet të investohet në raporte më efikase me perëndimin në përgjithësi e botën anglo-saksone në veçanti si mentor direkt të progresit demokratik. Përballë dilemave e opsioneve të paqarta e duke rënë në rutinën e sindromës së ‘kusisë me presion’ – tolerimin e problemeve të brëndëshme për aq kohë sa nuk cënohen balanca gjeopolitike, perëndimi shpesh heziton përballë statukuosë, deri në kurriz të ngadalësimit të standartit demokratik. ‘Bastet’ vihen tek i ‘shpejti’ ndaj opozita për të marrë mbështetjen e tij duhet të dëshmojë partneritet real efikas si me kauzë ashtu dhe me vendosmëri e vullnet për reforma të shpejta dhe të thella demokratike përmes një ekipi gjithpërfshirës nga e majta tek e djathta moderne. Zgjedhjet nuk kanë përse të jenë një ‘mallkim’ për një shoqëri të etur për demokraci e shtet ligjor. Ndërsa ajo bën të sajën, roli i perëndimit në gjenerimin e shpresës e besimit ndaj votës së lirë dhe drejtësisë, sot mbetet më i mirëpritur se kurrë.