MPB e Maqedonisë, Prishtinën e sheh ende në Serbi

16 Qershor 2011, 11:09Rajoni TEMA

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) vazhdon me skandalet e keqpërdorimit të shtetësisë së Kosovës, edhe pas njohjes së këtij vendi fqinj. Në dokumentet e udhëtimit të lëshuar për qytetarët e Maqedonisë, të cilët janë të lindur në Kosovë, vazhdojnë të përdoren kodet shtetërore serbe për vendbanimet shqiptare të Kosovës.

Kështu një qytetar i Maqedonisë së fundi në agjencinë e lajmeve INA ka shfaqur shqetësimin dhe skandalin që ka bërë Ministria e Brendshme, duke shlyer qytetin e lindjes Prishtinën dhe kodin e Republikës së Kosovës, dhe në vend të saj duke shkruar kodin e Republikës së Serbisë.

“Si duket qëllimisht i bëjnë nëpunësit e policisë këto veprime, që nuk përkojnë me të vërtetën dhe realitetin. Ata po tregojnë se janë të ndikuar nga politika serbe, kundër Kosovës dhe assesi nuk pajtohen me të vërtetën. Edhe fëmija më i vogël, dhe çdokush në botë e di se Prishtina është kryeqendra e shtetit të Kosovës, mirëpo qëllimisht shlyhet dhe shteti përdoret si SRB-Srbija”, ka theksuar prindi i fëmijës së lindur në Prishtinë.

Në pasaportat e reja biometrike në grafën e vendlindjes shënohet vetëm kodi i shtetit dhe jo qyteti, andaj në të shumtën e rasteve bëhen skandale të qëllimshme.

Zyrtarë të Qeverisë së Maqedonisë kanë deklaruar se kohë më parë është shpërndarë një letër qarkore nëpër të gjitha institucionet për të evituar këto keqpërdorime dhe lëshime të bëra, dhe se, sipas tyre, rastet e tilla janë individuale, për të cilat duhet të ketë denoncime dhe të ndërmerren masat sanksionuese. (INA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje