Psikologjia e luftës, dizajni dhe mjetet piroteknike (piromaniake) po rishfaqen sërish pas njëzet vjetësh. Serbët në strategjinë e tyre luftarake fantazmogorike, sipas përvojës së Bosnjës, aplikojnë modelin e “tokës së djegur” (nga flakët dhe hiri le të dihet se këtu është Serbi!?), pavarësisht se sa jetë njerëzish do të shkatërrohen dhe çfarë dëmesh materiale do të shkaktohen. T’i hedhim një vështrim se si duket vendi “i shenjtë” serb gjatë braktisjes, se si mbetet hiri pas. Edhe humbjen klasike serbët e ritualizojnë, e mitizojnë, që ajo të veprojë si mit i qëndrueshmërisë dhe heroizmit të “popullit qiellor”…Sidoqoftë, në Gërbavicë s’kishte më serbë. Ata iknin “sa më larg turqve”! – siç i quanin serbët fqinjët e tyre të deridjeshëm. Por asgjë nuk bën të mbetet në duar të armikut.
TV kamerat e kanë kapur storien tek e bartnin çetnikët kambanarin e kishës së tyre të themeluar këtu në fillim të luftës (1992).
Ndërsa shtëpitë mbesin në flakë.
Gërbavica (lagje e Sarajevës) u kall flakë vetëm që të mos mbetet në duart e myslimanëve boshnjakë, u kall sepse u humb!
Aty ku kalon ushtria serbe mbetet hiri – thoshte këtu e shtatëdhjetë vjet më parë Dimitrie Tucoviqi.
Gërbavica në prag të hyrjes së forcave federale të Bosnjë-Hercegovinës u bë shkrumb. Një gazetar serb shkruante se megjithatë nuk ndizej aq sa dëshironin shumica nga ish-banorët e saj.
Një serb shikonte nga ajo anë e urës së Gërbavicës dhe thoshte:
“Nuk po kallet si duhet!?”
Në atë moment u dëgjuan eksplodime zinxhirore – ata i kishin minuar shtëpitë e tyre.
Atëherë serbi që shikonte “Sarajevën serbe” për të fundit herë vazhdoi me një disponim të dukshëm: “Mashalla, sikur më ndjeu!”
Ky rezonim piromanësh dëshmon se zjarri vërtet e ka fuqinë e tmerrshme “për kthim në pamjen parake”, madje edhe gjuha është infantile.
Ndërkaq vështrimin e zjarrit këta e kthejnë në ritual, herë bëjnë kryq e luten, herë qeshin me zë: “Mashalla!?”
Zjarri shërben si terapi ose shfrim për t’u qetësuar përkohësisht nga e keqja robëruese brenda gjeneve njerëzore.
Zjarri ka një efekt gjithëpërfshirës.
Regjisori sarajevas, Ademir Kenoviq, në janar 1994, thoshte edhe këtë: “Kam përshtypjen se jemi në katin e 19 të rrokaqiellit, ndërkaq zjarri po ndizet në katin e dytë, gjithnjë e më ashpër gjithnjë e më fort. (…)
Por, Bosnja nuk është një ishull – ky s’është Reikjaviku. Nuk do të jemi në gjendje që ta ndalim zjarrin që të depërtojë (përmes Ballkanit).
Gjithçka në Bosnjë përbënte paradigmën e ferrit.
Ndoshta diçka si kjo flakë do të lajmërohet në ndonjë vend tjetër, por është e pandalshme. Kur diku shpërthen, duhet të shpërthejë edhe gjetkë. (Në librin e M. Thompsonit “Prodhimi i luftës”)
Më shumë se njëzet vjet më pas (26 korrik, 2011) në pikën më neuralgjike të Evropës sot, në pjesën veriore të Kosovës ndodhi rikthimi i ‘flakëve dhe tymit”.
Portat doganore 1 dhe 31 “u morën” dhe “u braktisën” nga dy palë “ndërluftuese” brenda 48 orësh.
Ndonëse në momentin kur ministrja Mimoza Kusari-Lila propozoi vendimin për reciprocitet tregtar me Serbinë, është ditur se ky vendim duhet domosdo të mbështetet me mjete ligjore në terren. Kryeministri Thaçi dërgoi trupa atje.
Situatë e rrezikshme, por me mundësi kthese pozitive.
“Mes qyqarllëkut dhe dhunës, unë jam për dhunë”, deklaronte ideatori i aktivizmit paqësor Mahatma Gandhi, gjatë përplasjes me trupat britanike.
Por a ishte e gatshme Prishtina zyrtare për këtë hap, që të mos e pranonte qyqarllëkun dhe dinjitetin e nëpërkëmbur të një shoqërie e njëkohësisht ta përdorte dhunën racionalisht?
E para e punës që operacioni nuk prodhoi më shumë stabilitet, por më shumë rreziqe, është “fjetja” e gjatë e Prishtinës zyrtare për sa i përket bërjes politikë zgjuar rreth pjesës veriore të Kosovës; pastaj ia behu sëmundja e korrupsionit që po merrte përmasat e një epidemie, krimi i organizuar që prekte majat e pushtetit dhe që “e shtrinte” autoritetin e vet si në jug ashtu edhe në veri; pasurimi nga zyrat publike (kleptokracia); të gjitha këto e kishin rrëgjuar rezistencën e një shoqërie ndaj presioneve të Serbisë deri në shkallën, ku gjithçka pritej nga ndërkombëtarët.
Ky model qeverisës e shndërroi Kosovën në një vend neurotik, ku askush s’i beson më askujt.
Madje edhe në rastin kur kryeministri i vendit dërgoi trupa në veri, u shfaqën shumë teori konspirative, dyshime e mosbesime. Të njëjtën ditë shkarkohet drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kurse trupat e tij nisen në operacion, pa ua thënë arsyet e shkarkimit të “komandantit” të tyre.
Së dyti, nga ministra e ish-ministra, nga bartës të pushteteve, janë avulluar miliona të arkës së shtetit, kurse ato njësi të glorifikuara speciale të policisë kanë tri autoblinda dhe pagë mesatare prej 300 eurosh.
Dëshmori i parë kosovar i kufirit, Enver Zymberi, kishte një pagë prej 301 eurosh dhe la prapa tyre fëmijë dhe një familje të madhe.
Së treti, opozita dhe as shoqëria civile nuk u pyet, as para dhe as në prag të operacionit, i cili, ndonëse ishte legal dhe kushtetues, nuk prodhoi efektet e projektuara në masë, me një dozë të lartë euforie.
Por opozita parlamentare u tregua “patriotike” duke e mbështetur operacionin e forcave policore ROSU.
Pas rënies së dëshmorit Zymberi, u krijua ndjesia tmerrësisht e trishtueshme, se vendi po hynte në luftë, si më 2 maj të vitit 1991, kur nga rebelët piromanë serbë në Borovoselo të Kroacisë u sulmuan dhe u vranë në pritë 12 policë kroatë.
E kjo ndjesi paralajmëronte hakmarrje.
Shumica e liderëve politikë, por edhe shumë segmente të shoqërisë kosovare harruan se në demokraci dhunës duhet përgjigjur me më shumë demokraci, si e tha në fatkeqësi kombëtare kryeministri norvegjez, Stoltenberg.
Lehtësia e padurueshme e të folurit për luftën krijoi një psikozë nervoze tek qytetarët, mes azganllëkut dhe budallallëkut, pa menduar se, shpesh në situata të ngjashme, trimëri e patriotizëm nuk është hyrja në luftë, por shmangia e saj.
Natyrisht se bandat fashiste që janë marioneta në duart e kreut të Serbisë së Tadiqit janë shumë më efektive në propagandimin dhe realizimin e piromanisë, pra në prodhimin e luftës. Por kosovarët, nisur pikërisht nga këto shfaqje fashiste, duhet të ndalen e të mendojnë se si nuk duhet bërë gjërat, se si nuk guxohet të kopjohet kjo ikonografi lufte, se si duhet ndenjur larg flakëve e tymit, pra duhet shuar zjarret e brendshme nacionaliste, qofshin edhe si akte simbolike mospajtimi dhe shprehje e mllefit momental.
Shfaqjet që u “luajtën” keq në disa qytete të Kosovës, duke organizuar maskarada të marra, ku digjeshin dy-tri kuti keksa e ndonjë artikull tjetër ushqimor, e natyrisht pa e harruar flamurin serb, janë shfaqjet më të shëmtuara që mund t’i ndodhin Kosovës.
Jo, janë identike me shfaqjet në Jarinjë!
Pse u dashka t’u ngjajmë atyre?
Pse një hap pas tyre?
Pse si ata?
Këtyre pyetjeve nuk iu përgjigj askush nga azganët e pushtetit aktual në Kosovë. Madje as presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e cila, e rrethuar me këshilltarë jokredibilë, të profilit folk-nacionalistë, është totalisht jashtë realitetit dhe peshës së momentit për vendin, e sipas Kushtetutës, ajo vendos për luftën dhe paqen.
Presidentja as nuk di çka ka bërë Qeveria Thaçi, as qysh është dashur të bëhet, as çka pastaj?
Ajo thjesht është presidente-kukull.
Presidentja “e harruar” prapa rëndom ecën e kalamendur dy-tre hapa prapa burrit të fortë Thaçi, i cili e shpërfill skajshmërisht atë dhe këdo tjetër. E në anën tjetër i duhet konsensusi kombëtar, si kurrë më parë. Për të mbijetuar vetë politikisht dhe natyrisht për ta shpërndarë përgjegjësinë politike në më shumë faktorë.
Nga ana tjetër e barrikadës, ideatori i tërë kësaj shfaqjeje dhe shpalljeje lufte del të jetë Borko Stevanoviq, njeriu i Tadiqit për negociata “teknike” me Prishtinën, e i cili deshi të krijojë avantazh për vendin e tij në bisedimet, mu në çastin kur ato po bëhen ekstra politike. Dhe ky burrë që u frynte flakëve dhe organizonte diversantët e MUP-it të Serbisë në bllokimin e rrugëve nacionale në territorin e Kosovës, ky politikan që po hynte e dilte ilegalisht në Kosovë përfundimisht është person non-grata në Kosovë, pra s’ke çfarë të flasësh tutje më të.
Ndoshta një leksion të mirë ia dha edhe komandanti i KFOR-it, Buhler, i cili nuk e pranoi në takim.
Pse duhet ta pranojë Prishtina?
Kjo e fundit duhet të kërkojë nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të BE-së (e jo nga Qiproja p.sh.) që të dihen kornizat e sakta, se deri ku arrin sovraniteti i Kosovës, të cilin ua kanë njohur dhe cili do të jetë roli i BE-së në Kosovë?
Kosova dymbëdhjetë vjet pas çlirimit dhe tre vjet pas shpalljes së pavarësisë kombëtare nuk ka nevojë për asnjë mision civil ndërkombëtar që është neutral ndaj statusit të saj.
Sipas Rezolutës 1244 të OKB-ve dhe Marrëveshjes së Kumanovës, këtë neutralitet mund ta aplikojë vetëm KFOR-i, por jo deri në pakufi.
Misioni i NATO-s po ashtu, duhet ta rimendojë vetveten në Kosovë.
Nëse ky mision e ka kompetencën për një ambient të sigurt në Kosovë dhe për paprekshmërinë e kufijve të saj, atëherë si është e mundshme që NATO-ja të tolerojë disa diversantë të Beogradit që t’i mbajnë në shënjestër të snajperëve trupat e këtij misioni, me të cilin ka nënshkruar si palë Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake në Kumanovë?
E Prishtina zyrtare, përderisa është me pavarësi të mbikëqyrur dhe pa sovranitet në veri të vendit, duhet ta ruajë konsensusin e gjerë shoqëror rreth hapit të kryeministrit; jo për hir të tij, por për hir të lirisë dhe pavarësisë së vendit. Por ky konsensus nuk duhet të keqpërdoret për ta vazhduar sundimin me autokraci dhe kleptokraci (vjedhje) dhe krim të organizuar.
Dikush duhet ta ndalë këtë ortek që të mos rrokulliset tutje, sepse po e zë shtetin përfundi.
Brenda qytetarisë kosovare së këndejmi ia behu njëfarë gëzimi deshpërimisht euforik.
“E morëm”!
“Jo, s’e morëm”!???
Nuk bëhet më fjalë në kontekstin rajonal dhe më të gjerë, global, për marrje ose lëshime territoresh me dhunë, por me politika të menduara dhe strategji të ndërtuar mirë, ftohtë dhe mençurisht.
Pjesa veriore e Kosovës është në tavolinën e bisedimeve.
Aman ju qoftë, ndaleni maskaradën e atyre kosovarëve që janë bërë milionerë bash me mallrat e Serbisë, dhe këtë që nga koha e Radoman Bozhoviqit (njëri nga kryeministrat e Milosheviqit) e mos të djegin flamuj e plazmakeksa, për me u dok n’publik si patriota. Lidhje me patriotizëm kjo s’ka!!!
Kosova nuk ka nevojë për show medial me flamuj e keksa, por për një lloj të ri patriotizmi, atë ligjor dhe konstitucional.
Këtë duhet ta thotë presidentja Jahjaga, kryeministri Thaçi dhe “sejmenët” e AKR-së që po sillen me mburravecëri, sikur ata po e “marrin” veriun!?
Nëse biznesmenët kosovarë e kanë sosur përnjëmend të mos shesin mallra të Serbisë, atëherë le të organizohen e t’ua shpërndajnë si ndihma atyre kosovarëve të uritur që jetojnë me më pak se 0.80 euro në ditë, si në jug ashtu edhe në veri të vendit, e të mos shesin turbo-folk, që shkatërron imazhin edhe ashtu të zymtë të demokracisë kosovare.
Edhe një herë për fund, pse u dashka me e imitue gjithmonë Serbinë fashiste???
o ti gazetari jugosllav i temes po si nuk na nxorre nje flamur te djegur serb, sa pak patriot qe je more zoteri (a e kupton cfare po te shkruaj une). Ky kolegu yt cfare nenkupton me fjalen “plazmakeksa” se une nuk di te tille ne shqip
O Cakalli7 kur nuk di hesht.
O tema, pse na i nxirrni keta serb qe flasin shqip gjysma gjysma?
Hiqu ketij plehre se sna nevoiten theniet e serbve. Ne cdo te dyten faji permend theniet e serbve.
mesoni shqip o blymezat turq te titos, mesoni shqip ose virini nje emer tjeter asaj gjuhes tuaj te “kriposur” me fjale qe nuk i kupton njeri.
Kjo qe thote ne fund cakalli7 perfaqeson qarte mendimin dhe qasjen raciste qe kane nje pjese e gjere e shqiptareve te Republikes se Shqiperise me arsim te mesem dhe te ulet per shqiptaret e Republikes se Kosoves. Por asgje per tu habitur, sepse racizma te tilla verehen edhe nivele ende me lokale ne Shqiperi dhe permblidhen ne terma percmues dhe pexhorativ si “malok”, “laluce”, “jorgo”, etj.
Po ti o cakall, si ma quan halil matoshin, qe e ka mbushur artilullin me thenie te serbeve?burre te mire?asnjeri si tha malok se i ben nder. Atij me plot gojen i them serbofil!!!!!