Serbia nën presion, Kosova, kusht për BE!?

3 Shtator 2011, 14:25Rajoni TEMA

Shpërthimi i dhunës në veri të Kosovës në fund të korrikut ishte më i rëndi në disa vjet. Ai la një polic të vrarë dhe shumë civilë të plagosur. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u përgjigj ndaj përleshjeve duke thënë se Bashkimi Evropian besonte se ngjarje të tilla i përkisnin të kaluarës.

Disa javë më vonë, Merkel e shtoi edhe më shumë presionin, duke i bërë thirrje Beogradit të suprimojë institucionet e tij në veriun e Kosovës dhe të lejonte EULEX-in të vepronte lirisht atje. Ajo ia vuri këto si kushte Serbisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kjo ishte hera e parë që shumica e serbëve i dëgjonin këto kushte. Kjo deklaratë e Kancelares Merkel pas dhënës së kohëve të fundit dhe pasi Seribia transferoi në Hagë dy të dyshuar për krime lufte, mundësia e mosmiratimit të kandidaturës së Serbisë për në Bashkimin Evropian i kapi njerëzit në befazi.

Serbia ka punuar prej shumë vitesh që të hyjë në Bashkimin Evropian dhe Komisioni Evropian do të paraqesë rekomandimet e tij në muajin tetor. Maja Bobiq është kryetare e Lëvizjes Evropiane në Serbi, e cila promovon vlerat demokratike dhe integrimin në BE.

“Ndoshta ishte vetëm çështje kohe, pasi ne kishim dëgjuar në shumë raste gjatë gjithë vitit se pas plotësimit të kushteve më të rëndësishme, si bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës dhe natyrisht vazhdimi i reformave të brendshme, statusi i kandidatit ishte diçka pothuajse e garantuar. Kjo ishte diçka që ne e kishim dëgjuar edhe nga zyrtarët evropianë. Ishte marrë si i mirëqenë statusi i kandidatit, si diçka që Serbia do ta kishte këtë vit”, ka thënë ajo për VOA.

Presidenti Boris Tadiq tha se Beogradi nuk do t’i suprimojë institucionet e tij në veriun e Kosovës. Ai tha se Serbia është e hapur ndaj misionit të Bashkimit Evropian në gjithë territorin dhe se ka mjaft vend për kompromis. Por ai pranoi gjithashtu për herë të parë se ekziston mundësia që Serbia të mos e fitojë statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian këtë vit.

Udhëheqës të tjerë serbë bënë deklarata të ngjashme.

Ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviq, i ka thënë medieve serbe se Serbia do t’i mbajë institucionet e saj në veriun e Kosovës, edhe në qoftë se kjo bëhet shkak për “bllokimin e rrugës së saj për në Bashkimin Evropian”.

Në Kombet e Bashkuara, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënonte Kosovën për shkallëzimin e dhunës. Ai iu përmbajt pretendimit nacionalist serb për Kosovën.

“Dua të theksoj edhe një herë qëndrimin e qeverisë time ndaj përpjekjes së Prishtinës për shkëputjen e njëanshme nga Serbia. Ne nuk e njohim dhe nuk do ta njohim atë as hapur dhe as tërthorazi. Ky është mandati i vullnetit demokratik të popullit tonë, i mishëruar në kushtetutën tonë”, kishte theksuar Jeremiq.

Udhëheqësit serbë e kanë të qartë se Beogradit nuk i kërkohet të njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, por të normalizojë marrëdhëniet me të. Por shumë i shikojnë këto kërkesa si njohje de-facto, diçka që politikanët serbë besojnë se zgjedhurit e tyre nuk do ta pranonin kurrë.

Boshko Jakshiq, analist i gazetës serbe “Politika”, thotë se Serbia e ka humbur tashmë Kosovën. Ai thotë se politikanët serbë kanë frikë se po të tradhtojnë bazën e tyre nacionaliste do t’u kushtojë në zgjedhjet e ardhshme.

“Shumica e serbëve po e kuptojnë se Kosova nuk është më Serbi dhe për mendimin tim politikanët nuk janë budallenj që të mos e kuptojnë këtë. Unë do t’u thosha atyre t’i drejtohen vendit, duke i thënë se ne kemi mbështetjen tuaj që Serbia të hyjë në Bashkimin Evropian dhe ne do ta bëjmë këtë. Çmimi për këtë është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën”, ka thënë Jakshiq, raporton VOA.

Kancelarja Merkel ishte të martën në Slloveni, ku gazetarët thanë se ajo e kishte zbutur qëndrimin e saj, duke thënë se në Kosovë mund të ndiqet një praktikë graduale.

Por anëtarja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, i tha Zërit të Amerikës këtë javë se Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë një vend në konflikt me fqinjin e tij.

Beogradi duhet patjetër të demonstrojë se është serioz rreth avancimit në negociatat me Kosovën. “Ne duam prova që ata janë të predispozuar”, tha ajo. /voa/

3 komente në “Serbia nën presion, Kosova, kusht për BE!?”

  1. Kosovari says:

    Po të mendonin shqiptarët për shqiptarët sikur që mendojnë serbët për serbët, askush nga jashtë nuk do të kishte nevojë të angazhohej si këshilltar ose ndërmjetësues për qeverinë tonë. Ndoshta kemi fat se nuk na lejohet zhdukja si komb nga qeveria jonë vetëm sepse armiqtë i paguajnë ata për këtë.

    1. plaku says:

      Serbia, nuk ka nga ta luaje bishtin. Kryeministri i saj e di mire, por ka hallin e zgjedhjeve, prandaj i kundervihet formalisht Merkelit. Kosova eshte shtet i pamvarur. Rusia eshte katandisur si puna e atij luanit pa dhembe. Hajt pra, ta gezojme Kosoven. Pershendetje.

  2. Arian says:

    Po mos Kosovar po problemi eshte se ju mbaheni Kosovar dhe ne mbahemi Shqiptar,jetoj ne Zvicer prej shume kohesh njoh shume Kosovar,te siguroj se shumica prej tyre mbajne pasaporte Serbe,dhe ti si Kosovar qe je e di mire se kur merr pasaporten Serbe duhet nje nenshkrim qe e njeh serbine si shtet tendin,fundja dhe Saliun Kosovar e kemi nga malsia Gjakoves po shiko ku e ka cuar Shqiperine.flm

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje