Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, deklaroi sot në Moskë se KGB i kishte bërë një ofertë për ta rekrutuar kur ishte adoleshent. Në përgjigje të kësaj deklarate, presidenti rus, Medvedev tha se ai do ishte një agjent shumë i mirë për Bashkimin Sovjetik, por shërbimi i inteligjencës britanike do e kishte ‘çrrënjosur’ atë përpara se të bëhej kryeministër.
Kameron e bëri rrëfimin e tij përpara studentëve në Moskë.
Ky zbulim pasoi deklaratën e Kameron se Britania nuk do dorëzohet derisa të sjellë përpara drejtësisë vrasësit e Aleksandër Litvinenkos, oficerit të shërbimit sekret rus.
Rusia i kishte kërkuar Kameronit ta harronte këtë histori dhe kërkesat për ekstradimin e personit që akuzohet se helmoi Litvinenkon. I dyshuari kryesor për këtë vrasje tani është politikan në Moskë.
Litvinenko kishte fituar azil në Britani. Aty kishte shkruar dy libra, ku akuzonte shërbimin sekret për akte terroriste në favor të ardhjes në pushtet të Vladimir Putinit.
Ai e akuzonte Putinin gjithashtu për vrasjen e gazetares ruse Ana Politikovskaja. Litvinenku u helmua me polonium dhe vdiq në vitin 2006.