Mijëra punëtorë të vjetër të Ballkanit kanë rënë në grackën e varfërisë ndërsa luftojnë të gjejnë punë dhe s’mund të dalin në pension, një fat i përbashkët me homologët e tyre të Europës Perëndimore. Në Maqedoni, dhjetëra njerëz mbi të 50-ave kanë përfunduar në vetëvrasje.
Nga Ruzhica Matiç
“Njëzet e pesë antarë… kanë bërë vetëvrasje sepse s’mund ta përballon varfërinë. Disa varën veten, disa të tjerë kërcyen nga urat apo ndërtesat dhe njëri dogji veten,” thotë Liljana Georgievska, duke folë për punëtorët që njihen në Maqedoni si “viktimat e falimentimit”.
Georgievska është zv-presidente e UNIT, një shoqatë kombëtare e “viktimave të falimentimit”, punëtorëve që kanë humbë punën ngaqë kompanitë e tyre falimentuan gjatë procesit të keqmenaxhuar të privatizimit në Maqedoni.
Shumica prej tyre janë në grackën e varfërisë ekstreme ndërkohë që nuk janë në gjendje të gjejnë punë. Shumica nuk munden as të dalin në pension ngaqë nuk përfitojnë nga pensionet shtetërore ose sepse shefat e tyre i futën në xhep të vetin kontributet në vend se t’ua kalonin shtetit.
Punëtorët këtu, të rinj e të vjetër, janë goditur rëndë nga falimentimet dhe recesioni. Niveli i përgjithshëm i papunësisë për vitin 2010 është 31 përqind sipas Zyrës së Statistikave Shtetërore.
Por perspektivat janë veçanërisht të zymta për punëtorët e vjetër maqedonas. Ata mbi të 50-at përbëjnë pothuajse një të pestën e popullsisë së papunë dhe e kanë të vështirë të gjejnë punë. Ata nuk janë vetëm në këtë drejtim.
Është një ushtri të papunësh mbi të 50-at anembanë Ballkanit, një brez i tërë që vuajti pasojat e luftës, shembjen e ish-Jugosllavisë dhe tronditjet e tranzicionit të vendit të tyre nga ekonomitë socialiste në kapitalizëm.
Në Kroaci, një raport i botuar nga avokati i popullit i përshkroi punëtorët e vjetër si një “specie e rrezikuar” në një kohë që një 40 përqindësh masiv i kroatëve të papunë për një kohë të gjatë kanë moshën 50 vjeç e lart.
Radhët edhe kështu të konsiderueshme të të papunëve mbi 50 vjeç janë zgjeruar edhe më tej nga ata që e humbën vendin e punës nga recesioni i fundit botëror, jo thjesht në Ballkan po anembanë Europës.
Edhe Franca e Mbretëria e Bashkuar po përpëliten në një kohë që hambarët e shtetit nuk mund të përballojnë një popullsi në moshim e sipër dhe disa punëtorë duhet të punojnë përtej moshës standarde të pensionimit. E megjithatë, ata shpesh bëhen cak i programeve të shkurtimeve dhe e kanë të vështirë të gjejnë punë në klimën e tashme ekonomike.
Për t’u kthyer në Maqedoni, Xhelal Bajrami, ish-ministër i punës dhe politikave sociale deri në zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk e di se sa vetë e kanë humbur vendin e punës si pasojë e kompanive të privatizuara që kanë falimentuar.
“Ai numër është pre e spekullimeve, disa thonë se është më se 20.000 veta dhe disa të tjerë e përcaktojnë si më shum se 30.000,” thotë ai.
Kumanova është veç një orë larg kryeqytetit Shkup. Është qyteti i tretë për nga madhësia i Maqedonisë me një popullsi rreth 80.000 banorë dhe dikur ishte motori ekonomik i vendit.
Pas privatizimit, ai është hije e vetvetes, fabrikat janë mbyllë dhe ata që u bënë të papunë rropaten për të nxjerrë jetesën duke i zhvilluar zejet e veta në shtëpi.
“Tani kemi kasaphana [të pavarura] në kopshte ndërkohë që kasaphana industriale e bagëtive është e braktisur dhe e mbuluar me shkurre,” thotë Georgievska.
“Fajtor është parlamenti”
Shum pak kanë besim në premtimet e drejtuesve të sindikatave dhe qeverisë për t’i ndihmuar ose të dalin në pension ose të gjejnë punë.
“Gjithë ata njerëz që ulen në parlament janë fajtorë sepse nuk e ndaluan privatizimin kur e panë se çka po ndodhte. Gjithë çka u interesonte ishte të mbushnin xhepat me do pare më shum, dhe sindikatat i ndihmuan në këtë drejtim,” thotë Georgievska, e cila për veten e saj e humbi vendin e punës në kasaphanën lokale kur ajo falimentoi më 2005.
UNIT dhe UNIJA, një shoqatë tjetër e punëtorëve të pushuar, kanë më se 8.000 së bashku dhe kanë lobuar qeverinë të ndërmarrë vendim në këto vitet e fundit duke organizuar mitingje dhe duke protestuar jashtë ndërtesës së parlamentit në Shkup. Disa janë futur në grevë urie, të tjerë i kanë gjuajtë parlamentarët me vezë.
Vojislav Dimitrievski, 62 vjeç, është antar i UNIT-it që ka punuar në ČIK, një fabrikë këpucësh në Kumanovë që u mbyll më 1996. Ishte kompania e parë e privatizuar që falimentoi në vend.
“Kishim një marrveshje me qeverinë, ata na premtuan se pronari i ri do të na merrte në punë, por ai mori njerëz të rinj, më të rinj në moshë, dhe ne të vjetrit përfunduam në rrugë,” thotë ai.
Ai ka qenë pa punë qysh atëherë. “Atëherë u diagnostifikova me diabet. Nuk kam para të paguaj ilaçet dhe duhet të pres edhe dy vjet për moshën e pensionit. Nëse jetoj deri atëherë,” thotë Dimitrievski.
Autoritetet, gjithsesi, kanë mendim tjetër për veprimtaritë e UNIT-it. Bajrami thotë se është një organizatë krejtësisht politike që po përpiqet të denigrojë qeverinë.
Kur pyetet lidhur me 25 vetëvrasjet, ai pauzon për një çast para se të thotë: “Nuk është e vërtetë se ishin kaq shum, megjithatë nuk e di numrin e saktë.”
Georgievska dhe antarë të tjerë të UNIT-it po ndërmarrin veprime gjyqësore për të marrë rimbursime të kontributeve të tyre.
Prej qershorit kur u intervistua së pari, Georgievska thotë se edhe pesë “viktima falimentimi” të tjera kanë vrarë veten.
Punëtorët e vjetër kroatë, një “specie e rrezikuar”
Edhe kroatët kanë vuajtur kur kompanitë me pronësi të përbashkët u privatizuan, veçanërisht punëtorët e vjetër që ishin të parët që u pushuan kur firmat e drejtuara keq u mbështetën me shpatulla për mur.
Shumica ishin pensionuar herët nga shteti, por një pjesë e mirë, që s’mund të dilnin në pension, mbetën jashtë tregut të punës për shkak të moshës.
Në një raport të vitit 2010, avokati i popullit kroat tha se moshimi ishte forma më e zakonshme e diskriminimit në vendin e punës. Ai citonte studimet të tjera që mëtojnë se punëtorët e vjetër “janë një specie e rrezikuar për të cilët është krejtësisht e pamundur të gjejnë punë të re nëse pushohen”.
Në komunizëm, më pak se pesë përqind e kroatëve të papunë ishin në moshën mbi 50 vjeç, sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit të Kroacisë (HZZ). Dhjetë vjet më parë kjo shifër arriti në 13 përqind.
Më 2010, numri u dyfishua. Njëzetegjashtë përqind e 320.000 të papunëve të regjistruar janë 50 vjeç e lart. Kjo grupmoshë përbën 40 përqind të papunësisë afatgjatë, ata që kanë qenë të papunë për më shum se një vit.
Gratë përjashtohen nga tregu i punës edhe më herët, 63 përqind e të papunëve afatgjatë janë femra mes 40 e 50 vjeç.
Veronika Barishiq, 55 vjeç, jeton në një banesë të vogël në Zagreb me babain 81 vjeçar. Është e papunë prej 15 vitesh.
E pyetur se si ia del, ajo hedh sytë përdhe dhe fillon të qajë: “S’do të doja të flisja për këtë. Të ardhurat e vetme tonat janë pensioni i tim eti nga Bosnja. Gjithë çka marr unë është pak ndihmë për ilaçe.”
Ajo ka punuar për gati 20 vjet në një fabrikë këpucësh në Përnjavor,në Bosnjë-Hercegovinën fqinje. Kur në fillim të viteve 1990 filluan luftrat dhe ish-Jugosllavia u shpërbë, fabrika u mbyll dhe ata u larguan për në Kroaci.
E diagnostifikuar me kancer gjiri dhe osteoporozë, ajo mezi ia del. “Kisha pak probleme shëndeti kur punoja, por atëherë kisha vullnetin për të jetuar. Kur e humb atë ritëm, nervat të lëshojnë,” thotë ajo.
Veronika nuk ja ka idenë se si do të mbijetojë pa të ardhurat e babait të saj.
Të vjetrit pushohen të parët
Të papunët e Zagrebit duhet të regjistrohen çdo muaj në zyrat e HZZ-së për të marrë përfitime dhe radhët janë të gjata. Prapseprap duket se ata me flokë të bardha dhe me vraga në fytyrë janë më me vullnet për të kontrolluar listën e punëve, edhe pse kanë pak shpresë se mos gjejnë punë.
“Kur e humbin punën, të vjetrit ka më shum gjasa të mos punojnë më. Punëdhënësit parapëlqejnë të marrin njerëz më të rinj sepse bëjnë më pak pyetje, paguhen më pak dhe nuk e kanë problem ta marrin një pjesë të rrogës “nën banak”,” thotë Maja Vehovec, kërkuese e njohur në Institutin e Ekonomisë në Zagreb (EIZ).
Mesatarisht, punëdhënësit kroatë duhet t’ia paguajnë rreth 40 përqind të rrogave qeverisë në taksa dhe zbritje të tjera, sipas EIZ-së.
M.M., një 62-vjeçar inxhinier që kërkoi të mbetej anonim, e humbi punën pas 34 vitesh shërbimi në firmën e naftës Ina, kompania më e madhe e Kroacisë që u privatizua tetë vjet më parë.
Prej atëherë, çështja Ina është mjegulluar me kundërthënie mes akuzave për korrupsion që shkojnë deri në majë të qeverisë.
“Drejtimi i ri pushoi shum njerëz, veçanërisht ata mbi 50 vjeç. Një ditë më thanë se duhej të largohesha. I pyeta nëse mund të më mbanin edhe për një vit, derisa të mbërrija 35 vjet punësim dhe të plotësoja kërkesat për pensionim të parakohshëm. Nuk pranuan,” thotë M.M..
Ai pranoi një marrveshje për pagesë dy-vjeçare të rrogës dhe filloi të kërkonte punë të re. Pasi aplikoi për 30 vende rresht, ende po ërkon dhe nuk ka shpresë se do të gjejë ndonjë vend pune tani shpejt.
Zyrtarisht, praktikat moshore të punës janë të paligjshme në Kroaci. Me pak përjashtime, reklamat e punësimit përgjithësisht s’mund të përcaktojnë kufij moshorë për kandidatët dhe punëdhënësit s’mund t’i pushojnë punonjësit me arsyen e moshës.
Gjithsesi, diskriminimi në punë, është i vështirë të provohet në gjyq. Zakonisht nuk ka prova dhe kolegët nuk dëshirojnë të dëshmojnë sepse frikësohen se mund ta humbin punën për vete.
Përveç kësaj, rastet zvarriten me vite të tëra. Rasti më i hershëm dhe ende i pazgjidhur i mosmarrveshjes së punësimit në gjykatën komunale të Zagrebit u hap më 1991. Ka më se 800 raste të hapura që filluan para vitit 2005.
Shum punëtorë vendosin të mos i ndjekin juridikisht mosmarrveshjet e punësimit.
“Klientët gjithmonë më pyesin se sa do të zgjasë dhe kur u them se mund të shkojë një vit në rastin më të mirë ata e humbin vullnetn,” thotë Domagoj Rebiq, këshilltar ligjor pranë Sindikatave të Pavarura të Kroacisë (NHS).
Nivelet e mëdha të papunësisë në mesin e atyre mbi 50 vjet nuk është problemi i vetëm i Kroacisë. Shteti ka stërmundim të paguajë pensionet e disa mijëra të tjerëve që u nxorën në pension të parakhshëm në fillim të viteve 1990, gjatë luftës dhe kur filloi procesi i privatizimit.
“Pronarët e rinj u ofruan zgjedhjen mes tregut të punës dhe pensionimit të parakohshëm, dhe shumica zgjodhën të keqen më të vogël. Ajo ishte keq për shtetin sepse nuk ishte e mundshme të paguheshin kaq shum pensione nga rrogat e punëtorëve,” thotë Vehovec.
“Edhe sindikatat i nxitën punëtorët e vjetër të pensionoheshin para kohe sepse, ndryshe nga punonjësit e rinj, ata të paktën do ta kishin një farë të ardhure të sigurtë,” shpjegon Kreshimir Sever, president i NHS-së.
Dimrin e kaluar, numri i kombinuar i pensionistëve dhe të papunëve në Kroaci e kaloi numrin e të punësuarve, sipas Dhomës Ekonomike të Kroacisë.
“Asnjë sistem s’mund ta përballojë këtë,” thotë Sever-i.
Kriza pensionale franceze
Edhe Franca po orvatet të rregullojë llogaritë e veta kur vjen puna tek pagesa e legjioneve të pensionistëve që u nxitën të dilnin para kohe në pension.
Në vitet 1950, kishte pesë punëtorë për çdo pensionist dhe vitin e fundit kjo ra në 3.5 të punësuar për çdo të tillë, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Ata llogarisin që më 2040 do të ketë vetëm dy punëtorë për çdo pensionist.
Gjatë krizës ekonomike të viteve 1970, ishte e zakontë që punëtorët francezë të dilnin në pension në moshën 55 vjeç. Ata kishin të drejtë për 62 përqind të rrogës derisa të merrnin pensionin shtetëror në moshën 65 vjeç.
Shteti shpejt e kuptoi se këto pagesa ishin të papërballueshme dhe gjatë 15 viteve të kaluara është përpjekë ta kthejë mbrapsht trendn dhe t’i mbajë punonjësit më gjatë në punë.
Por kjo ka dalë të jetë mision i pamundur ngaqë punëtorët e vjetër zakonisht janë të parët që pushohen nga puna, veçanërisht gjatë krizës aktuale ekonomike.
“Në dy vitet e kaluara, afërsisht 70.000 njerëz janë pushuar nga puna dhe 37 përqind e tyre janë të moshuar [mbi 50 vjeç],” thotë Morad Rabhi nga CGT, sindikata më e madhe e Francës.
Bruno Deledalle, avokat i punësimit nga Parisi, pajtohet me këtë: “Të moshuarit janë viktimat e para të pushimeve masive nga puna sepse janë të shtrenjtë dhe më pak produktivët.”
Në të vërtetë, shifrat nga ministria e punës tregojnë se numri i të moshuarve të papunë u rrit me 17 përqind veç nga korriku 2009 në korrik 2010.
Qeveria gjithashtu ka ndryshuar ligjin duke ua mundësuar shefave negociimin e termave individuale të pushimit nga puna në vend të detyrimit të marrjes me marrveshje dëmshpërblimi kolektive. Kjo, e ndërthurur me impaktin e globalizimit, duket e qartë se nënkupton se punëtorët e vjetër do të mbajnë mbi shpatullat e tyre peshën e egër të pushimeve nga puna.
“Është një shembull i një fabrike që u mbyll nga pronarët e saj të huaj edhe pse kompania po kishte sukses. Fabrika kishte më shum se 65 përqind të punëtorëve me moshë mbi 50 vjeç. Pronarët menduan se mbajtja e fabrikës në Francë nuk ishte me fitim për shkak të rrogave të larta… ata u dhanë pagesa dëmshpërblimi të gjithë punonjësve që shkonin deri në pesë rroga vjetore,” thotë Rabhi.Punëtorët e vjetër në Francë e kanë gjithashtu të vështirë të gjejnë punë të re, ngaqë 51 përqind e njerëzve të papunë afatgjatë janë mbi 50 vjeç, sipas Agjencisë së Statistikave të Francës (INSEE)
Nxitje për të punësuar të moshuarit
Qeveria franceze kohët e fundit ka ndërmarrë masa që synojnë mbajtjen e punëtorëve të vjetër në punë dhe nxitjen e punëdhënësve për t’i mbajtë ata të punësuar.
Këto përfshijnë grante shtetërore për punëdhënësit që marrin punëtorë të vjetër dhe programe ritrajnimi për ata që përballen me pushimin nga puna. Kjo mund të veprojë në disa raste, por shum punëtorë të moshuar mbesin pesimistë për të ardhmen.
Sofi Zherardi, 56 vjeç, është një gazetare e mirënjohur dhe botuese që ka punuar për media të mëdha si AFP, Liberation, Courier dhe Le Monde. Në shtator 2010 ajo u pushua nga puna nga Tribune gjatë një raundi uljesh shpenzimesh.
Megjithëse e mësuar të ndryshojë vendet e punës në një botë mediatike që është goditur nga recesioni dhe konkurenca prej portaleve online, ajo gjithmonë ishte pothuajse e sigurtë se do të zinte shpejt një vend tjetër të mirë pune. Por jo këtë herë.
“Kur filloi kriza, kuptova se do të isha e detyruar të paguaja çmimin,” thotë ajo, duke shtuar se recesioni u ka rënë si dallgë shumicës së gazetarëve me përvojë të shkollës së vjetër.
Prapseprap, ndërkohë që punëtorët e vjetër francezë e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë punë, atyre po u kërkohet të pensionohen më vonë.
Kjo ka rezultuar tepër jo-popullore dhe shpallja e presidentit Nikolas Sarkozi që mosha shtetërore e pensionimit do të rritet nga 65 në 67 vjeç ka shkaktuar protesta masive.
Bejbi bumers të Mbretërisë së Bashkuar
Punonjësit britanikë të çdo moshe nuk i kanë shijuar të njëjtat të drejta si homologët e tyre në Francë, por edhe atje qeveria është nën presion të balancojë kostot e një popullsie në moshim e sipër.
Ndërkohë që bejbi bumersat (të lindurit gjatë bumit pas Luftës II Botërore-shën.përk) i drejtohen pensionimit, ka pak taksapagues që t’ua mbulojnë shpenzimet e pensionit.
Sipas Departamentit të Punës dhe Pensioneve, 17 përqind e popullsisë tani është me moshë mbi 65 ose përtej dhe më 2050 do të ketë vetëm tre njerëz me moshë pune për secilin pensionist.
Britanikët mbi moshën shtetërore të pensionit i kanë kaluar si numër fëmijët nën 16 vjeç prej vitit 2007.
Në përpjekje për t’ua mundësuar atyre që duan apo detyrohen të punojnë më gjatë, mosha e detyrueshme e pensionimit prej 65 vjetësh është heqë. Një punëdhënës s’mund ta detyrojë punëtorin e vet të pensionohet pa pajtimin e këtij të fundit, nëmos ka arsye të forta, si për shembull nëse puna kërkon nivel të lartë fuqie fizike dhe fitnesi.
Seli Bret, zyrtare e lartë barazie në Kongresin e Sindikatave, thotë se t’uu kërkohet punëtorëve të punojnë më gjatë është krejt në rregull, por shumica përballen me moshimin në tregut të punës.
“Punëtorët e vjetër nxiten të kalojnë në pensionim të hershëm dhe nëse kompanitë po bëjnë shkurtime, të vjetrit do të jenë të parët që do të pushohen. Dhe nëse dikush e humb punën në mes të 50-ave, do të jetë shum e vështirë për të të gjejë një punë të re, veçanërisht një punë po aq të mirë sa ajo që ka pasur,” thotë ajo.
Shifrat mbështesin mëtimet e Bretit. Deri në shtator 2011, 41 përqind e britanikëve të papunë për 12 muaj apo më gjatë ishin mbi 50 vjeç, sipas Zyrës së Statistikave Kombëtare.
Ndërkohë që Breti pajtohet që njerëzit jetojnë më gjatë dhe kanë nevojë gjithashtu të punojnë, ajo thotë se propozimet janë të padrejta për të varfërit, të cilët “do të kenë fat nëse e arrijnë moshën për të shijuar përfitimet e pensionimit sepse shumica janë të stërmunduar, të sëmurë dhe nuk kanë kaluar jetë edhe aq të mirë”.
Alan Bizli, menaxher i marrdhënieve me punëdhënësit në Forumi i Punëdhënësve mbi Moshën, thotë se zgjatja e kohës së punës është e vetmja rrugë në të cilën ekonomitë mund t’i përballojnë popullsitë që po moshohen me shpejtësi.
“Besoj se Europa do të ndjekë shembullin e Britanisë… shkurt e shqip, ekonomia kërkon që njerëzit të punojnë më gjatë se në të shkuarën,” thotë ai.
Por kjo nuk është zgjidhje kushedi se çka për Georgievskën dhe Dimitrievskin në Maqedoni. Të dy thonë se do të pranonin çfarëdolloj pune të pagueshme me qëllim që të mos jenë barrë për fëmitë e tyre.
Maqedonasit po përsiaten se edhe sa “viktima falimentimi” të tjera do të vrasin veten para se qeveria të ndërhyjë dhe t’i ndihmojë ose të dalin në pension ose të gjejnë punë.
Ruzhica Matiq është gazetare nga Zagrebi. Ky artikull u prodhua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, nisëm e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin e Raportimit Investigativ Ballkanik.
akoma nuk e kemi gjet nje sistem perfekt , nje her u ankuam per Komunizmin , tani duket sikur i ka ardhur fundi Kapitalizmit !