Hashim Thaçi ka përçuar mesazhe se zgjedhjet presidenciale do të mbahen përnjëherë me ato parlamentare, në vjeshtën e vitit 2013. Siç shkruan sot “Express”, në një mendje me të është edhe Isa Mustafa. Por, publikisht, kreu i LDK-së dhe zyrtarë të PDK-së e kanë kundërshtuar këtë ide.
Kështu, partitë politike mund të mos kenë telashe as gjatë vitit 2012 të gjejnë emrat e njerëzve për garën presidenciale.
Zgjedhjet e drejtpërdrejta për Shefin e Shtetit të parapara të mbahen në vjeshtën e vitit të ardhshëm, ka shumë mundësi që të shtyhen për një vit më vonë.
Tashmë edhe publikisht liderët politikë dhe shtetërorë po flasin për mundësinë që Kosova të mbajë zgjedhje të trefishta – presidenciale, parlamentare dhe lokale, në të njëjtën kohë, në vjeshtën e vitit 2013.
Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka dhënë sinjale se askush nuk ka pse të ngutet me mbajtjen e zgjedhjeve për President.
Madje, ka thënë se ende nuk dihet data e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.
“Ju mos u ngutni me i dhanë zor për zgjedhje, se s’dihet kur mbahen”, ka thënë Kryeministri Thaçi, në një takim partiak në Drenicë, që është transmetuar të dielën.