Universiteti i Prishtinës fut si lëndë drejtshkrimin

11 Nëntor 2011, 12:19Rajoni TEMA

Studentët e Universitetit të Prishtinës (UP) do të mësojnë si të shkruajnë pa gabime. Që nga ky semestër në të gjitha njësitë akademike të Universitetit do të inkuadrohet në planprogram lënda e gjuhës shqipe (drejtshkrimi).

UP ka marrë akreditim nga Agjencia për Akreditim e Kosovës (AAK) për këtë lëndë, duke mundësuar që dy vjet pasi udhëheqësit e këtij universiteti patën premtuar të krijojnë një kulturë gjuhe te studentët, drejtshkrimi të jetë pjesë e ligjëratave.

Mungesa e njohurive drejtshkrimore te studentët, ishte dhe mbetet një nga elementet ku mbështetet iniciativa e Rektoratit për ta bërë pjesë të planprogramit nëpër fakultete edhe gjuhën shqipe. Kjo lëndë do të jetë obligative e ndarë në dy pjesë, në dy semestra.

 

“Lënda e gjuhës shqipe këtë vit është e përfshirë në të gjitha njësitë akademike”, ka thënë për “Zërin” rektori i UP-së, Mujë Rugova, premtimi i të cilit hasi në vështirësi tash e dy vjet për t’u realizuar.

Rugova ka theksuar se pengesat kanë qenë të natyrave të ndryshme përfshirë edhe vonesën e akreditimit. Megjithëkëtë, ai ka thënë se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet dhe kjo lëndë do të fillojë së zbatuari në këtë semestër.

“Varësisht prej fushave të studimit do të jenë tre apo dy orë në semestër dhe një semestër tjetër shkrimi akademik, por së pari do të jetë kultura e gjuhës shqipe”. Në disa fakultete të UP-së ku numri i studentëve në grup arrin deri në 400 veta, sipas rektorit, kjo lëndë do të jetë pjesë e planit mësimor në vitin e fundit të ligjëratave.

“Nuk do ta vëmë këtë lëndë në vitin e parë, në ato fusha ku kemi shumë studentë, sepse këtu nuk e kemi mundësinë që studentët të përfitojnë diçka”, tha ai.

Mënyra dhe mundësitë si do të zbatohet kjo lëndë, Rugova ka thënë se do të vendoset dhe në mbledhjen e radhës së Senatit, bazuar edhe në rekomandimet e fakulteteve, veçanërisht se në cilin vit përfaqësuesit e këtyre njësive mendojnë se kanë numrin më të vogël të studentëve që ata (studentët) mund të përfitojnë.

Me shumë studentë në një sallë, sipas rektorit është e pamundur të mbahet lënda e kulturës së gjuhës. Kreu i UP-së ka bërë të ditur se ligjëruesit e kësaj lënde do të duhet të kenë nivelin e lektorit.

Sipas tij, zgjedhja e stafit që do të angazhohet për të mbajtur drejtshkrimin, do të udhëhiqet kryesisht nga Fakulteti i Filologjisë, por dhe fakultetet tjera do të lihen të lira të propozojnë profesorë të gjuhës shqipe.

Rektori ka theksuar disa kritere që do të merren për bazë për përzgjedhjen e stafit duke përfshirë notën mesatare, vazhdimësinë e studimeve… që do t’i japin përparësi një kandidati në krahasim me një tjetër, por pa kushtëzuar propozimet me thirrje tjera shkencore-akademike./zeri

9 komente në “Universiteti i Prishtinës fut si lëndë drejtshkrimin”

  1. Pelasgian says:

    Shqipet e Kosoves duhet ta mesojne shqipen e paster , shume nga Kosovaret flasin fjale qe nuk jan shqip por serbisht !

  2. Kreshnik says:

    Une nuk di se cfare flasin Kosovaret tani,serbokrahinorizma,apo shqipodialektizma,por mund te them qe me shume po mundohen Kosovaret per te forcuar nje kulture te gjuhes shqipe se sa ne shqiptaret e lindur me nje lemsh krahinokundershtar apo pseudovirtyt gjuhesor. Pune te mbare UP (Universiteti Prishtines) !

  3. ILIRI,Kaçanik says:

    Qe besa edhe shqipet e Shqipërisë nuk duhet ta bastardojne shqipen e paster me ato fjalë italiane dhe greke që aq shumë ua ka ëndja. Shqiptarëve jo të Shqipërisë administrative u ka hije edhe nëse nuk e flasin gjuhën e pastër,sepse kemi qenë të okupuar e nuk na kanë lënë ta mësojmë,po juve kush po iu shtynë që mos ta flisni gjuhën standarde- apo më mirë të pastë?!!

  4. millosh kopiliqi says:

    Kosovaret i kane shtremberuar te gjitha gjuhet: gegnishten pastaj standardin gjuhesore, turqishtja e kosoves eshte qesharake pore edhe fjalet tjera te huaja perdoren plotesishte te shtremberuara. Kosovaret nuke njohine asnje gjuhe plotesishte!!

  5. ''evgjitngrenesi'' says:

    eshte per tu pershendetur nje perpjekje e tille nga up.nje kurs te tille drejtshkrimi duhet ndjekin edhe polikanet e gazetaret e shqiperise.shqiptaret jashte shqiperise nuk kane patur mundesi te kultivojne gjuhen per shkak te shovinizmit sllav dhe kane vetem 40 vjet qe perpiqen ta bejne nje gje te tille.vetem nje brez eshte arsimuar ne shkolla shqipe dhe ai me pengesa.ca gjera duan dhe kohe.

  6. gjethi i thate says:

    Dua te tregoje nje bisede me nje kosovar gjate nje periudhe qe kam ndejtur dhe punuar ne Kosove.Kisha pak kohe qe isha vendosur dhe akoma nuk isha mesuar me disa shprehje qe i degjoja per here te pare:

    Do te merrja diçka nga nje kosovar dhe i telefonova per ti thene se ku mund ta merrja porosine:
    -Shko te “shanku” dhe merre-me thote ai.
    Po shikoja me sy se ke mund te pyesja dhe pashe nje djale qe po rrinte i vetem ne kembe dhe i them:
    -Ti je “shanku”?
    -Jo me thote,nuk jam une,dhe mori nje pamje inatçori.
    -Po ti kush je?-i them une,me bindje qe isha drejtuar ne personin e duhur.
    -Une jam “shankisti”-me thote dhe me shikonte me habi per pyetjen qe vazhdova ti bej.
    Me kapi nje buzeqeshje por nuk e dhashe veten dhe vazhdova:
    -Po “shanku” kush eshte?-dhe prita me kureshtje pergjigjen e bashkebiseduesit.
    -“Çee”,me thote duke me treguar me dore ne nje objekt qe per mua ishte shume i njohur ,por jo me ate emer.
    Kam qeshur me te madhe,por nderkohe vrisja mendjen se nga e kishte origjinen ajo fjale. Ne fakt kuptimin e nxora nga objekti te cilin ma tregoi djaloshi.
    Do te doja qe kush nga ju do e deshifronte biseden e mesiperme.

    1. X says:

      e ca ishte ky shanku si perfundim?

      1. gjethi i thate says:

        X !
        Shanku na ishte banaku i lokalit(bar-kafe) dhe shankisti ishte banakieri.

  7. Alqi says:

    Do të duhet shumë kurajo që edhe tek ne, në Shqipëri në arsimin e mesëm dhe të lartë, të pranohet se drejtshkrimi i gjuhës shqipe është një problem i madh që sa vjen dhe rëndohet.Më shumë se kurajo do të duhet të merren masa që kjo situatë të nisë e të ndryshojë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje