Në veriun e Kosovës nata ka kaluar e qetë dhe pa incidente, pavarësisht faktit se në zonën e Kroi të Vitakut, policia ka pasur një fokus të veçantë, raportojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës.
Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti ka theksuar se policia është duke bërë hetime intensive lidhur me incidentin, ku u vra një person dhe u plagosën dy të tjerë në këtë zonë, dy ditë më parë.
“Jemi duke zhvilluar hetime intensive nga sektori i hetimeve të krimeve të rënda në drejtorinë rajonale në Mitrovicë, të mbështetur nga EULEX-i. Por, deri në këtë fazë ka qenë kryesisht mbledhja e provave, dëshmive materiale dhe dëshmive të cilat mund të lidhen në procesin e hetimeve, deri te identifikimi i personave të dyshimtë”, tha Hoti.
Ai ka thënë se deri në këtë fazë janë marrë në pyetje të paktën 8 persona, për të marrë më shumë detaje rreth asaj që ka ndodhur në natën e incidentit, por policia ende nuk ka arritur që të dalë me emrin e ndonjë të dyshuari të mundshëm.