Kanë filluar diskutimet për projekt buxhetin e vitit 2012, i cili pritet që të votohet kundër nga ana e opozitës. Seanca e sotme ka nisur me një minutë heshtje për Sabri Godon, që ndërroi jetë dy ditë më parë.
Gjatë fjalës së saj, përfaqësuesja e PS-së, Mimi Kodheli, ka kërkuar nga ana e qeverisë që të ulë TVSH-në për energjinë elektrike, ndërsa ka kërkuar më pak taksa për shtresat më të varfëra.
Kodheli theksoi se çmimi i energjisë elektrike është më i larti në rajon, ndërsa kërkoi që të ulet TVSH-ja për energjinë elektrike nga 20 përqind në 6 përqind. Ajo ka theksuar se përballë realitetit shqiptar, buxheti nuk është realist siç e paraqet qeveria.
“Monopolet vazhdojnë të mbizotërojnë në treg, çmimet e shtrenjtuara, ndërsa kriza ka prekur çdo familje që vijon të taksohet rëndë. Çmimi i energjisë, çmimi i ilaçeve janë të papërballueshme” theksoi Kodheli.