Dekreti i Leskajt për KLSH, drejt skadimit afati i shqyrtimit!

7 Dhjetor 2011, 12:55Politika TEMA

Kandidatura e Bujar Leskaj për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit rrezikon të rikthejë debatet mes Parlamentit dhe Presidencës lidhur me zbatimin e rregullores së shqyrtimit të dekreteve të presidentit. Komisioni i Ekonomisë ende nuk ka përcaktuar datën se kur do të zhvillohet séanca dëgjimore me Leskajn, ndërsa ky i fundit nuk është njoftuar ende për zhvillimin e kësaj séance dhe ka shmangur çdo koment publik rreth kandidimit. E megjithatë, kandidatura e tij është propozuar nga presidenti me 17 nëntor, pra 3 javë më parë. Referuar rregullores së Kuvendit, në nenin 111, pika 3 e saj parashikohet se kryetari i Kuvendit ia kalon dekretet e Presidentit menjëherë komisionit përkatës, i cili duhet të shqyrtojë dekretin brenda një afati trejavor. Me datën 8 dhjetor mbushen 3 javë nga shpallja e dekretit dhe nëse shqyrtimi nuk do të bëhet kësaj jave, atëhere mund të krijohet një ngërç i ri, i përsëritur edhe më parë me dekretin për Gjykatën Kushtetuese.

Në këtë rastin e fundit, arsyeja e vonesës u argumentua me faktin se dorëzimi i emrit në Kuvend ishte bërë me vonesë për shkak se ishte fundjavë, ç’ka kishte sjellë edhe shtyrjen e afatit të shqyrtimit. Në rastin aktual, çështja është ndryshe. Heshtja e kryeministrit rreth kësaj kandidature ka shkaktuar jo pak diskutime ku kjo vonesë analizohet në tre opsione të cilat i bashkon një pikë e vetme, ajo e shmangies së “zhurmës” apo diskutimeve publike të gjata. Opsioni i parë është ai që kandidatura e Leskaj mund të miratohet, pas një shqyrtimi pak para seancës plenare ku do të votohet. Kjo do të ishte një mënyrë pak e zhurmshme e pranimit të kandidaturës së pakonsultuar të presidentit dhe një “thyerje” e heshtur e premtimit publik të bërë në rastin e kandidaturës së Sali Shehut, ku u paralajmërua rrëzimi i çdo kandidature që do të vinte e pakonsultuar, pavarësisht emrit. Opsioni i dytë është ai i zhvillimit të një séance dëgjimore pak para seancës plenare, ku komisioni mund të propozojë rrëzimin e kandidaturës së Leskajt, propozim i cili do të merrte votën e menjëhershme kundër në seancë plenare, duke e mbyllur brenda pak ditëve diskutimet apo debatet publike dhe duke i dhënë presidentit mesazhin se duhet të propozojë një emër të ri, tashmë të konsultuar me mazhorancën.

Një opsion tjetër që diskutohet, por që ka pak shanse për shkak se shqyrtimi është i detyrueshëm nga rregullorja e Parlamentit, është ai i zvarritjes së mëtejshme të dekretit duke mos e marrë parasysh dhe duke shmangur në këtë mënyrë edhe pakënaqësitë që mund të lindin në Partinë Demokratike për shkak se Leskaj është një figurë që gëzon mbështetje në kampin demokrat dhe ka qenë deputet e  ministër në mandatin e parë qeverisës të kësaj force. Pavarësisht këtyre opsioneve që diskutohet për shkak të heshtjes së kryeministrit i cili ende nuk ka dhënë direktivën politike që do të ndiqet me dekretin, në kampin demokrat kanë ardhur disa sinjale se mund të votohet pro Leskajt si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pohim që gjen mbështetje edhe nga aleatët në parlament. Disa prej deputetëve demokratë si Edi Paloka apo ndonjë tjetër kanë deklaruar se janë pro kandidaturës së Leskajt por kanë saktësuar se do të zbatojnë vendimin politik të grupit, pra që edhe nëse ai do të jetë negativ, ai do të zbatohet…

www.mediazone.al

 

4 komente në “Dekreti i Leskajt për KLSH, drejt skadimit afati i shqyrtimit!”

  1. labi says:

    Mendohet mire kryeministri per kandidaturat e sjelle nga Topi pa u konsultuar me pare me Kuvendin apo Parlamentin si dhe mendohet shume mire per kandidatura te sjelle nga Topi qe kane nga dy-tre diploma te marra gjate kohes se demokracise, kur ka nje diplome te kohes se monizmit. Shoqerimi me dy ose tre diploma dhe me ish ne pune prane doganave kryeministri mendon dhe pleqeron shume gjate.

  2. Ardian says:

    Kur jepet pelqimi per kandidaturat e Presidentit te Republikes afati eshte 8 jave dhe jo tre jave.

  3. albani says:

    keta deputet te bejne cte duan por, ta marrin ne shqyrtim
    pastaj votojne pro apo kunder ca rendesie ka,

    te zbatojne ligjin pa votat i kan me urdher kunder ata

  4. juri says:

    Neni 111 I Rregullores se Kuvendit
    (Ndryshuar pikat 3-8, me vendimin e Kuvendit nr. 193, datë 7.7.2008 dhe pika 6 ndryshuar me vendimin e Kuvendit nr. 41, datë 24.06.2010)
    Zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj dhe dhënia e pëlqimit

    1. Kandidaturat për në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, të cilat zgjidhen nga Kuvendi, me përjashtim të rasteve kur nuk është parashikuar ndryshe në Kushtetutë ose në ligj, duhet të paraqiten me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë dhe të përmbajnë një curriculum vitae të kandidatit dhe pëlqimin e tij për kandidimin.

    2. Kandidaturat duhet të propozohen 45 deri në 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të anëtarit të organit dhe jo më vonë se 10 ditë pas shkarkimit të anëtarit të organit kushtetues apo të krijuar me ligj.
    3. Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tre javëve nga marrja e kërkesës.
    4. Kuvendi kryen votimin për kandidatët jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit.
    5. Në rastet kur zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj bëhet nga Kuvendi, me propozim të institucioneve të tjera, procedohet sipas pikës 3 të këtij neni. Kuvendi shqyrton kërkesën në seancë plenare brenda një jave nga paraqitja e raportit të komisionit përkatës.

    6. Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda 8 javëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda një jave nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të.

    7. Në të gjitha rastet, komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur kandidatura nuk plotëson kushtet ligjore të vendosura në Kushtetutë apo ligj, komisioni, nëpërmjet raportit të tij, i kërkon Kryetarit të Kuvendit të njoftojë institucionin propozues për mospërmbushjen e këtyre kritereve. Procedura e shqyrtimit në Kuvend vazhdon vetëm në rastin kur institucioni propozues shprehet lidhur me këtë çështje.

    8. Kur asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e kërkuar të votave, procedura fillon me kandidatura të tjera nga e para, sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje