Biznesmenë të suksesshëm janë edhe zyrtarët më të lartë të institucioneve të Kosovës. Përpos marrjes aktive me politikë, e cila gjë u siguron paga të majme, ministrat e Qeverisë së Kosovës, deputetët e Kuvendit dhe kryetarët e komunave fitojnë shuma të mëdha parash edhe nga bizneset e tyre private, të cilat shpeshherë janë fitues të tenderëve publikë.
Prijnë Kelmendi, Pacolli, Krasniqi
Padyshim në krye të listës që siguron të ardhura më të mëdha nga biznesi privat ndodhet deputeti i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramiz Kelmendi, i cili ka deklaruar fitim të pastër nga kompania “Elkos” në vlere prej më shumë se 9.2 milionë euro.
Kelmendi do të mund të radhitej i dyti në listën e më të pasurve, po qe se ish-presidenti Behgjet Pacolli do t’i deklaronte të ardhurat reale nga të gjitha bizneset e tij.
Pacolli ka deklaruar se ka të ardhura në vlerë prej 400 mijë euro nga bizneset në Zvicër. Pacolli ka deklaruar se i ka 60 për qind të aksioneve në Bankën Ekonomike të Kosovës dhe kompaninë e sigurimeve “Siguria”. Nga Banka Ekonomike ai nuk ka deklaruar fitim, ndonëse ka thënë se merr qira vjetore prej 144 mijë euro.
I treti në listën e më të pasurve ndodhet deputeti i “Vetëvendosjes”, Florin Krasniqi, i cili ka deklaruar pagë nga kompania “Triangle” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vlerë prej 700 mijë euro dhe 150 mijë euro të ardhura nga biznesi në Kosovë.
Nga ministrat e Qeverisë Thaçi, Agim Çeku ka deklaruar aksione në “Telekomin kroat”. Ndërsa ministri tjetër i Qeverisë, Nenad Rashiq, ka deklaruar se i ka 20 për qind të aksioneve në biznesin “ N&N Commerce” në Dobrotin, biznes i cili i siguron 3600 euro.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, fiton mirë nga zhvillimi i biznesit privat. Kolegji “Cambridge” në Pejë i siguron Beqës të ardhura prej 18 mijë eurosh.
Bizneset e deputetëve
Shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë deklaruar se kanë aksione në biznese të ndryshme, ndonëse shpeshherë janë kritikuar nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, se po i fshehin bizneset e tyre.
Deputeti Agim Kuleta ka deklaruar se i ka 50 për qind të aksioneve te biznesi “Fair Play”, i cili i ka siguruar të ardhura në vlerë prej 8400 euro, ndërsa biznesi tjetër “X Print” i ka siguruar 3600 euro të ardhura.
Deputeti i LDK-së, Bahri Thaçi, ka deklaruar të ardhura në vlerë prej 12 mijë euro nga ordinanca private specialisti “Shpëtimi”.
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka deklaruar se i ka të hyra 1500 euro nga kompania “ERC Trade”.
Deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku, ka deklaruar se i ka 51% të aksioneve në kompaninë e sigurimeve “Sigkos”, aksione në instituticionin financiar jo bankar “Lesna” dhe më pak se 3%aksione në bankën sllovene “NLB”.
Kryetarët biznesmenë
Kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, por edhe pesë kryetarë të tjerë të komunave të Kosovës, edhe më tej vazhdojnë të mbajë postin e kryetarve të komunave, por edhe pronarit të kompanive private, ku përmes tenderëve përfitojnë nga fondet publike.
Zyrtarisht kreu i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) se është aksionar me 250 mijë euro, apo 15 për qind, në kompaninë “Viva Frutta”, e njohur si fabrika për pjekjen e bananeve në Gjilan.
Në këtë kompani aksionar është edhe Mustafë Shala, pronar i kompanisë “Compact Group”, ku ky i fundit ka marrë tender miliona euro në ndërmarrjen publike “Termokos” në Prishtinë.
Po ashtu, kreu i komunës Mustafa ka deklaruar se është aksionar me 10 mijë euro, apo me 50 për qind edhe në kompaninë “Vision” në Gjilan.
Por, sipas burime të gazetës, kryetari Mustafa është aksionar edhe në një kompani që merret me tregtimin e vajrave, por ka aksione edhe në disa kompani tjera që figurojnë në emër të shokëve dhe miqve të tij. /zëri/
Nuk e kuptoj perse sillen artikuj me tituj pompoze ku flitet per milioneret e Kosoves dhe ne artikull vetem i pari deklaron te ardhura me shume se 1 milion euro!!
Kur titulli nuk korespondon me realitetin kemi te bejme thjesht me manipulim! Eshte si ne vitrinen e nje dyqani te ekspozosh rroba, e ne dyqan shitet mish!
Mire po e fillon vitin 2012 Tema..
jetoj ne new york kam nje pyetje per ju zoterinj keta kryetare i kane pasur bizneset me perpara se te merrnin detyren dhe nuk i kane bere kur kane qene ne detyre.Po nuk vute ne krye njerzit e mencur bisnesmenat ke do te vini gazetare qe skne buk te hane por ju nuk beheni njerz kurre more zotni dhe as keni per tu bere kurre. Kush merret me politike ne amerik njerzit qe kane miljona.
Po keta edhe biznese te fuqishme edhe kerkojne te jene ne krye te politikes
Keta duan qe ti kene te gjitha , edhe biznesin edhe politken
Lejoni te merren me politke ata intelektuale qe nuk jane te pasur , se keta qe kane biznese e kane jeten te siguruar