Korrupsioni lë Kosovën pa “Mercedes”
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, e ka privilegjin që është zyrtari i fundit, i cili me para të buxhetit të Kosovës ka blerë veturë zyrtare të tipit “Mercedes”. Kjo për faktin se gjiganti gjerman dhe botëror i automobilave “Mercedes” ka vendosur që prej muajit të ardhshëm të mos i shesë vetura Qeverisë së Kosovës. “Babai” i veturave luksoze në botë jo që nuk dëshiron t’i shesë prodhimet e veta në Ballkan, por një vendim të tillë e ka marrë për faktin se Kosova ka një nivel të lartë të korrupsionit, të cilën gjë e konfirmon edhe “Transparency International”.
Sipas kësaj të fundit, shteti më i ri në Evropë radhitetit në vendin e 112, që do të thotë se konsiderohet si një vend me nivel të lartë të korrupsionit, duke u vendosur kështu në një grup me shtetet si: Algjeria, Egjipti, Moldavia, Senegali dhe Vietnami. Burimet e sigurta të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se përfaqësuesit e autorizuar të “Mercedesit” në Kosovë nuk mund t’iu shesin vetura institucioneve të Kosovës, nëse këto të fundit shpallin tenderë publikë për blerje të veturave të këtilla.
Sipas këtyre burimeve, nëse shpallen tenderë publikë për blerjen e veturave “Mercedes”, atëherë marrëveshja për shitblerje të veturave, duke i përfshirë këtu edhe ofertat, duhet të negociohet me përfaqësuesit e “Mercedesit” nga Shtudgardi i Gjermanisë, aty ku prodhohet vetura simbol i kualitetit dhe qëndrueshmërisë.
Komunarët e Gjilanit vodhën peshqirët e hotelit
Kur një delegacion i komunës së Gjilanit ishte për udhëtim gjatë verës 2011 në Durrës, te hoteli ku kishin qënduar në ditën e kthimit kishin vendosur të mos kthehen duarthatë! Ata kishin vjedhur peshqirët e këtij hoteli, ndërkaq sigurimi i këtij hoteli në momentin e largimit nga hoteli u kishte zbrazur të gjitha valixhet për t’i kthyer mbrapa peshqirët e vjedhur.
Mustafa favorizon ortakun, dëmton Komunën
Favorizon ortakun në raport me Komunën që e drejton. Kështu ka vepruar kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili ortakut të tij, Mustafë Shala, që është pronar i hotelit “Kristal”, ia ka dhënë një parcelë 433 metra katrorë para këtij hoteli dhe buzë rrugës kryesore të qytetit, në këmbim të një prone tjetër më pak të vlefshme dhe që gjendet mbrapa hotelit.
Mustafa dhe Shala janë aksionarë në kompaninë “Frutta Viva”. Por, ky i fundit ka edhe biznese si “Compact Group” dhe “Hotel Kristal” në Gjilan.
Mujota shpërblen vëllanë e gruas
Ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota ia ka besuar vëllait të gruas shtypjen e testeve për patentë shoferi pa asnjë procedurë të prokurimit. Për këtë tender, policia e vendit kishte mbyllur disa qendra patentash të shoferit për falsifikim të këtyre testeve. Ndërsa dhënien e tenderit mikut e ka arsyetuar duke pohuar se është i besueshëm, në mënyrë që testet të mos kalojnë në duar të kandidatëve para se të hyjnë në test.
Bordi i PTK dha 2.5 milionë euro për sponsorime
Hiç më pak se 2.5 milionë euro i kanë harxhuar drejtuesit e Postë Telekomit të Kosovës (PTK) në emër të sponsorimeve dhe donacioneve vetëm gjatë tre vjetëve të fundit. Mjete këto sa rreth 10 mijë paga mesatare të shërbyesve civilë në Kosovë.
Shuma të mëdha të parave, të cilat e kalojnë edhe shifrën prej 100 mijë euro janë aprovuar nga Bordi i Drejtorëve të kësaj kompanie publike për të realizuar dokumentarë të ndryshëm televizivë, ndonëse ata nuk janë realizuar sot e kësaj dite.
Për sponsorimet dhe donacionet deri në 7000 euro vendos menaxhmenti i kompanisë publike, ndërsa për shumat më të mëdha vendos Bordi i Drejtorëve.Ky bord që kryesohet nga Rexhë Gjonbalaj ka aprovuar në disa raste shuma marramendëse të parave në emër të sponsorimeve, duke sponsoruar edhe projekte tëndryshme komerciale, të cilëve zakonisht nuk u mungojnë as sponsorët e tjerë.
Qeveria në katër rrota
Më mirë vetura luksoze, sesa investime kapitale. Kështu kanë vendosur disa ministri të Qeverisë së Kosovës, me aprovim të kryeministrit Hashim Thaçi, që qindra mijëra euro të planifikuara në fillim të vitit për shpenzime kapitale në vend, t’i zëvendësojnë me blerje të veturave.
Disa ministra, siç është ai i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, 50 mijë euro të parapara për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, në kuadër të projektit “Turizmi Kulturor i Kosovës” ka vendosur t’i rialokojë në blerje të veturës.
Ndërsa ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka hequr dorë nga blerja e pajisjeve teknologjike në vlerë prej 60 mijë euro, duke i dhënë përparësi kështu blerjes së veturave për administratë./zeri
shqiptare nuk jane dhe keta ptu lam nam duam evrope ne
Bravo ! Keshtu vazhdoni ! Jeni ne rrugen e duhur !