Shuhet “ëndrra skoceze” e Salihit, ende i pavendosur të shkojë në Kinë. Kërkon më shumë para

1 Shkurt 2012, 15:33Sport TEMA

Sulmuesi shqiptar Hamdi Salihi, shpresonte të transferohej në Skoci gjatë merkatos së janarit dhe siç flitej në media, për të interesoheshin dy klubet më të mëdha të këtij vendi, Reinxhërs dhe Sëlltik.

Megjithatë, me mbylljen zyrtare të merkatos së transferimeve në Evropë, futbollisti ka mbetur ende pronë e Rapidit të Vjenës, skuadër me të cilën ka kontratë deri në fundin e sezonit. Kjo ka acaruar më shumë marrëdhëniet e futbollistit me klubin që shpresonte ta shiste atë te një ekip kinez për të përfituar diçka financiarisht.

Lojtari mendohej se do të udhëtonte drejt Kinës për të bërë vizitat mjekësore, por ai ka preferuar të qëndrojë në Vjenë dhe të stërvitet i vetëm në ambientet e klubit.

Menjëherë pas mesnate, mediat austriake kanë intervistuar Saihin për të pyetur se cila do të jetë e ardhmja e tij. Ai nuk ka ngurruar të theksojë se mund të vazhdojë të qëndrojë deri në fundin e kontratës së tij te Rapid, për t’u larguar si lojtar i lirë gjatë verës.

 

-A e keni pranuar ju ofertën e Çangçun në Kinë?

“Jo, unë kam thënë gjithmonë se çdo ofertë ka parësore aspektin sportiv. Nëse ata më dëshirojnë në të vërtetë në Kinë, duhet të përmirësojnë ofertën. Ajo duhet të jetë diçka e veçantë financiarisht”.

-Kjo do të thotë se i keni kërkuar kushte më të mira financiare skuadrës së Çangçun?

“Po, ka ende kohë, pasi afati i transferimeve në Kinë mbyllet me 2 mars. Po qëkur i kam bërë të ditur kërkesa e mia, kinezët nuk kanë kthyer përgjigje”.

-Trajneri Shëtel ju ka rekomanduar të ndryshoni skuadër. A keni patur oferta të tjera?

“Po, unë kam refuzuar oferta nga Greqia, Turqia dhe Qipro, nga klube të rëndësishme, por ato nuk përputheshin me objektivat e mi sportiv”.

-Ëndrra juaj ishte Gllasgou Reinxhërs. Përse nuk u realizua megjithëse ata shitën Jelaviç dhe ju propozuan si zëvendësuesi i tij?

“Unë vazhdova të kisha kontakte me Jelaviç dhe Reinxhërs. Por me sa duket, ata kishin vendosur për një sulmues nga kampionati anglez”.

-Si do të vazhdojë situata tani?

“Do të pres nëse kinezët interesohen përsëri. Por ka mundësi që ata të marrin një sulmues tjetër. Më pas duhet të flas me trajnerin dhe të pyes nëse duhet t’i bashkohem skuadrës në Portugali”.

-Ku do të luash në pranverë?

“Ndoshta në Kinë. Por mendoj se me shumë mundësi do të qëndroj te Rapid. Më pëlqen klubi, njerëzit dhe qyteti i Vjenës”. /lajmeshqip

1 komente në “Shuhet “ëndrra skoceze” e Salihit, ende i pavendosur të shkojë në Kinë. Kërkon më shumë para”

  1. Argita_B says:

    Klubet paguajne 300 mije euro ne vit rroge dhe duan te marin 2 milion euro per 4 muaj, perndryshe te denoje, ky eshte komunizmi privat, i quajtur ndryshe, Demokraci.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje