Stamm: Jahjaga, sharmante dhe ambasadore e mirë

4 Shkurt 2012, 12:13Rajoni TEMA

Parlamenti i Bavarisë ishte institucioni i parë zyrtar që vizitoi presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në Munih. Jahjaga ndodhet për një vizitë treditore në kryeqytetin e Shtetit të Lirë të Bavarisë për të marrë pjesë në punimet e Konferencës së Sigurisë, por ajo po e shfrytëzon këtë ngjarje për t’iu prezantuar edhe disa politikanëve të Shtetit të Lirë të Bavarisë, tradicionalisht të lidhur me Ballkanin.

Njëra syresh ishte Barbara Stamm, kryetare e parlamentit të Bavarisë, të cilën Jahjaga e takoi të premten paradite. Kristiansocialja 68 vjeçare e njeh Kosovën qysh prej vitit 1999.

Në një intervistë dhënë DW-së në gjuhën shqipe, Stamm thotë se ishte dëshirë e Presidentes Jahjaga, por edhe kureshtja e vetë Stamm, që të takohet me të dhe është shprehur tejet e lumtur për takimin.

“Me sa pata mundësinë ta njihja brenda një kohe kaq të shkurtër, ajo (Jahjaga) jo vetëm që ka shumë sharmë, por ka edhe njohuri të shkëlqyera e instinkt në politikë. Unë gjykoj se ajo vërtet që i paraqet çështjet njerëzisht, por është edhe këmbëngulëse. Dhe e tillë duhet të mbetet”, ka thënë Stamm.

Ndërkohë, ajo ka thënë se pavarësisht ndihmës që i jepet Kosovës në fusha të ndryshme, e sidomos në atë të së ardhmes së saj, kjo gjë, sipas saj, varet nga zhvillimi i vetë Kosovës e ajo ka një rrugë intensive përpara.

Kujtojmë se kryetarja e parlamentit të Bavarisë, Barbara Stamm, ka qenë mbas luftës në Kosovë me organizata humanitare përmes së cilave e ka ndihmuar Kosovën për të ndërtuar një spital të shkatërruar.

“Ishte një ndjenjë e veçantë të shihje se sa simpati që gëzonin ushtarët gjermanë. Unë në atë kohë isha ministre e Çështjeve Sociale dhe kam qenë përgjegjëse për pranimin e refugjatëve, e kjo nuk ishte aq e thjeshtë: kishte shumë, dhe sidomos gra, që kishin përjetuar gjëra të tmerrshme, u ishin vrarë bashkëshortët, ose ishin ndarë me forcë nga familjet. Këto janë përjetime që kanë lënë gjurmë deri më sot. Dhe sigurisht që unë jam e interesuar të dëgjoj tani pas shumë vitesh se si ky vend po përpiqet të japë një kontribut të vetin në Evropën e Bashkuar, dhe që në këtë rrugë duhet të plotësojë disa kushte, siç e bëri shumë të qartë edhe zonja presidente. Por le ta lemë mënjanë politikën e madhe. Përshtypja ime personale për të, është se presidentja Jahjaga është një ambasadore e mirë e vendit të saj dhe se këtë do ta shfrytëzojë edhe në Konferencën e Sigurisë”, ka thënë kryetarja e parlamentit të Bavarisë, Barbara Stamm. /Zëri/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje