INTERVISTA/ Besnik Mustafaj: Përse e shpërfill Perëndimi Berishën

25 Shkurt 2012, 21:08Politika TEMA
INTERVISTA/ Besnik Mustafaj: Përse e shpërfill Perëndimi

 

Ish- ministri i Jashtëm dhe politikani e publicisti i njohur, Besnik Mustafaj, thotë në këtë intervistë për JAVA se vendit i duhet një president pa ‘tutor’. Projekti ‘Topi’ jep sipas tij shpresë për një parti liberale e të hapur djathtas. Mustafaj në politikën aktive? “S’më pëlqen të jap përgjigje të prera e përfundimtare”

Bisedoi: Skënder Minxhozi

Revista Java

Zoti Mustafaj, diskutimi rreth presidentit të ardhshëm sillet rreth formulës së përzgjedhjes. Komuniteti ndërkombëtar po anon drejt një figure përbashkuese mes palëve. Cili është identikiti politik që ju bëni për kreun e ardhshëm të shtetit?

 

Si një nga themeluesit e Partisë Demokratike, do të më pëlqente që edhe Presidenti i ardhshëm i Republikës të vinte nga mjediset e kësaj partie. Një forcë politike dëshmon pjekurinë dhe përgjegjësinë më të lartë ndaj kombit kur një nga anëtarët e saj merr drejtimin e shtetit. Por në kontekstin e sotëm kjo më duket e vështirë. Jo se nuk gjendet midis demokratëve një personalitet me cilësitë e përshtatshme për një mision të tillë të madh. Arsyet, sipas gjykimit tim, janë krejt të tjera.

Gjatë mandatit të Topit, siç e kemi parë, Berisha tregoi se e ka të sikletshme të mësohet me realitetin ku një nga bashkëpunëtorët e tij të djeshëm duhet të veprojë në përputhje me detyrimet kushtetuese tashmë dhe jo në zbatim të udhëzimeve  të tij. Për pasojë, kësaj here Berisha do të përdorte  gjithë mekanizmat politikë dhe procedurialë për të çuar në Presidencë  një njeri me profil krejt të kundërt nga ai i Topit. Kjo gjë, jam i sigurtë, nuk do të pranohej nga opinion ynë shoqëror dhe as nga miqtë  e Shqipërisë, kundërvënia ndaj të cilëve do të rrezikonte një izolim fort të kushtueshëm për të ardhmen e vendit. Fakti se debati për Presidentin e ardhshëm është çelur muaj më parë, dëshmon se opinioni ynë publik e ka një ankth e një frikë se mos Berisha “vepron me kokën e vet” dhe merr nën kontroll direkt ose indirekt kreun e shtetit. Fakti, gjithashtu, që në këtë debat përfshihen përditë e më gjallërisht edhe ndërkombëtarët, dëshmon se ankthi  dhe frika e opinionit tonë shoqëror përputhet me preokupimin në rritje të miqve të Shqipërisë.

Përmbajtja e shqetësimit të opinionit tonë shoqëror me shqetësimin e opinionit diplomatik europian dhe amerikan lidhet konkretisht me rolin kushtetues të  kryetarit të ardhshëm të shtetit në emërimin e drejtuesve  të disa prej institucioneve, pavarësia e të cilave nga pushteti politik është themelore për demokracinë. Realisht ka filluar një përballje nervash midis Berishës dhe ndërkombëtarëve. Berisha deri tani e ka paraqitur zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm si një çështje të mbyllur brenda procedurash dhe teknikalitetesh të mirëfillta ligjore. Është një suazë ku ai është i sigurtë se kontrollon gjithçka. Europianët dhe amerikanët këshillojnë që kjo zgjedhje të kryhet  sipas disa modaliteteve, të cilat vërtetë nuk shprehen  në germën e ligjit, por mishërojnë frymën e ligjit. Në një frymë të tillë nuk do të ishte përcaktues as subjektiviteti i Berishës e as i Ramës dhe vendi do të fitonte një President pa “tutor”. Personalisht jam i bindur se kjo është rruga, nëpër të cilën duhet  ecur. Kjo nuk do të thotë se në këtë rrugë do të zgjidhej  një President apolitik.  Përkundrazi. Vetë kushtetuta e detyron Presidentin të bëjë politikë, me kusht që ajo të mos jetë politike partiake.

 

A do të ishin dy kandidatura të përfolura, ajo e Topallit dhe e Nanos, një zgjidhje e qëndrueshme në postin e presidentit?

 

Nuk më duken njëra as tjetra zgjidhje e qëndrueshme. Nano u largua nga politika përmes humbjes së zgjedhjeve në qershor 2005. Mënyra  si e mbajti ai përgjegjësinë  para partisë së vet në radhë të parë e mandej para kombit, përbën një kontribut më vete nga ana e tij në pjekurinë e politikës shqiptare. Në asnjë vend demokratik nuk riciklohen personalitete të tilla, pavarësisht moshës së tyre. I rikthyer si kryetar shteti, ai moralisht do të kishte tashmë ato cene që kimikisht ka një mall i ricikluar. Nuk besoj se elitat shqiptare janë rrënuar  në atë masë sa kombi të thërriste në ndihmë Nanon. Gjithsesi, jam i bindur se zgjedhja e Nanos në krye të shtetit i shërben vetëm Berishës personalisht,  lidhur me zgjedhjet e vitit 2013. Por do të ishte krejtësisht në kundërshtim me interesat programore të Partisë Demokratike dhe do e dëmtonte rëndë  rrezatimin moral të antarësisë demokrate mbi pjesën tjetër të shoqërisë.

Ndërsa hipoteza Topalli përputhet me tepri me kallëpin që Berisha  ka tashmë për njeriun në Presidencën e Republikës. Si veteran i Partisë Demokratike do të thosha se delegimi i Topallit në krye të shtetit do i dëmtonte po ashtu rëndë interesat programore të vetë Partisë Demokratike. Nisur nga cilësitë intelektuale të Zonjës Topalli, emërimi i saj “atje lart” do të shprehte para shqiptarëve një nënvleftësim të palavdishëm nga ne, demokratët, për vetë shtetin. Por është dhe aspekti i integritetit të saj moral. Emërimi i dhëndrrit të saj nga një ambasadë në tjetrën duke ndjekur të bijën ku shkon për të studiuar, është një simptomë shumë e rrezikshme. Fjala është për një djalosh që nuk ka asnjë lidhje me diplomacinë. Atij i jepen çelësat  e një zyre të rëndësishme me një rrogë të mirë vetëm që vajza e Jozefinës të bëjë jetë studenti nëpër apartamente luksoze, të ketë veturë dhe privilegje të tjera. Për abuzime shumë më të vogla me pushtetin, Presidenti i Gjermanisë dha dorëheqjen para pak ditësh, duke i kërkuar madje  ndjesë kombit pse me sjelljen e vet e kishte njollosur institucionin e kryetarit të shtetit.

 

U njoftua dalja e Aleancës Kuq e Zi si parti politike. Çfarë sjell ky zhvillim, i parë në optikën e një procesi ku mesa duket do të lindë një e djathtë alternative, e pasuar edhe nga partia e përfolur e presidentit Topi, por dhe aleatë të tjerë të këtij frymëzimi politik?

 

Unë  e kam të vështirë të parashikoj se çfarë zhvillimesh do  të sjellë në skenën politike dalja e Aleancës Kuq e Zi si parti. Më së pari, nuk them dot se kjo do të jetë parti e djathë. Sepse një parti bëhet e djathtë jo nga parrullat e zhurmshme nacionaliste. Duçja dhe partia  e tij fashiste apo Hitleri dhe partia e tij nacional-socialiste, në programet e tyre ekonomike, në përcaktimin e rolit të shtetit në shoqëri dhe në aspektet e tjera themelore për fizionominë e një force politike, ishin me frymëzim socialist. Po ashtu edhe tek ne Balli Kombëtar, një organizatë flamurtare e nacionalizmës shqiptare, ka qënë në programin e vet një parti social-demokrate, gjë që harrohet sot të përmendet. Pra, ne nuk kemi as edhe një program minimal të kësaj partie në lindje, për të gjykuar mbi qëndrimin e saj ndaj rolit të shtetit në shoqëri dhe në ekonominë e tregut, mbi vizionin e saj për organizimin e ekonomisë e kështu me radhë. Për një njeri që ka lexuar ca libra dhe ka një farë përvoje në politikë, si puna ime, edhe nacionalizmi i parrullave të kësaj Aleance duket pa substancë të vërtetë. Ndoshta gabohem, por po përpiqem të jem i sinqertë. Nuk shoh në deklarimet publike të drejtuesve të AK një vazhdimësi apo qoftë edhe rilindje të nacionalizmit tradicional shqiptar. Dhe me të drejtë. Ai nacionalizëm ishte zemra e ideologjisë tonë kombëtare në një periudhë historike kur ekzistenca jonë kombëtare ishte e kërcënuar siç ishte e rrezikuar  tërësia territoriale e atdheut. Sot rreziqet  e vjetra kanë rënë. Por nuk shoh te Ak as tiparet e nacionalizmit të shekullit të XXI, të tillë siç e shohim në vendet  zhvilluara evropiane, një nacionalizëm ksenofob ndaj të huajve  dhe me frymëzime anti BE, për shkak të delegimit në Bruksel të një pjesë të sovranitetit kombëtar. Megjithatë, më e rëndësishmja e këtij organizimi politik mbetet për t’u parë.

Ndryshe do të shprehesha për atë që ju e quajtët “ partia e përfolur e Presidentit Topi”. Profili politik dhe njerëzor i Topit si dhe i disa figurave me autoritet publik, të cilët e kanë konfirmuar veten si pjesë të këtij projekti, japin shpresë për një parti liberale e të hapur të qendrës, me të cilën të identifikohet në përgjithësi klasa e mesme shqiptare. Nëse do të arrijë të organizohet shpejt dhe të shtrihet në mbarë vendin deri pranverën e ardhshme, kjo parti ka shumë gjasa të përbëjë një fenomen me rëndësi të veçantë në ripërtëritjen e krejt jetës politike shqiptare duke sjellë aty sidomos kulturën e munguar sot më shumë se kurrë të ballafaqimit të alternativave dhe të debatit të qetë, pa të shara “me libër shpie” dhe ulërima. Gjithsesi, deri sot që po flasim bashkë, “mbështetësit e Topit” janë ende vetëm një projekt.

 

Kryeministri Berisha vijon të përdorë një stil komunikimi politik i cili bazohet mbi sulmet e “athta” mbi Ramën, Topin e një pjesë të institucioneve, e nga ana tjetër, në gjetjen e disa temave periferike, të cilat duket se kërkojnë surprizën, më shumë sesa zgjidhjet konkrete. Si e shihni këtë komunikim në këto kohë?

 

Është një komunikim sigurisht shumë i sforcuar dhe pa thelb. Berisha beson se në situatat konfliktuale, si ushtar i vjetër që është, ka më shumë shanse se kundërshtarët e tij për të dalë fitimtar. Kjo ishte e vërtetë për sa kohë Rama, i cili nuk po krijon dot modelin e vet të udhëheqësit, e pranonte verbazi dorashkën e Berishës. Kur Rama nisi të ndryshojë, Berisha, krejt si në teatër, zuri ta shtonte rrethin e kundërshtarëve. Ishte radha e Topit, pastaj e Prokurores së Përgjithshme, e Aleancës kundër importit të plehrave, tani e Kreshnik Spahiut. Me këtë mënyrë komunikimi Berisha tregon se nuk merr parasysh ndryshimin e cilësisë që ka pësuar opinioni ynë publik, i cili nuk është më as si në vitin 1991 e as si në vitin 1998. Mënyra si e zhvilloi fushatën elektorale në Tiranë Lulzim Basha dhe arriti fitoren më të madhe që ka arritur ndonjëherë Partia Demokratike në kryeqytet, përjashtuar 22 marsi 1992, do të duhej ta shtynte Berishën të nxirrte ndonjë mësim për stilin e vet të komunikimit. Me aq sa munda të gjykoj unë nga daljet  e tij publike, do të thosha se ai është shkëputur me tepri nga realiteti.

 

Si diplomat me përvojë, si e komentoni faktin që krerët e lartë të legjislativit dhe ekzekutivit kanë vizituar javët e fundit Indonezinë, Emiratet, Libinë, Azerbaixhanin? Ndërkohë që mungojnë vizita të nivelit të lartë dypalësh, në vendet europiane dhe Amerikën Veriore?

 

Vizita e Zonjës Topalli, qoftë në Lindje e qoftë në Perëndim, nuk kanë asnjë ndikim në procesin e veprimtarisë diplomatike të shtetit tonë. Ato mendoj se thjesht tregojnë se Kryetarja ka kohë me bollëk dhe nuk ka skrupuj në përdorimin e buxhetit të Kuvendit. Në sajë të internetit, sot mund të bëhen lehtësisht krahasime me homologët e saj të vendeve të tjera. Rasti “Topalli” është unik. Ajo që quhet diplomaci parlamentare kudo në botën e lirë e demokratike zhvillohet nga komisionet për politikë të jashtme, nga delegacionet parlamentare pranë asambleve parlamentare të organizatave ndërkombëtare si dhe grupet parlamentare të miqësisë me vendet  e ndryshme. Këtu te ne të gjitha këto misione i ka marrë për vete ekskluzivisht Zonja Topalli thjesht se i pëlqen të udhëtojë,  jo se e kryen dot punën e kolegëve të vet të rangut më të ulët.

 

Për aktivitetin e kryeministrit mendoj se arsyetimi duhet bërë ndryshe.  Shqipëria ka dalë përfundimisht nga izolimi, por nuk e ka kapërcyer ende mirë  “harrimin” nga pjesa më e madhe e botës për gjysmë shekulli. Rrjedhimisht, vendi ynë vazhdon të jetë në një dinamikë zgjerimi dhe intensifikimi të marrëdhënieve  diplomatike, ekonomike dhe kulturore me shumë vende të botës. Dhe më duket e natyrshme që figurat qendrore  të qeverisë  të zhvillojnë vizita në këto vende.

Por nuk duhet harruar se ne jemi Republikë Parlamentare, ku kryeministri ka një status shumë të ngjashëm me atë të kancelarit të Gjermani. Kjo do të thotë se udhëtimet e tij jashtë zhvillohen vetëm në rastet e rëndësisë së veçantë si dhe për të marrë pjesë në samite. Vizitat  e punës kryhen doemos nga ministri i jashtëm, ai i ekonomisë, ai i kulturës dhe antarët e  tjerë të kabinetit. Për t’u kthyer konkretisht te pyetja juaj: udhëtimet  e Berishës drejt vendeve si ato që përmendët ju, janë shprehje e protagonizmit të tij të papërmbajtur. Në këto vizita ai kryen zakonisht një punë që do e përmbushte më së miri një zëvendësministër. Pse nuk ka  edhe në Perëndim  vizita të tilla? Nuk ka sepse bisedimet rutinore me këto vende janë përmbyllur prej vitesh. Berisha nuk është në gjendje ta kuptojë  vetë dëmin që i bën në radhë të parë vetes, por edhe imazhit të qeverisë kur merr vetë rrugën  për të shkuar në seminarin e një dhome tregtie apo të një shoqate tjetër në Milano, në Toronto apo diku tjetër. Është në detyrën e ministrit të jashtëm t’ia bëjë të qartë. Nisur nga përvoja ime e gjatë si këshilltar i tij, them se ai dëgjon. Mbaj mend vetëm një rast kur nuk më ka mirëkuptuar: në pranverë 2007 e këshillova të mos shkonte në Egjipt për të takuar Mubarakun. U mërzit nga argumentat e mia, por aty për aty, megjithatë, hoqi dorë. Me t’u larguar unë nga qeveria, ai shkoi se shkoi te Mubaraku.

Kur shpreheni në pyetjen tuaj se “mungojnë vizita të nivelit të lartë dypalësh me vendet e mëdha evropiane dhe ne Amerikën Veriore” ju me siguri e hidhni fjalën te izolimi i kryeministrit  si person. E vërteta është se qeveria shqiptare nuk është e izoluar. Berisha do të mund ta fshihte me lezet këtë shpërfillje të vetes së tij nga Perëndimi në qoftë se nuk do të kryente rast e pa rast  udhëtime në rajone të tjera, gjithsesi periferike për fatin e Shqipërisë, dhe të përqëndrohej në problemet e brendshme, siç do të ishte krejt e natyrshme për një “kancelar”. Dhe, me kushtetutë, meritat e udhëtimeve të ministrave të tij do i merrte ai si kryeministër. Por ka një sekret të sigurtë për ta theyr këtë shpërfillje, të cilën Berisha duket se e vuan edhe shpirtërisht shumë. Ky sekret qëndron te ndryshimi i sjelljes së tij ndaj demkracisë  këtu brenda, në Shqipërinë ku ai qeveris.

 

6.  Ku do ta gjejnë zgjedhjet e vitit 2013 Besnik Mustafajn? Brenda apo jashtë politikës aktive?

 

Mua nuk më pëlqen të jap përgjigje të prera e përfundimtare. Sepse i besoj proverbit se vetëm budallai nuk ndryshon mendje. Nëse zgjedhjet e vitit 2013 do të ishin nesër, ju them pa mëdyshje se do të qëndroja këtu ku jam: i përqendruar te shkrimat  e mia dhe te disa punë që lidhen me refleksionet e mia si intelektual shqiptar. Vazhdoj të kem bindjen se unë  e kam bërë rrugën që më takonte në politikë. Tani jam në përfundim të një romani të ri dhe kjo gjë më jep një paqe të thellë me vetveten. Unë jam antar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Më preokupon shumë atrofizimi total i kësaj partie, me të cilën jam i lidhur shpirtërisht. Në mungesë të mbledhjes së forumeve, bëj përpjekje t’i ftoj demokratët nëpërmjet mendimeve publike të çelin një debat për ngjalljen dhe demokratizimin e PD-së dhe të djathtës në përgjithësi sa nuk është tepër vonë. Pavarësisht sa dëgjohem, edhe kjo pjesë e veprimtarisë time si intelektual i djathtë, më ndihmon të ruaj paqen me veten.  Para pak vitesh, kur isha ende deputet, kam bërë një shkrim me titull “Edhe unë si Pons Pilati”.

 

7. Po shfaqet një tezë e cila kërkon zëvendësimin e elitave politike, pas dy dekadash tranzicion. Si e shihni këtë kërkesë, e cila duket se po tundon së fundi edhe faktorin ndërkombëtar?

 

Ne madje jemi shumë të vonuar për zevendësimin e elitave. Në të gjthë vendet ish-komuniste  kjo gjë është kryer me kohë. Edhe atëherë kur individët nuk e kanë kuptuar  vetë i ka përzënë me turp shoqëria nëpërmjet votës. Shembulli më domethënës është ai i Les Valesës në Poloni. Simboli i rezistencës antikomuniste në gjithë kampin sovjetik, fitues i çmimit Nobel për Paqen, kur këmbënguli për një mandat të dytë si president i vendit ë vet, mori vetëm 5 përqind të votave. Pra, në rastin e vendit tonë, fajin nuk e kanë vetëm elitat pse shfaqin gjithë këtë neps për pushtet. Fajin  e ka edhe opinioni ynë politik e shoqëror, i cili me përzgjedhjet e me votimet, tregon se është ende shumë i papjekur për ta përdorur demokracinë në shërbimin e vet.

 

Lini një Përgjigje