Gjatë kthimit nga vizita në SHBA, kryeministri Hashim Thaçi u takua sot në Stamboll me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Catherine Ashton. Kryeministri Thaçi e njoftoi Baroneshën Ashton lidhur me gjendjen në veri të vendit dhe “qasjen tërësisht anti-evropiane të Serbisë karshi Kosovës”.
Thaçi sipas një komunikate për media, e informoi Ashtonin lidhur me implementimin e pjesërishëm të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. “Qasja dyftyrëshe e Serbisë nuk duhet të tolerohet. Nuk mund të ketë në njërën anë një Serbi evropiane karshi Brukselit, dhe një Serbi mesjetare karshi Kosovës. Vrasja e qytetarit të Kosovës në shtëpi të vet, kidnapimi i policëve, arrestimet pa asnjë bazë ligjore të qytetarëve të Kosovës dhe vazhdimi i ekzistencës së strukturave paralele e ka tensionuar tej mase situatën”, tha Thaçi.
Kryeministri Thaçi në takimin me baroneshën Ashton u shpreh edhe lidhur me ngecjen e Serbisë në implementimin e marrëveshjeve të arritura. “Kredibiliteti i dialogut teknik nuk varet nga numri i marrëveshjeve të arritura, por nga implementimi i tyre. Fatkeqësisht, Serbia po zhagitë këtë proces”.
Baronesha Ashton ndërkaq, siç theksohet më tej në komunikatë, e siguroi kryeministrin Thaçi që do ta mbështesë Kosovën në rrugën e reformave drejt integrimit të plotë në Bashkim Evropian. /Telegrafi/
Kryetari i Amerikës e ka refuzuar takimin me ju si udhëheqës i shtetit dhe do ta refuzon secili njeri i ndershëm gjatë pranisë suaj në shtetin e tij. Ju jeni duke e shkatërruar kombin shqiptar në shtetin tuaj më shumë se armiqtë nga të cilët ankoheni. Secili që është mik i juaj në këtë moment është armik i shqiptarëve të Kosovës.