Albin Kurti, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje! i dërgoi një letër Presidentes së Republikës së Kosovës Ahtifete Jahjaga, ku është paraqitur kërkesa për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë. Letër ju dërgua dhe Kyetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqit në të cilën i kërkohet mbështetja për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në lidhje me ngjarjet në Mitrovicë si dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi me kërkesën për inicim të diskutimit në NATO dhe OKB të ngjarjeve në Mitrovicë.
Letra për Atifete Jahjagën
Shkelqësisë së saj, Presidentes së Republikës së Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga
Shkelqësia Juaj, Znj.Presidente,
Shpresoj t`ju gjejë mirë kjo letër imja. Po ju shkruaj nga shqetësimi i thellë për atë që po ndodh në Mitrovicë.
Dhuna dhe terrori ndaj shqiptarëve në veri të Mitrovicës janë intensifikuar. Pardje, me eksploziv të sofistikuar u vra Selver Haradinaj dhe u plagosën e lënduan anëtarët e familjes së tij: gruaja dhe katër fëmijët. Dje, pika statike e policisë së Kosovës që u vendos atje nuk qëndroi as pesë minuta meqë u shkatërrua nga strukturat armiqërore e kriminale të Serbisë. Nën terrorin e përditshëm, duke qenë edhe të varfër e të papunë, shqiptarët në veri të Mitrovicës sot janë njerëzit më të rrezikuar në Evropë.
Gjendja në Mitrovicë është e jashtëzakonshme. Karshi kësaj gjendjeje nuk mund të sillemi në mënyrë të zakonshme. Pikërisht kjo sjellje është e jashtëzakonshme. Sjellja e zakonshme në një situatë që objektivisht është bërë e jashtëzakonshme, është e jashtëzakonshme. Kjo sjellje mund të tolerohet kur është e ndonjë qytetari, por kurrsesi nëse ashtu bëjnë institucionet e Republikës që kanë për obligim t`iu shërbejnë qytetarëve e t`i mbrojnë ata. Madje, vetë qytetarët janë të indinjuar e të frikësuar, por gjithnjë e më shumë edhe të dëshpëruar e të zhgënjyer, nga shpërfillja institucionale që po e përjetojnë teksa orvaten të mbijetojnë në këtë gjendje të jashtëzakonshme.
Duke u bazuar në nenin 84, pika 22, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju mund të shpallni gjendjen e jashtëzakonshme. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe si deputet i Kuvendit, Ju sugjeroj që ta shpallni gjendjen e jashtëzakonshme në Mitrovicë. Pra, gjendjes që tashmë është e jashtëzakonshme, t`ia jepni të tillë edhe emrin zyrtar. Vetëm asisoj institucionet e shtetit të Kosovës do të aktivizoheshin e mobilizoheshin duke u ngritur në nivelin e detyrës që e kërkon situata e rëndë aktuale. Reagimet e veçanta dhe të kohëpaskohshme të policisë së Kosovës nuk kanë dhënë dhe nuk do të japin rezultatet e duhura. Njëkohësisht, e gjithë Mitrovica, si një komunë e si një qytet, do të trajtohej njëjtë dhe e bashkuar. Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë, në bazë të nenit 84, pika 23, të Kushtetutës, Ju do t`i kryesonit mbledhjet e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Shteti i Kosovës ka mekanizma dhe potenciale. Ata duhen vënë në lëvizje për hir të atyre për të cilët ekzistojnë ata mekanizma dhe potenciale: qytetarët e Kosovës. Shteti i Kosovës dhe e ardhmja e tij maten me Mitrovicën. Të gjithë kemi përgjegjësi, porse ata që kanë më shumë mundësi, kanë edhe më shumë përgjegjësi.
Duke besuar në vullnetin tuaj të mirë dhe përgjigje pozitive, pranoni përshëndetjet tona.
Sinqerisht,
Albin Kurti
Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës
Prishtinë, 10 prill 2012
Letra për Bamir Topin
Shkelqësisë së tij, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bamir Topi
Shkelqësia Juaj, Z. President
Tashmë është bërë e qartë situata e terrorit dhe rrezikut për spastrim të ri etnik në pjesën veriore të Mitrovicës. Sulmi i datës 8 prill 2012 ndaj familjes Haradinaj pati për pasojë vdekjen e Selver Haradinajt dhe plagosjen e fëmijëve të tij. Të nesërmen, në të njëjtën lagje, u mor peng polici i Kosovës, u përzë patrulla policore dhe u shkatërrua pika e saj statike, kurse gazetarët u sulmuan dhe pati dhunë ndaj tyre. Të gjitha këto janë më se të mjaftueshme për ta provuar qëllimin e strukturave armiqësore e kriminale të Serbisë në veri të lumit Ibër.
Siç e dini, Republika e Kosovës nuk mundet që këtë çështje ta iniciojë për diskutim në organizata apo struktura ndërkombëtare si OKB dhe NATO.
Ndërsa Ju, si përfaqësuesi i Republikës së Shqipërisë dhe i shqiptarëve në OKB dhe NATO, mundeni që ta inicioni diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë.
Nevojitet pra, veprim politik e diplomatik kombëtar, para se përmasat e spastrimit më të ri etnik ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, të ngjajnë me ato të viteve 1998, 1999 dhe 2000.
Ndihma Juaj në këto momente është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme.
Me respekt dhe mirënjohje,
Albin Kurti
Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës
Prishtinë, 10 prill 2012
Letra për Jakup Krasniqin
Z. Jakup Krasniqi Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,
Duke marrë parasysh situatën e rënduar në veri të Mitrovicës pas sulmeve të fundit me pasoja tragjike, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka marrë iniciativën për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të mërkuren, më 11 prill 2012. Kjo seancë mund të nxjerrë vendime konkrete për institucionet politike të Kosovës të cilat duhet t`iu dalin në ndihmë dhe mbrojtje qytetarëve tonë atje.
Sulmet terroriste dhe kriminale të strukturave ilegale të Serbisë në veri të qytetit të Mitrovicës janë shtuar. Të dielën u vra Selver Haradinaj si dhe u lënduan gruaja e fëmijët e tij, kurse një ditë më vonë u shkatërrua pika statike e policisë së Kosovës atje. Qytetarët në Mitrovicë jetojnë në ankth sepse janë të kërcënuar e të pambrojtur. Është e domosdoshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në Mitrovicë. Ne tashmë kemi filluar me mbledhjen e nënshkrimeve, porse na nevojiten së paku 40 sosh.
E dimë që dje dhe sot institucionet e Kosovës janë në pushim për shkak të festës së Pashkëve dhe ditës së Kushtetutës. Dhe, mund të mos jenë të rastësishme këto sulme pikërisht në ditët kur nuk punojnë institucionet. Le të mos harrojmë që shumë vrasje e masakra të forcave të Serbisë në luftën e fundit në Kosovë janë kryer në ditët e fundjavës: Abria, Reçaku, Krusha e Vogël, Theranda, Izbica, zhdukja e Ukshin Hotit etj. Njerëzit jetojnë edhe gjatë pushimeve e gjatë festave. Institucionet e Kosovës duhet të jenë përherë pranë qytetarëve e në shërbim të tyre.
Duke marrë parasysh pozitën tuaj si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe qasjet e qëndrimet konstruktive politike tuajat, kërkojmë mbështetjen dhe kontributin tuaj në inicimin dhe mbajtjen e kësaj seance.
Sinqerisht,
Albin Kurti
Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës
Prishtinë, 10 prill 2012
Albini vone kenka kujtue me i shkrue Topit se ky e zgjill problemin.
Medet cfare budallet .Topin nuk e dvet kush ne Shqiperi e jo ma larg.
Tung Albin
shkruaj leter sali berishes edhe erdoganit alpino se ata ta zgjidhin problemin menjehere. Mos harro te shtosh qe je vella me turqit.
Kjo letra qe ka bere Kurti eshte shume e Sakte , dhe keta pushtetaret tane duhet t ekishin reaguar pa pritur per letren e Kurtit
C’eshte kjo politke indiferente e shtetit shqiptar ndaj bashkekombasve tane ne trojet tona etnike ?
Ne kemi 5 bujq te qelbur qe e qujne veten greke , dhe mjafton tu hyje nje gjemb ne kembe atyre dhe politka greke sulte t e tera ne Shqiperi dhe ben proteste deri ne Strasburg
Ndersa aty eshte vrare kryefamiljari brenda ne shpi me eksploziv dhe Tirana zyrtare nuk thote asgje fare –Turp tu vije politkaneve te Tiranes
Ne Kosove Albini duhet te ngreje ne proteste gjithe Kosoven per kete qe po ndodh ,
se ata po fillojne genocidin e heshtur kunder shqiptareve ne Mitrovice
Ndaj te ngrihet gjithe populli ne protesta ne mes te Prishtines atje ku kane zyrat nderkombetaret
Politka kosovare duhet te protestoje edhe ne EU , tu dergoje edhe atyre nje leter si kjo e kurtit , dhe ne t enjetjen kohe ta ndepresi cdo dialog me Serbine
Nuk ka kuptim dialogu me ta, kur ata vazhdojne vrasjet …..
Ose dnryshe filloni edhe ju i godisni ata serbet qe jane neper Kosove –Ju nxini jeten, i beni qe te largohen…