Veriu po vret

9 Prill 2012, 10:08Rajoni TEMA

Selver Haradinaj ka mbetur i vdekur nga një shpërthim i fuqishëm në dritaren e banesës së tij, në Veri të Mitrovicës. Eksplozivi lëndoi edhe dy fëmijët e të vrarit, që ishin në gjumë. Policia filloi hetimet për rastin dhe nuk përjashtoi që ky akt të ketë prapavijë etnike. Në këtë ditë tragjike, familja Haradinaj ironizoi me Ministrin Bajram Rexhepi. E nga autoritetet në Prishtinë kjo vrasje u cilësua si akt terrorist.

 

Të gjithë po flinin. Një shpërthim i madh ua nxori gjumin të dielën pas mesnate, banorëve të lagjes Tre Rrokaqiejt që gjendet në Veri të Mitrovicës. I vetmi që nuk u zgjua është Selver Haradinaj. Eksplozivi i vendosur nga persona ende të panjohur, në dritaren e dhomës ku po flinte 38-vjeçari, e vrau në vend. Më shumë fat patën dy djemtë e tij binjakë që po flinin së bashku me të. Shtatëvjeçarët Alberti dhe Armendi nuk morën asnjë lëndim, edhe pse ishin në të njëjtën dhomë me babanë e tyre. E lëndime të lehta morën dy fëmijët e tjerë dhe bashkëshortja e tij.

Tash ata gjenden në shtëpitë e të afërmeve të tyre në Vushtrri. Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 1:00 pas mesnate, në rrugën “Kolashini”, përkatësisht në zonën e Tre Rrokaqiejve, ku shtëpia e familjes Haradinaj ishte cak i sulmit, të autorëve ende të panjohur për policinë.

“Një 38-vjeçar, i përkatësisë etnike shqiptare, e ka humbur jetën, si rezultat i sulmit me mjet eksplodues në banesën e tij në Veri të Mitrovicës, përkatësisht në zonën e Tre Rrokaqiejve, zonë e banuar me popullatë të përzier. Rasti është regjistruar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me pasoja fatale. Ndërsa, besohet se mjeti eksplodues të jetë një sasi e eksplozivit plastik, një bombë artizanale, me sasi 500 gramë të eksplozivit plastik. Më pas është aktivizuar me fitil ngadalëndezës, të vendosur në parmakët e dritares së katit përdhes të familjes Haradinaj”, ka thënë zëdhënësi Besim Hoti. Se eksplozivi ka qenë shumë i fortë, shihet edhe nga pamjet vetëm disa orë pas ngjarjes. Përveç banesës së familjes Haradinaj që jetonte në katin përdhes, e cila është shkatërruar e tëra, shpërthimi ka arritur deri në katin e katërt të ndërtesës ,në të cilën shihen xhama të thyer. Banorët e kësaj lagjeje ndihen të tmerruar me atë çka i ka ndodhur fqinjit të tyre, edhe pse shpërthime të tilla ata thonë se dëgjojnë gati çdo ditë.

“Kam ra në gjumë pasi e kam shikuar një ndeshje futbolli, kur e kam dëgju shpërthimin. Ne dëgjojmë gati çdo natë këso shpërthimesh, por kësaj radhe e pësoi Selveri“, thotë një fqinj i tij shqiptar, i cili nuk identifikohet nga frika se mos serbët që i kanë te dera po bëjnë edhe ndonjë gjë tjetër.

Banesa ku jetonte familja Haradinaj është krejt në afërsi me ndërtesën ku është e vendosur administrata e Komunës paralele serbe. Në këtë lagje, të dielën shqiptarët rrinin grumbull duke diskutuar për atë çka ka ndodhur me fqinjin e tyre, ndërsa serbët vëzhgojnë nga larg. Pas ngjarjes që ka ndodhur, shqiptarët ndihen edhe më të pasigurt për jetën. “Por nuk kemi ku të shkojmë”, thotë një i moshuar, banor i lagjes.

Megjithatë, sipas Policisë, dëmet nga shpërthimi në shtëpinë e familjes Haradinaj, kanë mundur të jenë shumë më të mëdha, për shkak të sasisë së eksplozivit, por dritaret në shtëpinë, e cila ka qenë cak i sulmit, kanë qenë të blinduara.

Hoti ka thënë se motivet dhe shkaktarët e sulmit ende nuk dihen, por policia është duke hetuar. “Hetuesit rajonalë të Policisë së Kosovës nga sektori i krimeve të rënda, janë duke e hulumtuar shkaktarin, rrethanat, shkaqet, motivet dhe të gjitha këto, të cilat deri më tash janë të panjohura, ashtu siç janë të panjohur edhe të dyshuarit ose kryesit e këtij akti kriminal. Në këtë fazë, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e këtij rasti, sigurisht që nuk dëshirojmë që të spekulojmë, derisa nuk i arrijmë informacionet bazë, të cilat mund të lidhen me gjendjen faktike apo informacione, që mund të na japin fakte për të besuar në çfarëdo lloj piste të hulumtimeve.

Mirëpo, gjithsesi që nuk përjashtohet mundësia e motivit të paragjykimit mbi baza të urrejtjes etnike”, ka sqaruar Hoti. Por familja e Selverit të ndjerë është e bindur qind për qind se këtë akt e kanë kryer serbët. Zymeri, njëri nga vëllezërit e Selverit, thotë për Express se ata që ua vranë babanë gjatë luftës, e vranë edhe Selverin. “Nuk ka asnjë dilemë se ata e kanë bërë. Selveri ka qenë i papunë, nuk ka pasur kurrë konflikt me askënd. Serbët kanë dashtë me e vra me krejt familjen, por fati e deshi që fëmijët i shpëtuan”, thotë Zymeri.

Serveri ishte vëllai më i madh i familjes Haradinaj dhe ai po jetonte në banesën që ua kishte lënë babai, që e kishte blerë qysh në vitin 1973. Zymeri tregon se vëllai i tij nuk ka pasur shtëpi tjetërkund edhe pse gjithnjë kanë pasur frikë për të. “Dje (të shtunën) i kishte thënë një të afërmi tonë që i ka ardhë shpirti në fyt tuj jetu gjithë me frikë”, tregon Zymeri fjalët e të vëllait tashmë të vdekur.

Në familjen Haradinaj mërzia u shihet në fytyrë. Edhe burrat e tjerë që janë mbledhur për të pritur të pame, janë të mërzitur tej mase, por edhe të inatosur me neglizhencën e institucioneve për banorët shqiptarë që jetojnë në Veri. Njëri nga djemtë ironizon me një fjali të ministrit të Punëve të Brendshme, i cili në një deklaratë kishte thënë se “banorëve të Veriut duhet me iu duhet hajmali që të mos frikësohen”. “Bajramit duhet me i thanë se nuk iu bani hajër ajo hajmalia”, thotë njëri nga burrat. Të afërmit tregojnë se Selveri vetë i gjashti jetonte në katin përdhes, pa asnjë të ardhur personale. Vëllezërit e tij tashmë thonë se më nuk kanë guxim që t’i kthejnë fëmijët e tij në atë banesë. “Zoti kësaj radhe i ka shpëtu, më nuk dojmë t’i rrezikojmë”, thotë Zymeri.

Server Haradinaj u varros të dielën pasdite në varrezat e Shipolit të Mitrovicës. Për vrasjen e tij nuk ka ndonjë të arrestuar. Policia thotë se sektori i hetimeve të krimeve serioze në Mitrovicë është duke ndjekur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivet e rastit.

Zbardhje më të shpejtë dhe kapjen e autorëve të krimit ka kërkuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai ka deklaruar se sulmi me eksploziv ndaj familjes shqiptare në lagjen e Tre Rrokaqiejve në Mitrovicë, mund ta tensionojë gjendjen në Veri të Mitrovicës./EXPRESS

2 komente në “Veriu po vret”

  1. tirana says:

    vdekje sebeve do fitojme luften mbi armikun e terbuar e gjakatar e primitiv.kosova esh shtet i pa varur dhe politikanet e rinj mund ta pesojne si sllobodani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje