Aksionet e kompanisë Bankers Petroleum kanë rënë me 12 përqind mëngjesin e sotëm, raportojnë mediat e huaja. Shkak është bërë lajmi për dështimin e kompanisë me një pus në zonën e Ardenicës, në Bllokun F.
Mësohet se kompania kishte gërmuar në nivelin 2.030 metra, por nuk ka gjetur asnjë gjurmë hidrokarboni, por vetëm shtresa poroze rëre.
Kompania thotë se do të vijojë kërkimet sërish në zonën e Bllokut F, një hapësirë prej 185 mijë metra.
Ndërkohë pas debateve publike dhe skandalit se kompanitë koncesionare qe merren me prodhimin e naftës ne vend prej 8 vitesh nuk paguajnë tatim fitimin, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore thotë se ka nisur një auditim financiar ndaj tyre. Ajo çka po shikohet me lupë është zëri i shpenzimeve, aty ky dyshohet se spekulimi është me i madh. Në dorë situatën e ka marrë drejtori i AKBN, Besjan Pesha.
Ky kontroll pritet te përfundojë ne muajin maj, kohe kur do te mësohet nëse dalin apo jo me fitim kompanitë. Por ky nuk është kontrolli i pare ndaj kompanive te naftës. Edhe pse zyrtarisht nuk bëhen te ditura konkluzionet e auditeve te mëparshme, ajo qe mund te thuhet është se kontrollet kane qene selektive, raporton Vizion Plus. Për vitin 2011 janë shitur rreth 900 milion ton nafte, vlera e te cilave arrin ne 450 milion $.
Shqipëria filloi te japë me koncesion kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës që në vitin 1994 me anë të një ligji te posaçëm, i cili parashikon që koncesionaret të paguajnë 50% tatim-fitimi në buxhetin e shtetit, pasi te jete rikuperuar kostoja e investimit fillestar. Por marrëveshje të tilla kane filluar të funksionojnë në vitin 2004 dhe qe nga ajo kohë në treg janë rreth 4 kompani, të cilat deri më sot nuk kane paguar asnjë lek tatim-fitimi, duke i justifikuar bilancet e tyre me shpenzimet e larta.