Shqipëria e Kosova pa doganë të përbashkët

23 Prill 2012, 09:48Rajoni TEMA
Shqipëria e Kosova pa doganë të përbashkët

Pika doganore Kosovë – Shqipëri së shpejti do të bëhet me një terminal të ri doganor në pikëkalimin Vërmicë – Morin. Ky terminal nuk do të ndërtohet në Kosovë e as në pikën e përbashkët doganore me Shqipërinë, por vetëm në territorin e Shqipërisë, bën të ditur sot Koha Ditore”. Kjo është bërë e mundur falë një fondi prej 450 mijë eurosh të akorduar nga Bashkimi Evropian dhe papajtueshmërisë me palën kosovare.

Fillimi i punimeve për ndërtimin e terminalit të ri në Morinë ka shuar shpresat për një doganë të përbashkët Shqipëri – Kosovë, me modelin e Shqipëri – Mali i Zi. Ndërtimet dhe rikonstruksionet e pikave të kalimit kufitar në Shqipëri janë financuar nga BE-ja në kuadër të komponentit të dytë të instrumentit të Ndihmës së paraaderimit (IPA). Kompania fituese e tenderit për ndërtimin e terminalit të ri doganor në Morin është “A.G.E. CO&CO& Salillari Sh.p.k”. Sipas supervizorit të kompanisë gjermane “Iproplan Planungegesellschaft MBH”, kjo është faza e parë e projektit dhe ka të bëjë me ndërtimin e terminalit dhe shtimin e korsive doganore në territorin e Doganës së Morinit. Në bazë të kontratës, punimet e kësaj faze do të përfundojnë në gusht të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që  Bashkimi Evropian do të financojë edhe fazën e dytë të projektit me një vlerë prej 1 milion eurosh dhe që ka të bëjë me rikonstruksionin e plotë të Doganës ekzistuese dhe shtimin e ambienteve të saj.

Ndërtimi i kësaj pike ishte propozuar të ndërtohej në territorin e Shqipërisë në Morin, për shkak se vija kufitare kalon mbi urën ekzistuese mes dy vendeve (Morin-Vermicë), dhe kushtet e infrastrukturës së saj e bëjnë ndërtimin e një pike kufitare mbi urë të pamundur. Ministria e Integrimit e Shqipërisë i ka dërguar propozimin e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, drejtorit për zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierr Mirel.

Por në mbështetje të këtij propozimi, Ministria e Integrimit ka kërkuar të gjithë dokumentacionin mbështetës i cili do të përgatitej në bashkëpunim me delegacionin e KE-së në Tiranë.

Asokohe është bërë e ditur se, sipas bisedimeve të zhvilluara mes ministrive të brendshme në Kosovë dhe Shqipëri, është vendosur mbi ndërtimin e një pike të përbashkët kufitare Morin-Vermicë. Ndërkohë që për ndërtimin e saj në territorin e Shqipërisë palët nuk janë dakorduar, madje Drejtoria e Doganave e Kosovës është shprehur kundër ndërtimit të pikëkalimit kufitar në territorin e Shqipërisë.

Kjo ka bërë që Doganat e Shqipërisë të fillojnë ndërtimin e terminalit të tyre. Fondet e BE-së për Doganën e Morinit janë të dytat, pas fondeve të akorduara nga Banka Botërore. Me një fond të Bankës Botërore prej rreth 1 milion eurosh ka përfunduar në mars të vitit 2004 rikonstruksioni i Doganës së Morinit. Investimi i realizuar nga Banka Botërore përmbushi një nga objektivat e Qeverisë Shqiptare për t’i dhënë frymëmarrje ekonomike veriut të Shqipërisë, si dhe për të shtuar urat e komunikimit midis shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Projekti i modernizimit të pikës doganore të Morinit u realizua në kuadër të Paktit të Stabilitetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje