Mandati i komisionit parlamentar për reformën zgjedhore përfundon sot. Nga Brukseli, ku u zhvillua takimi i katërt i Komitetit të Stabilizim- Asociimit Shqipëri- BE, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, tha se është i shqetësuar për reformën zgjedhore. Ai tha se palëve duhet tu jepet më shumë kohë.
Por në fakt procesi tani komplikohet edhe më shumë. Edhe pse duket se mandati i komisionit do zgjatet, sërish diskutimi ka ngecur në pika kyçe. Aq më tepër që tani fillon edhe procedura për zgjedhjen e presidentit.
“Lidhja e procesit të reformës elektorale me përzgjedhjen e presidentit të ri, sigurisht që do krijojë probleme. Duket se ky ka qenë qëllimi i qeverisë që nga fillimi,” tha për Balkan Insight, Damian Gjiknuri, përfaqësues i opozitës në këtë komision.
Një nga çështjet që pritet të ketë shumë diskutime është formula e përbërjes së KQZ dhe roli i anëtarëve të minorancës në KQZ sa i përket mundësisë së hapjes së hetimeve për manipulimet zgjedhore.