Zhgënjimi ka mbretëruar mes lojtarëve të Bajern, të cilët kanë humbur një rast të shkëlqyer për të marrë një sukses të rëndësishëm para tifozerisë së tyre, duke humbur finalen e Ligës së Kampioneve me penallti përballë Çelsit.
“Ky është futbolli, e kemi parë edhe në të kaluarën. Nuk është gjithmonë skuadra më e mirë që merr kupën në fund”, tha autori i golit për Bajernin, Tomas Myler. “Kur shënon para tifozëve të tu, kaq pranë fundit dhe pastaj sheh Çelsin të ngrejë trofeun, e kupton që shumë gjëra kanë ndodhur. Është shumë e vështirë të gjesh fjalë për të përshkruar gjendjen tonë, por futbolli nuk është gjithçka”, është munduar të gjejë ngushëllim futbollisti i përfaqësueses gjermane.
Një nga lojtarët më të trishtuar ka qenë Arjen Roben, i cili ka humbur një penallti vendimtare gjatë kohëve shtesë. “Nuk mund ta përshkruaj me fjalë, po ka qenë një natë e tmerrshme. Dy-tre herë gjatë ndeshjes e ndjen se ke kupën në dorë, por në fund nuk ke asgjë. Penalltia ime nuk ishte e mirë. Desha të gjuaja fort dhe lart, por nuk e ngrita topin sa duhej. Ishte një penallti e tmerrshme. Fakti që Drogba dhe Platini u munduan të më ngushëllonin ishte diçka e bukur, por pa vlerë. Desha trofeun por përsëri nuk e mora”, tha ai.
Ky sezon ka qenë “tragjik” për Bajern Mynih që ka përfunduar i dyti në Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe tashmë në Ligën e Kampioneve, ndonëse në të tre rastet ka patur mundësi të arta për të fituar trofeun.
me erdhi keq per gjermont dhe per Bilal Jusufin qi e kom pas shok dikur