Bogdani: Fitorja e djeshme iu dedikohet viktimave të Himarës

23 Maj 2012, 16:48Sport TEMA

Erjon Bogdani ua ka dedikuar familjeve të viktimave fitoren e djeshme të Shqipërisë në miqësoren ndaj Katarit. “Ishte një lajm shumë i rëndë për të gjithë shqiptarët, ashtu si edhe për ekipin kombëtar”, ka thënë sulmuesi për ‘Supersport’. “Realisht u befasuam kur e morëm vesh një ditë para ndeshjes. Duhet të them se e gjithë skuadra u trondit dhe pa diskutim një ngushëllim i sinqertë shkon për të gjitha familjet që preku kjo tragjedi”, është shprehur sulmuesi.

Qendërsulmuesi i Sienës e ka vlerësuar me nota pozitive trajnerin italian De Biasi. “Nuk kishte ndonjë surprizë të madhe. Si çdo italian, edhe ai i mëshon shumë pjesës taktike gjatë përgatitjes, dhe unë mendoj se Shqipëria ka nevojë për këtë. Loja e parë ishte mjaft pozitive, edhe pse kemi shumë pak ditë që punojmë së bashku”, – ka vënë në dukje sulmuesi.

Bogdani e ka rritur ne 16 gola me Kombëtaren rekordin, pas atij të shënuar dje me penallti. Një tjetër rekord i vendosur në ekipin përfaqësues dhe sërish nga i njëjti protagonist.

“Jam i lumtur që shënova, por unë nuk jam nga ata që i numërojnë golat. E rëndësishëm ishte që luajtëm mirë dhe zhvilluam një ndeshje të mirë”, ka përfunduar sulmuesi i Shqipërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje