Vetëm 3 ditë pasi Arjen Roben humi penalltinë që mund t’i kishte dhënë Ligën e Kampioneve skuadrës së Bajern Mynih, klubi i tij zhvilloi një miqësore me Holandën, në të njëjtin stadium ku ndodhi ky episod. Shumë prej tifozëve treguan se nuk ia falnin yllit holandez gabimin dhe ai është bërë objekti fyerjesh dhe vërshëllimash sa herë që prekte topin, kur u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes të fituar 3-2 nga Bajern.
Mark Van Bomel, një ish-futbollist i Bajern që njeh mirë ambientin, ishte i pari që reagoi ndaj kësaj ngjarje. “Ky është një turp. Roben e drejtoi Bajernin drejt finales dhe është shumë i rëndësishëm për klubin. Bajern duhet të jetë shumë i lumtur që ka një futbollist si ai”.
“Arjen ka firmosur një zgjatje kontrate, por po të isha në vendin e tij, do të mendohesha dy herë rreth të ardhmes. Në vendin e tij unë do të isha larguar nga klubi”, ishin fjalët e Van Bomel.
Po aq i ashpër ka qenë edhe reagimi i Rafael Van Der Vart, i cili e ka cilësuar të padrejtë edhe indiferentizmin e drejtuesve të Bajern Mynih, të cilët nuk kanë bërë asgjë për të ndaluar këtë situatë aspak të këndshme.
“Bajern Mynih duhet t’i vijë turp. Askush nuk e priste këtë ngjare, ishte e turpshme”, tha ai për këtë ndeshje, që si për ironi të fatit u zhvillua pikërisht për Arjen Roben, si “shpërblim” që Holanda i bëri bavarezëve meqë lojtari u dëmtua duke luajtur në Botërorin 2010.