Mançester Siti ka hapur formalisht bisedimet me Roberto Mançinin rreth një kontrate të re me vlerën 15 milion paund
Gjatë muajve të fundit ka patur shumë spekulime rreth idesë që trajnerit do t’i ofrohej zgjatja e kontratës ekzistuese me klubin anglez si dhe do të kishte përmirësim të kushteve ekonomike.
Sipas “Daily Mail”, bisedimet kanë filluar, me Mançinin që të premten ka qenë në Abu Dabi ku është takuar me shefin e klubi, Khaldon Al Mubarak, ndërsa gjatë gjithë fundjavës ka diskutuar me të rreth marrëveshjes së re.
Siti dëshiron të shpërblejë trajnerin me një kontratë të re të vlefshme 5 milion paund në vit. Kjo është një rritje e ndjeshme në krahasim me 3.5 milion paund që përfitonte deri tani trajneri italian.
Mançini është takuar edhe me sheikun Mansour që e ka përgëzuar për fitoren e titullit kampion në Angli dhe i ka dhënë besim të plotë si për drejtimin e ekipit në vitet e ardhshme, ashtu edhe në investimet e nevojshme për të përforcuar skuadrën me synimin që tani të ecet sa më para në Ligën e Kampioneve.
Marrëveshja nuk është mbyllur ende, por drejtuesit e Mançester Siti shpresojnë që të marrin një përgjigje pozitive para fundit të kësaj jave. Me 5 milion paund në vit, Mançini do të paguhej më shumë se Aleks Ferguson i Mançester Junajtid, por do të mbetej gjithsesi i dyti në listën e trajnerëve më të paguar në Angli, e cila kryesohet nga Arsen Venger që merr 6 milion paund në vit./lajmeshqip