Vetëm pak ditë më parë, pronari dhe administratori i UET-së provokoi në shtypin e përditshëm një debat lidhur me sistemin e arsimit privat në Shqipëri, risitë e këtij sektori dhe përfitimet që shoqëria shqiptare mund të ketë.
Në fakt, z. Çili, edhe pse u kritikua se çështja themelore nuk është fati dhe e ardhmja e universitetit të tij, gjë që mbizotëronte në shkrimin e tij ftesë për debat, së paku risolli në vëmendjen e opinionit publik shqiptar një diskutim të rëndësishëm dhe jetik për të ardhmen e vendit, problemin e arsimit në Shqipëri. Kjo, edhe pas një skandali të publikuar së pari nga media italiane, lidhur me përfitimin e një diplome (sipas të gjitha gjasave) fals të djalit të një prej politikanëve më të njohur italianë në një universitet privat në vendin tonë.
Fatmirësisht nuk ka një perceptim njëdimensional për këtë sektor, gjë që do të thotë se edhe opinioni publik shqiptar është i dyzuar lidhur me vlerat dhe mundësitë reale që ka arsimi privat në vend, për seriozitetin e tij e për përgatitjen optimale që ky sistem ofron për të nesërmen e çdokujt.
Është e kuptueshme dhe e natyrshme se universiteti publik nuk mund të përmbushë të gjitha kërkesat e tregut bashkëkohorë, ndaj lind nevoja e sistemit arsimor privat, i cili në gjithë këto vite ka treguar se, ashtu si çdo gjë tjetër në këtë vend, ka të mirat dhe të këqijat e tij. Ndaj, në këtë kuptim, së pari duhet të bëjmë ndarjen dhe diferencën, gjë që do të shmangte rënien në kategorizime dhe përgjithësime. Nëse do të ndodhte një gjë e tillë, padyshim që do të ishte së paku amatorizëm, e aq më keq dashakeqësi.
Universitetet private janë një hallkë sot brenda sistemit, kështu që për sa kohë ekziston nevoja e diplomimit po aq ekziston edhe tundimi i falsifikimit, i cili mund të shmangej, fjala vjen nëse sot do të ishte zbatuar një reformë e përfolur përpara disa vitesh, e që kishte të bënte me futjen e numrit të matrikullimit për çdo student që pranohet si në universitetet private ashtu edhe në ato shtetërore. Nëse një gjë e tillë do të ishte zbatuar gjatë kësaj kohe, sot do ta kishim mjaft të lehtë për të verifikuar nëse një diplomë është e jashtëligjshme, e lëshuar brenda një viti apo brenda gjashtë muajsh. Fatkeqësisht një gjë të tillë nuk e ka sot as universiteti publik e as ai privat.
Tjetër aspekt që mund të diskutohet dhe që mund të ketë vend për përmirësim është cilësia e stafeve akademike të këtyre universiteteve. Është e rëndësishme që stafet akademike të jenë të kualifikuar në institucione serioze dhe të gjithëpranuara.
Por ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me atë se jo çdokush që regjistrohet në universitet, edhe pa e merituar, duhet ta përfundojë atë brenda sistemit 3 ose 4-vjeçar, e kjo vetëm se ka paguar tarifën e shkollimit. Jo!
Nëse do të ndodhte kjo, patjetër që kemi të bëjmë me blerje diplome, e jo kryerje të rregullt të studimeve universitare. Pra, duhet përforcuar sistemi i kontrollit dhe i vlerësimit nga ana e mësimdhënësve. Kjo edhe për të mirën e vetë studentëve, të cilët në përballjen e parë me tregun e konkurrencës do të shohin që notat dhe vlerësimet e tyre janë fiktive dhe jo reale.
Po ashtu, niveli i kryerjes së detyrave dhe realizimit të projekteve universitare nga ana e studentëve, duhet të jenë të të njëjtit nivel kërkimoro-shkencor si të bashkëmoshatarëve të tyre tek publiku.
Sepse e natyrshme është që edhe brenda një grupi studentor të të njëjtit vit studimi të bëhet kategorizimi i tyre në të mirë, mesatar e të dobët. Përndryshe përse do të ishte i nevojshëm sistemi i vlerësimit nëpërmjet notave.
Pra, nëse do t’u referoheshim dy termave pedagogjikë, e nevojshme është të ruhet niveli serioz “i mësimdhënies” dhe “i mësimnxënies”, ngase, nëse do të ndodhte kështu, nuk do të kishte ndonjë dallueshmëri kryerja e shkollës tek publiku apo tek privati.
Mirëpo, në thelb, të gjithë këto probleme rregullohen nëpërmjet të ashtuquajturit provim i shtetit, i cili, fatmirësisht, kohët e fundit ka filluar të aplikohet, të paktën, prej atyre që mbarojnë si universitetet publike ashtu edhe ato private, prej vitit 2010 e në vazhdim. Provimi i shtetit do të bëjë që të dy këto sisteme të reflektojnë në cilësinë e mësimdhënies, mësimnxënies dhe, gjithashtu, në sistemin e vlerësimit të studentit.
Edhe pas gjithë kësaj, në vend vijon të ngelet problem politizimi i tejskajshëm i çdo fushe të jetës, gjë që rrënon sistemin e vlerave dhe rrit abuzimet e ndryshme edhe në këtë fushë, duke i nxitur artificialisht njerëzit të marrin një diplomë diku me patjetër, sepse partia do t’i sigurojë një goxha vend në administratën shtetërore.
Së fundi, vlen të përmendet se ky nuk është problem thjesht shqiptar: R. Bossi e dëshironte patjetër diplomën (qoftë edhe të blerë) për t’u bërë anëtar i këshillit komunal e për të përfituar një rrogë të majme, 10 mijë euro.
ty Namir do te bejme minister arsimi ne 2013, nqs fiton pd + lsi. cilin shkrim ke kopjuar sepse me duket si programi i lsi, shume fjale ne leter e shume pare ne realitet. te fala tv globi.
ca do te thuash me gjithe kete artikull? vuri koke muhabetit …
së pari duhet të bëjmë ndarjen dhe diferencën, gjë që do të shmangte rënien në kategorizime dhe përgjithësime…..
kjo ka qene nje nga frazat me te realizuar te shkrimit……..
jona faleminderit qe na solle esencen e shkrimit se nuk kisha durim ta lexoja …
O Namir.Pse ore bure gjithmon ti njesoj-AS MISH AS PESHK-