Futbollisti shqiptar, Hamdi Salihi është një nga lojtarët më të paguar në kampionatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas listës së publikuar nga sindikata e futbollistëve të Major League Soccer, vërtetohet se sulmuesi shkodran është në listën e 25 lojtarëve më të mirë-paguar në Amerikë.
Sipas shifrave të publikuara në faqen zyrtare, Hamdi Salihi ka një rrogë bazë prej 305.460 dollarësh, por me bonuset gjatë sezonit 2012, rroga e tij është e garantuar të shkojë të paktën deri në 487.460 dollarë.
Në krye të listës ndërkaq qëndron as më shumë dhe as më pak, por sulmuesi francez, Thierry Henry, i cili paguhet 5.6 milionë euro në sezon, duke lënë pas një tjetër ish-shok skuadre te Barcelona si Rafael Marquez dhe anglezin e shumëpërfolur David Beckham. Në ndryshim nga çfarë mendohej, “The Spice-boy” nuk është futbollisti me rrogën më të lartë, pasi pati një ulje rroge me kontratën e re që firmosi, por ai është absolutisht sportisti që përfiton më shumë se cilido për shkak të kontratave reklamuese që ka nënshkruar, të cilat i sjellin më shumë se 20 milionë dollarë fitime në vit.
Në Amerikë mënyra e pagesave të futbollistëve ndryshon shumë në krahasim me Evropën dhe gjithashtu ka edhe limite për rrogat që mund të paguajë një klub. Salihi klasifikohet te lista e “Designated Players” në kampionatin amerikan, që përfshin ata lojtarë që lejohen të paguhen me shumë se limiti i rrogës prej 350.000 dollarësh në vit. Secila skuadër lejohet të ketë deri në tre lojtarë të tille dhe ka gjithashtu një limit për totalin e rrogave që mund të paguajë.
Salihi kaloi në këtë edicion tek DC United nga skuadra austriake Rapid Viena dhe së fundi ka rigjetur edhe rrugën e golit, që i kishte munguar në fillim të transferimit. Ai ka shënuar katër gola në kampionat dhe një në Kupën e Amerikës./KD
Lojtarët më të paguar:
1. Thierry Henry (New York) 5.6 milionë dollarë (mln USD)
2. Rafael Markez (New York) 4.6 mln USD
3. Devid Bekham (L.A. Galaxyi) 4 mln USD
4. Robi Kin (L.A. Galaxy) 3.42 mln USD
5. Torsten Frings (Toronto) 2.41 mln USD
6. Landon Donovan (L.A. Galaxy) 2.4 mln USD
7. Julian de Guzman (Toronto) 1.91 mln USD
8. Dani Koevermans (Toronto) 1.57 mln USD
9. Kris Bojd (Portland) 1.52 mln USD
10. Fredi Montero (Seatle) 756 mijë USD
11. David Ferreira (FC Dallas) 705 mijë USD
12. Duejn de Rosario (DC Unite) 663.193 USD
13. Juan Pablo Angel (CD Chivas) 600 mijë USD
14. Shalrie Zhozef (New England) 554.333 USD
15. Branko Boskov (DC United) 545.367 USD
16. Fredi Adu (Philadelphia) 519 mijë USD
17. Hamdi Salihi (DC United) 487.460 USD
18. Javier Morales (Salt Lake) 477.500 USD
19. Beni Feilhaber (New England) 446 mijë USD
20. Alvaro Saborio (Salt Lake) 405.625 USD