DOSSIER/ Gjashtë votat e Fatos Nanos që shpallën president Bamir Topin

9 Qershor 2012, 19:48Politika TEMA

Nga Luljeta Progni

studimepolitike.com

Kandidimi i Nanos, refuzimi i Ramës e Ilir Metës. Negociatat e dështuara mazhorancë-opozitë. Kandidatura e Topit dhe presioni ndaj Berishës, takimi me 20 deputetët demokratë në Vlorë

 

Bamir Topi nënkryetar i PD, Fatos Nano, ish-kryetar i PS dhe Neritan Ceka, kryetar i PAD, ishin tri kandidaturat zyrtare që hynë në garë në raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e presidentit, në vitin 2007, pas dështimit të tre raundeve të para. Kushtetuta përcaktonte, se presidenti zgjidhej me 84 vota në pesë raunde votimi. Në rast se nuk mund të zgjidhej një president me 84 vota në pesë raunde, atëherë vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme. Partia Demokratike kishte dy vite që qeveriste në koalicion me partitë e djathta, por nuk kishte numrin e nevojshëm të votave (84) për të zgjedhur presidentin e vendit. Partia Socialiste, në opozitë, ishte në koalicion me partitë e majta, ndër të cilat edhe LSI, e cila ishte faktor më i rëndësishëm se partitë e tjera të vogla nga të dy krahët. Opozita e bashkuar i kishte votat e nevojshme për të bllokuar zgjedhjen e presidentit dhe për pasojë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Bamir Topi u propozua zyrtarisht si kandidaturë e mazhorancës demokrate, megjithëse në disa momente vihej re lëkundja e kryeministrit Berisha.

Fatos Nano u vetëshpall kandidat për president, pa mbështetjen zyrtare të PS, por kishte mbështetjen e një grupi të konsiderueshëm deputetësh socialistë.

Neritan Ceka ishte kryetar i PAD dhe u shfaq si një kandidaturë e propozuar nga partitë e vogla të koalicionit të djathtë dhe u zyrtarizua në raundin e katërt me firmat e deputetëve të djathtë. Kjo e fundit u vlerësua si kandidaturë e domosdoshme në momentet kur dukej se procesi po dështonte dhe vendi mund të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

 

Zhvillimet në Partinë Socialiste dhe rruga e Nanos drejt kandidimit

Kur dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë në shtator të vitit 2005, Fatos Nano, u largua duke lënë pas hijen e një lideri historik, që do të bëhej shpesh pengesë për rrugën e pasardhësit të tij në krye të PS. Në kongresin e jashtëzakonshëm të PS në nëntor 2005, Edi Rama kandidoi për kryetar të kësaj partie. Kishin kaluar vetëm dy-tre muaj, qysh kur Nano kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit, por vazhdoi të isht aktiv nëpërmjet deklaratave në media, ku përcilleshin akuza të forta për Edi Ramën e Gramoz Ruçin. Në distancë, Nano ndikoi zhvillimet e këtij kongresi, duke dëshmuar mbështetjen e fortë që vazhdonte të kishte në radhët e partisë që kishte drejtuar për 15 vite. Mbështetësit e Nanos në PS arritën që ditën e  parë të kongresit, ta rrëzojnë platformën e Edi Ramës për drejtimin e PS dhe koston për këtë humbje e mori Gramoz Ruçi. Me pushtetin e padiskutueshëm që gëzonte dhe gëzon në strukturat e PS dhe në bazën e saj, Gramoz Ruçi mori përsipër ecurinë e zhvillimeve të ditës së dytë të kongresit, nga ku dhe doli kryetar Edi Rama. Ishte një periudhë zhvillimesh shumë intensive në PS. Lideri i saj historik kishte lënë partinë dhe në krye të saj tashmë ishte Edi Rama, i konsideruar nga opinioni si një figurë politike komplekse. Qysh në fillim PS u nda në dysh: në pro dhe kundër Ramës, apo kundër dhe pro Nanos. PS ishte një parti me një kulturë specifike, sa i përket zhvillimeve të brendshme të saj. Lufta midis grupeve kundërshtare në këtë parti vlerësoj nga vetë socialistët, si demokraci e brendshme. Për Edi Ramën dhe synimet e tij politike në krye të PS dukej e vështirë, që kjo parti të bëhej aq shpejt zap. Prezenca e Nanos ndjehej sa herë që kishte zhvillime të rëndësishme dhe sa herë Ramës i duhej të dëshmonte fuqinë e tij në krye të partisë.

Në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007, pasi kishte qenë dy vjet në krye të PS, Edi Rama rikonfirmoi për të tretën herë mandatin e tij në krye të bashkisë së Tiranës, por edhe një fitore të rëndësishme në qytetet kryesore të vendit. Ky ishte padyshim një moment mjaft i rëndësishëm për karrierën e tij politike dhe përforcoi fuqinë e tij në krye të socialistëve. Deri atëherë dyshohej për vazhdimësinë e mandatit të tij, kjo për shkak se në PS ishte një grup i konsiderueshëm deputetësh e zyrtarësh të forumeve të rëndësishme, që ishin shprehur publikisht si mbështetës të Nanos.

Gjatë këtyre dy viteve Nano kishte nxjerrë shpesh pengesa në rrugën e Ramës dhe erdhi momenti kur ky i fundit do të kishte rastin për t’ia “shpërblyer”, pikërisht në korrik 2007, kur parashikohej zgjedhja e presidentit të republikës. Në pranverën e këtij viti, Fatos Nano deklaroi se do të kandidonte për president. I duhej medoemos mbështetja e partisë së tij dhe ishte radha e Edi Ramës për tu “hakmarrë”. Ashtu ndodhi. Edi Rama nuk dha asnjë shenjë mbështetje për kandidaturën e Nanos, madje as kur ky i fundit i shtriu dorën e bashkëpunimit, në shkëmbim të mbështetjes së kandidaturës për president. Situata nuk e favorizonte aspak Fatos Nanon.

Edi Rama nisi në maj turin e takimeve me krerët e partive parlamentare, ku diskutohej për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Takimi i parë i Ramës, si kryetar i PS, ishte me kryetarin e PR, Fatmir Mediu. Pas një bisede për më shumë se një orë, në zyrën e Fatmir Mediut, asokohe ministër i mbrojtjes, dy protagonistët kishin biseduar për zhvillimet politike dhe veçanërisht për zgjedhjen e presidentit, bisedë e konfirmuar nga kryetari i PR Fatmir Mediu. Pak ditë më pas, më 28 maj, Edi Rama zhvilloi një takim me kryetarin e PDK Nard Ndoka, parti aleate me PD në koalicionin qeveritar. Ndoka mbante në atë kohë postin e ministrit të shëndetësisë. Pas takimit, Rama u shpreh se do të pranonte të ulej në bisedime në tryezën e partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit, vetëm në rastin kur mazhoranca do të kishte zgjedhur një tjetër kryeministër. Por një tjetër kusht i Ramës kishte të bënte më paraardhësin e tij në postin e kreut të PS. Fatos Nano i vetëshpallur si kandidat për president, ishte përjashtuar nga Rama si kandidaturë qysh në nisje të negociatave të tij me partitë e vogla, aleate me PD në koalicionin qeveritar. Rexhep Meidani, ish-president i parë i socialistëve në vitin 1997-2002, deklaroi se shanset e kandidimit të Nanos lidheshin vetëm me Berishën. Ai përjashtoi mundësinë e kandidimit të Nanos për president nga e majta, duke kujtuar se bilanci i gabimeve dhe meritave të Nanos në kampin e majtë dilte negativ dhe për pasoje shanset e tij për president lidheshin vetëm me Berishën. “Nano nuk mund të dalë kandidat nga grupi i tij, pasi ka edhe një grupim brenda grupit parlamentar, pra nuk mund të dalë nga e majta. Detyrimisht duhet të mbështetet në shumicë nga mazhoranca e sotshme, pra varet nga vullneti politik i Sali Berishës, që Nano të dalë president apo jo”.

Kundër kandidimit të Nanos ishin edhe aleatët e PS, kryesisht Ilir Meta.

Partia Socialiste në opozitë, drejtonte asokohe koalicionin e majtë, në të cilin ishte përfshirë qysh para zgjedhjeve vendore edhe LSI. Ilir Meta dhe LSI-së ishin faktorë mjaft të rëndësishëm në zhvillimet politike, veçanërisht në momentin e zgjedhjes së presidentit. Kishin votat që ndikonin në zgjedhjen e presidentit dhe këto vota kishin të njëjtën vlerë për opozitën, për të mundësuar rrëzimin e qeverisë Berisha pikërisht në momentin e zgjedhjes së presidentit. (Meta kishte qenë faktor mjaft i rëndësishëm edhe pesë vite më parë, kur Nano kishte shfaqur ambicien për të kandiduar për president. Asokohe, Meta ishte brenda radhëve të PS bashkë me mbështetësit e tij, të cilët në vitin 2004 u shkëputën përfundimisht nga PS, për të krijuar LSI. Kjo ndodhi pas një luftë të gjatë politike brenda radhëve të PS. Nano e Meta ishin në krye të dy grupimeve kundërshtare.)

Edhe për Metën ishte një moment i rëndësishëm për t’u “hakmarrë” ndaj Nanos, ndoshta për të dytën herë pas zgjedhjeve të 3 korrikut. LSI u konsiderua faktori kryesor, që çoi PS në opozitë dhe solli PD në pushtet. Në 3 korrik, PD fitoi zgjedhjet parlamentare, ndërsa LSI u pozicionua parti e tretë më një numër të konsiderueshëm deputetësh, që do të ndikonin zhvillimet politike. Në koalicion me PS ishin edhe partitë e vogla parlamentare të majta, si: PSD, PAD, PDS. Krerët e tyre përkatësisht Skënder Gjinushi, Neritan Ceka e Paskal Milo, u pozicionuan kundër kandidimit të Nanos për president. Ata kishin vendosur tashmë marrëdhënie bashkëpunimi të qëndrueshme me Edi Ramën.

Brenda PS, grupi i mbështetësve të Nanos kishte nisur lobimin për Nanon president. Ishin disa prej drejtuesve të rëndësishëm të kësaj partie, që gjatë dy viteve të fundit ishin përplasur disa herë me kryetarin e ri. Ata ishin faktor I konsiderueshëm për të përcaktuar qëndrimin e PS ndaj kandidimit të Nanos. E rëndësishme ishte, se sa do të aktivizoheshin ata dhe investonin politikisht për të bërë presionin e duhur ndaj Ramës, që Nano të konsiderohej kandidat zyrtar i PS.

Ngjarjet rodhën ndryshe. Ato u kushtëzuan nga zhvillimet, jo vetëm brenda koalicionit të majtë apo vetë PS, por edhe nga zhvillimet brenda koalicionit të djathtë, në pushtet.

 

PD dhe rruga e Topit drejt kandidimit

Partia Demokratike kishte dy vite në qeverisje, por vinte nga një humbje e freskët e zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit në qytetet kryesore të vendit dhe kryeqytet. Nga ana tjetër rezultati në rang vendi interpretohej si një fitore e këtyre zgjedhjeve, bashkë me aleatët e saj. Problemet e Berishës brenda partisë së tij, apo edhe me aleatët ishin të papërfillshme, krahasuar me problemet, që kishte Rama në partinë e tij dhe koalicionin që udhëhiqte. PD dhe aleatët e saj nuk i kishin votat e nevojshme për të zgjedhur presidentin dhe megjithatë qysh në nisje të debatit për zgjedhjen e presidentit, publikuan emrin e Bamir Topit si kandidaturë e mundshme e mazhorancës. Topi ishte në atë kohë nënkryetar i PD, kryetar i grupit të saj parlamentar dhe një ndër figurat më të rëndësishme të kësaj partie në 10 vitet e fundit. Bamir Topi kishte një staturë politike të ndryshme nga kolegët e tij në këtë parti edhe në raport me autoritetin e kryetarit të PD, Sali Berisha. Ai kishte arritur të shprehej ndonjë herë ndryshe nga Berisha. Por kandidimi i Topit i vështirësonte edhe vetë Berishës mundësinë për të mbështetur Nanon, ndërkohë që kryeministri kishte treguar një lloj simpatie për kandidaturën e Nanos.

Në datën 2 maj të vitit 2007, Bamir Topi kishte deklaruar në një intervistë në “News 24”, se ishte kandidat i mazhorancës për president, duke iu referuar Berishës në mbledhjen e grupit parlamentar, ku ishte shprehur se Topi do të ishte kandidat për president. Opozita nisi të reagojë kundër kandidaturës së Bamir Topit, ndërsa Berisha e shoqëroi këtë me kërcënim për zgjedhje të parakohshme. “Proregativat për zgjedhjen e një presidenti konsensual janë reale, megjithatë opsioni i zgjedhjeve të parakohshme është i mundshëm”, tha Berisha. Por ky qëndrim i Berishës shkaktoi reagimin e menjëhershëm të ndërkombëtarëve. Ambasadori i KE, Helmut Lohan, deklaroi në 20 maj, se opsioni i zgjedhjeve të parakohshme duhej përjashtuar. Ai i bëri thirrje politikës shqiptare të hynte në negociata për të zgjedhur presidentin e ri, por përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes në këto negociata të ndërkombëtarëve. Lohan tha se politika shqiptare ka për detyrë të sigurojë stabilitet dhe të zgjedhë kreun e ri të shtetit me konsensus.

Ndërsa kryeministri kishte deklaruar, se Bamir Topi ishte kandidat i mazhorancës për president, por edhe fliste për kandidat konsensual, forumet e larta të PD ende nuk kishin një vendim zyrtar për kandidaturën e Topit. Këshilli Kombëtar i PD dhe kryesia nuk ishin mbledhur asnjëherë gjatë kohës kur kishte nisur debati për zgjedhjen e presidentit, ndërkohë që Berisha kishte deklaruar, se kandidati i mazhorancës ishte Bamir Topi.

Më 5 qershor, Rama u shpreh kundër kandidaturës së Topit, por edhe kundër kandidaturës së Nanos. Në një bashkëbisedim me gazetarët, ai tha se është koha për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, kryetarja e parlamentit njoftoi se votimi i parë për presidentin do të ishte më 20 qershor. Vendimi ishte marrë në konferencën e kryetarëve. Deri në datën 20 qershor, kandidatët për president duhet të plotësonin dokumentacionin, në thelb të të cilit ishte pikërisht marrja e 20 firmave të deputetëve për t’u quajtur zyrtarisht kandidat për president.

 

Përballja e kandidaturave

Faktorët brenda së majtës kishin bërë publik qëndrimin e tyre ndaj kandidimit të Nanos. Të djathtët gjithashtu kishin publikuar qëndrimet ndaj kandidaturës së Topit. Këta të fundit ishin më të paqartë në qëndrimet e tyre, duke u kushtëzuar nga detyrimi i mazhorancës për të zgjedhur kandidat konsensual. Nano nuk e kishte mbështetjen e partisë së tij, ndërsa për kandidatin rival Topi, forumet më të larat drejtuese të PD si dhe kryeministri Berisha deklaruan mbështetjen e mazhorancës.

Kështu nisi gara midis Topit e Nanos. Situata politike ishte komplekse. Ish kreu socialist Fatos Nano zhvilloi takimin e parë me dy prej figurave të rëndësishme në PS, Gramoz Ruçin e Namik Doklen, si dy ndër njerëzit më të rëndësishëm edhe në vendimmarrjen e PS për atë kohë. Më pas ai pati një takim me Pandeli Majkon, gjithashtu figurë e rëndësishme e PS. Në këto takime u bisedua për mundësitë, që ekzistonin për mbështetjen e Fatos Nanos si kandidat i PS për president. Në media u fol zyrtarisht për mbështetje të kandidaturës së Nanos nga disa deputetë socialistë. Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Sabit Brokaj, doli kundër kandidaturës së Fatos Nanos. “Principiale dhe esenciale është zgjedhja e presidentit në tavolinë me konsensus, së pari me grupin e opozitës dhe së dyti me partitë e tjera parlamentare. Sa i përket kandidaturës së Nanos mund të them se elementi themelor i kryetarit të shtetit është që të respektojë vendin dhe kushtetutën dhe tashmë dihet publikisht se Fatos Nano i ka braktisur ato”, tha Brokaj. Ndërkohë Nano kishte mbledhur 20 firmat e nevojshme për t’u konsideruar zyrtarisht kandidat për president. Mbështetësit e tij në parti kishin dhënë firmën e tyre, ndër të tjerë: Taulant Balla, Rrapush Tola, Arben Malaj, Taulant Dedja, etj. Këta deputetë ishin parë me sy jo të mirë nga kryetari i PS, i cili qysh në nisje të procesit kishte deklaruar qëndrimin kundër kandidimit të Nanos për president. Përtej grupit parlamentar socialist, deputeti i PBDNJ, Leonard Solis, deklaroi votën e tij në mbështetje të Nanos. Ndërkohë Nano lajmëroi se kishte garantuar firmat e 33 deputetëve dhe iu drejtua me një letër kuvendit, ku paraqiste zyrtarisht kandidimin e tij. Ato ditë kryetari i PAD, Neritan Ceka dhe ai i PSD, Skënder Gjinushi, deklaruan bojkotin ndaj parlamentit në shenjë kundërshtie ndaj kandidaturës së Fatos Nanos. Partia Socialiste mori gjithashtu vendimin për të bojkotuar seancën e parë të votimit për presidentin, e cila ishte caktuar në datën 20 qershor. Ben Blushi, në atë kohë kryetar i grupit parlamentar të PS, kundërshtoi vendimin e bojkotit të marrë nga kryetari.

 

Kërcënimi i kandidatit Nano

Në një intervistë për “Zëri i Amerikës” Nano shprehej në 12 qershor, se në rast, se do të dështojë në garën për president, do t’i rikthehej organizimit të lëvizjes brenda PS. “Politika nuk është një sferë e ngushtë, që lejon të zgjedhësh midis dy alternativave. Unë e quaj çështje parimore dorëheqjen nga kryetar i PS për shkak të humbjes në zgjedhjet parlamentare. Kjo më ka ndihmuar të vendos një distancë tjetër në politikë. Kam kuptuar më mirë, se raportet e politikës me shoqërinë duhet të transformohen, profesionalizohen dhe të mos cenohen më nga konflikte personale që mund të cenojnë interesat e Shqipërisë për integrimin. Ky do të jetë militantizmi im në të ardhmen. Do të mundohem të sjell sa më shumë faktorë në procesin e integrimit, që shmangin konfliktet. Më tepër se sa një parti e re, do të jetë një proces politik, që do të krijojë një frymë bashkëpunimi bipartizan. Dhe nëse kjo lëvizje do të kthehet në partinë më të suksesshme, votuesit shqiptarë do të më mbështesin tani dhe më vonë”, tha Nano.

Megjithatë, në këtë intervistë ai konsideroi edhe një herë mundësinë e një marrëveshje me kryetarin e PS Edi Rama, të cilit i kishte kërkuar mbështetje, duke deklaruar se ishte kandidatura më e përshtatshme për postin e presidentit, etiketuar si opozitar, bipartizan, konsensual, etj.

Ndërsa Nano ishte kandidaturë e vetëshpallur, republikani Sabri Godo hyri gjithashtu në skenën e debateve për zgjedhjen e presidentit, si një kandidaturë e mundshme konsensuale. Paskal Milo, po përflitej si kandidat gjithashtu. Ndërsa jashtë fushës së  politikës, Kristaq Traja ishte emri i parë, që nisi të lakohej në ambientet politike, si kandidaturë e mundshme për president, që do të mund të merrte më lehtësisht konsensusin e dy palëve. Traja ishte në atë kohë gjyqtar në Gjykatën e Strasburgut, një jurist karriere, ish zyrtar i lartë në qeveritë e PD dhe PS, qysh nga viti 1992.

Më 14 qershor, në selinë e PS hyri për herë të parë pas korrikut të vitit 2005, Fatos Nano. Ai u takua me Edi Ramën, për t’i kërkuar mbështetjen për kandidimin për president. Ishin dy vite me beteja akuzash politike midis tyre dhe vështirë se do të mund të shkrihej akulli mes tyre. Takimi ishte negociuar nga deputetët socialistë, Ben Blushi e Arben Malaj. U duk, se kishte qenë një takim i tensionuar, me debat të ashpër, deri në fyerje. Pas këtij takimi, Nano u shpreh: E vlerësoj si rifillim të një partneriteti mes Ramës e meje, midis grupit parlamentar dhe meje. Unë do të vazhdoj kontaktet edhe me grupin parlamentar edhe me forumet apo institucionet e tjera, që do të krijohen pas zgjedhjeve në PS, sipas parimit “një anëtar një votë dhe kongresit”.

Rama refuzoi të flasë për këtë çështje duke ulur në nivel zëdhënësi, reagimin për takimin me ish liderin e PS Fatos Nano. Saimir Tahiri, asokohe zëdhënës i PS, deklaroi për takimin Rama-Nano, se PS nuk mund të diskutojë për emra konkretë, apo për mbledhje firmash për cilindo kandidat, pasi sipas tij kjo e dëmtonte procesin.

Pas takimit me Ramën, Nano pati po atë ditë, një takim me Gramoz Ruçin e Ben Blushin. Nano deklaroi se do të rrinte në kontakte të vazdhueshme me faktorët brenda grupit parlamentar të PS por edhe me partitë aleatë të PS në koalcion. Kishte zhvilluar ndërkohë një takim edhe me kryetarin e PSD Skënder Gjinushi, por nuk dukej se po merrte sinjale pozitive për mbështetje në kandidimin për president, nga të gjithë faktorët e së majtës. Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Sabit Brokaj u shpreh: LSI nuk do të votojë kandidaturën e Nanos për president, cilidoqoftë qëndrimi i PS edhe pas takimit Rama-Nano. LSI nuk do të votojë president, një njeri që ka braktisur atdheun e vet kur e kishte detyrë kushtetuese ta siguronte atë”. Për herë të parë pas gjashtë muajve mungesë, Fatos Nano shkoi në seancë plenare, për të kërkuar mbështetjen e deputetëve në garën për president. Në vazdhën e vetdeklarimeve dhe propozimeve të tjera, LSI vendosi të propozojë jo zyrtarisht si kandidaturë për president, deputetin demokrat Spartak Ngjela. Nënkryetari i LSI Pëllumb Xhufi u shpreh, se kandidimi i Ngjelës do të ishte konsensual.

Më 19 qershor, Fatos Nano mori pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar socialist. Ai kërkoi nga kolegët e tij deputetë, mbështetjen për kandidimin. Situata e atëhershme në PS, ku grupi parlamentar ishte i ndarë në dy pjesë, pro Nanos dhe pro Ramës, ishte jo fort e favorshme për të dhënë një zgjidhje konkrete për kandidimin e tij. Mbledhja u shoqërua me debate mes grupeve, madje edhe midis Ramës e Nanos. Ndërsa Nano kërkoi argumente përse nuk mbështetej nga PS, Rama iu përgjigj, se opozita nuk i kishte votat e nevojshme për ta zgjedhur. Rama u shpreh, se kandidatura e Nanos mund të marrë maksimalisht në rastin më të mirë 40 votat e opozitës, ndërsa kandidatura e Topit ka mbështetjen e mazhorancës me 80 vota.

Atë ditë, Ilir Meta aleati i Ramës, deklaroi qëndrimin kundër kandidimit të Fatos Nanos për president: Ndërsa paraqitet si përfaqësues i një politike konstruktive dhe jo konfliktuale, Fatos Nano po hap konflikte të panevojshme dhe po bën shantazhe të padenja, për një kandidat potencial për postin presdientit.

 

Kundërshtitë e të djathtëve ndaj Topit dhe negociatat mazhorancë-opozitë

Në kampin tjetër, aleatët e PD  nisën të kundërshtojnë kandidaturën e Topit, ndërkohë që ishin përcaktuar negociatorët midis mazhorancës dhe opozitës. Deputetët demokratë Astrit Patozi dhe Gazmend Oketa ishin përcaktuar nga mazhoranca si negociatorë, ndërsa përballë tyre vinin Arta Dade e Blendi Klosi, dy deputetë të PS. Arjan Madhi, kryetari i grupit parlamentar të PR, aleate me PD në koalicion qeveritar deklaroi, se në tryezën e bisedimeve nuk duhej, që mazhoranca të shkojë me kandidaturën e Topit, pasi kjo do të dëmtonte konsensusin e mundshëm. Ndërsa ndërkombëtarët vazhdonin t’i dërgonin mesazhet e tyre Tiranës zyrtare, që presidenti të zgjidhej me konsensus. Trojka Europiane i kishte bërë të ditur politikës shqiptare domosdoshmërinë e zgjedhjes me konsensus të presidentit, ndërsa shefi i politikës së jashtme të BE, Havier Solana përsëriti këtë mesazh pikërisht dy ditë para raundit të parë të votimit për presidentin. “Zgjedhja e presidentit duhet të vijë përmes konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës. Të dyja palët duhet të jenë konstruktive në këtë pikë”, shprehej Solana në mesazhin drejtuar politikës shqiptare.

Kryesia e PD i kërkoi Berishës që të këmbëngulet për mbështetjen e kandidaturës së Bamir Topit për postin e kreut të shtetit, duke e cilësuar si figurë konsensuale dhe që i plotëson të gjitha kriteret për këtë post. Por kishte edhe zëra ndryshe për këtë çështje. Deputeti demokrat dhe ministër në qeverinë Berisha, Genc Ruli, shprehej në një prononcim për mediat pas mbledhjes së kryesisë, se Bamir Topi mund të tërhiqej nga kandidimi në rast se situata rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kjo do të ndodhte, sipas Rulit, nëse mungonte konsensusi me opozitën. Më 20 qershor, dita kur ishte parashikuar votimi i parë për presidentin, nuk pati kandidat, nuk pati konsensus dhe për pasojë votimi dështoi.  Kryeministri Berisha e quajti seancën e dështuar si “letër e bardhë”. “Jo se ne nuk mund të paraqisnim kandidaturë, por fakti është se ne kemi pritur mundësinë e konsensusit me opozitën”. Berisha tha se nuk përjashtonte asnjë kandidaturë nga mazhoranca, apo edhe nga opozita. Në seancën e parë ishte i pranishëm edhe Fatos Nano, si kandidat i vetëshpallur për president. Një ditë pas dështimit të parë të votimit për presidentin, kryeministri Berisha hodhi në tavolinën e diskutimeve brenda mazhorancës mundësitë për të shpëtuar nga zgjedhjet e parakohshme. “Do të bëjmë çdo gjë për të mos shkuar në zgjedhje” u shpreh ai në mbledhjen e Grupit Parlamentar Demokrat më 21 qershor.  Tërheqja e Topit nga kandidimi, ndryshimi i mundshëm i kushtetutës për të zgjedhur presidentin nga populli dhe mundësia e mbërritjes në kandidaturë konsensuale në bisedime me opozitën, ishin tre opsionet, që shtroi Berisha.

Deputetët e PS, Gramoz Ruçi e Fatmir Xhafa, ishin dy njerëzit e besuar të Ramës, të cilët po drejtonin procesin e përzgjedhjes dhe diskutimit të emrave të mundshëm si kandidatë për president nga PS. Ylli Bufi ishte emri i parë që u pa si një mundësi nga dy eksponentët e PS, si një kandidaturë, që mund të merrte më lehtësisht miratimin e mazhorancës. Pas diskutimit me kryetarin e grupit parlamentar socialist Ben Blushi, emri i Ylli Bufit, i cili në atë kohë ishte nënkryetar i kuvendit, iu paraqit Berishës në negociata. Berisha kishte dhënë sinjale pozitive për emrin e Ylli Bufit, por kërkoi kohë, që kjo të diskutohej në strukturat e PD. Ndërkohë, Ilir Meta shihej nga të majtët si pengesa për të miratuar kandidaturën e Ylli Bufit. Pak muaj më parë, në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit Meta e Bufi kishin patur konflikt për bashkinë e Patosit. Kandidati i opozitës ishte i LSI, ndërsa në Patos kandidoi si i pavarur një socialist, të cilin e mbështeti Bufi, duke krijuar kështu konflikt me Ilir Metën dhe LSI.

 

Negociatat PD – PS

Negociatorët e dy partive, PS e PD vazhdonin bisedimet. Blendi Klosi i paraqiti Astrit Patozit dhe Gazmend Oketës kushtet, që PS vendosi për të vazhduar negociatat për zgjedhjen e presidentit. “Axhendë e përbashkët në funksion të ratifikimit të MSA dhe të anëtarësimit në NATO; Reformë elektorale që të mund të përmbushë aspiratat e shqiptarëve për zgjedhje të lira e të ndershme të standardeve europiane; Grupe të përbashkëta pune për reformën në sistemin e drejtësisë, reformën territoriale, reformën e decentralizimit dhe reformën në administratën publike; Për presidentin, Kandidatura të jetë e opozitës dhe mirëkuptimi për çdo kandidaturë të jepet paraprakisht nga mazhoranca”

Ndërsa mazhoranca kishte dhënë paraprakisht një farë pëlqimi për kandidaturën e Ylli Bufit, por edhe kishte miratuar kushtet e PS, zëra nga opozita po përforconin qëndrimin në mbështetje të rikandidimit të Alfred Moisiut për postin e presidentit. Ishte një kandidaturë e kundërshtuar kategorikisht nga mazhoranca demokrate. Kryetari i LSI Ilir Meta tha në media, se kandidatura e Moisiut është e duhura dhe këtë qëndrim e mbështeti edhe kryetari i PS, Edi Rama. Ky i fundit e vlerësoi pozitiv faktin se mazhoranca demokrate pranoi kushtet e opozitës dhe deklaroi, se ishte i gatshëm të takohej me Berishën për çështjen e presidentit. Ai deklaroi publikisht nevojën e këtij takimi. Ndërkohë që po uleshin tensionet ndërmjet PD dhe PS, marrëdhënia PS-LSI po shfaqte krisjet e para, ose më saktë marrëdhënia Rama-Meta. Në një garë protagonizmi në ditët e negociatave, dy liderët e partive të majta shfaqën hapur shenjat e nisjes së prishjes së koalicionit mes tyre. Ulja e PS në tryezën e bisedimeve me PD, pa përfillur LSI dhe aleatët e tjerë, shkaktoi reagimin e Ilir Metës, i cili u drejtua për në presidencë, ku takoi Moisiun dhe prej andej nxitoi ta shpallë atë si kandidaturën e pëlqyer nga opozita, por pa marrë zyrtarisht pëlqimin e PS. Duke u përpjekur të qëndrojë protagonist kryesor në zgjedhjen e presidentit, Ilir Meta kishte patur takim edhe me kandidatin e mazhorancës, Bamir Topi.

Ndërsa vazhdonin negociatat mes mazhorancës dhe opozitës, erdhi edhe seanca e dytë për zgjedhjen e presidentit, por nuk kishte ende gati asnjë emër. Kështu u dogj edhe seanca e dytë e votimit, e cila u konsiderua si e ezauruar vetëm me debate ndërmjet palëve. Pas këtij momenti, Berisha u shpreh, se ishte i gatshëm të takohej me Ramën e Nanon për të mbërritur në gjetjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit. Nuk dukej se negociatat po jepnin rezultat dhe Berisha rihapi debatin për ndryshimin e kushtetutës, pikërisht për pikën e zgjedhjes së presidentit. Zgjedhja e presidentit nga populli, dukej si shansi i Berishës për të shpëtuar nga zgjedhjet e parakohshme. Por kjo ide kundërshtohej nga opozita, pasi ndryshimet në kushtetutë kërkonin një kohë më të gjatë, se koha në dispozicion për zgjedhjen kreut të shtetit sipas kushtetutës. Konstitucionalistët pranë mazhorancës e interpretuan optimiste situatën, duke deklaruar se ndryshimet në kushtetutë mund të kryheshin edhe brenda pak ditësh. Ky version u mbështet edhe nga aleatët e PD në koalicionin qeveritar, edhe nga Ilir Meta.

 

Kërcënimi i Topit

Berisha kishte nisur t’i largohej kandidaturës së Bamir Topit. Ky i fundit mblodhi deputetët e tij mbështetës për t’iu komunikuar, se Berisha e kishte lënë në baltë. Më 27 qershor, Topi ishte shprehur në rrethin e tij të ngushtë me deputet e PD, se nëse Nano del president me votat e PD, atëherë PD do të çahej. Strategjia e Topit dhe mbështetësve të tij ishte, se në një rast të tillë, 20 deputetë të PD do të firmosnin për kandidaturën e tij. Ilir Meta, i kërkoi kryetarit të PS, që të avancojë në qëndrime politike për të zgjidhur brenda dy ditësh çështjen e presidentit, ose në të kundërt LSI do të vepronte e pavarur nga koalicioni opozitar. Meta kërkoi mbledhjen me urgjencë të tryezës së opozitës për të përcaktuar listën e kandidatëve për president. Paqartësia sa vinte e shtohej  brenda radhëve të mazhorancës, opozitës dhe në marrëdhëniet mes tyre. Bamir Topi mblodhi në Vlorë deputetët e tij mbështetës në PD: Bujar Leskaj, Ardian Kollozi, Sami Gjergji, Gazmend Oketa, Sali Shehu, Edmond Spaho, etj. Ky ishte një presion i hapur kundër Berishës që i rrezikonte vazhdimin e qeverisjes.

 

Listat e kandidatëve për president

Të hënën e 30 qershorit, partitë e opozitës përpiluan një listë me emra kandidatësh potencialë për president. Në këtë listë përfshiheshin figura të rëndësishme të partive të majta, ndër të cilat edhe ish-kryeministri Fatos Nano. Ky i fundit përshëndeti hapin hedhur nga partitë e opozitës. Ndërsa 5 korriku ishte data për zhvillimin e raundit të tretë të votimit për zgjedhjen e presidentit. Këtë raund duhej patjetër të kishte votim, ose në të kundërt vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme, përcaktuar sipas nenit të kushtetutës për zgjedhjen e presidentit.

Një ditë më parë, Ben Blushi i kërkoi Berishës të ulej në bisedime me Ramën, ndërsa Berisha deklaroi, se nuk kishte pse ulej në një takim kokë më kokë me Ramën, por propozonte një takim të shoqëruar nga aleatët. Në këtë situatë të vështirë për mazhorancën, kryeministri Berisha kërkoi ndërhyrjen e Nard Ndokës për t’u përfshirë si negociator mes tij dhe Ramës për t’u takuar dhe për të zgjedhur një kandidat konsensual për president. Ndoka ishte një ndër politikanët që ishte paraqitur i ekuilibruar në debatet për zgjedhjen e presidentit. Sipas gazetës “Panorama”, Ndoka ishte zgjedhur, pasi këtë rol e kishte refuzuar më parë Fatmir Mediu. Në mesditën e 5 korrikut, Nard Ndoka endej mes kryeministrisë e bashkisë, duke përcjellë mesazhet e dy liderëve Berisha e Rama për të mbërritur në një të përbashkët, takimin mes tyre për çështjen e presidentit. Po mendohej për një takim të mundshëm para seancës parlamentare, që do të zhvillohej pasditen e 5 korrikut. Ishte seanca e tretë për zgjedhjen e presidentit. Pasdite vonë, Ndoka deklaroi, se takimi do të zhvillohej në nivel kryetarësh të partive parlamentare dhe nëse nuk arrihej konsensusi, atëherë do të votohej kandidati i mazhorancës për të respektuar kushtetutën.

Bamir Topi mblodhi sërish deputetët demokratë mbështetës të tij, në kafenenë e preferuar përballë parlamentit. Në takim me Topin ishin parë edhe dy deputet të LSI, Ndre Legisi dhe Spartak Braho dhe kështu u krijua ideja, se Bamir Topi po shpresonte ne votat e LSI si plotësuese për t’u shpallur president, pasi mazhorancës i mungonin disa vota.  Vetë Meta ishte shprehur një ditë më parë, se nëse duhej të zgjidhte midis Topit e Nanos do të votonte Bamir Topin.

Ndërkohë në mbledhjen e kryesisë së PD, Bamir Topi replikoi me Berishën, kur ky u fundit përpiloi listën e mazhoracës me emrat e kandidatëve për president, ndër të cilët edhe Halit Shamata e Myqerem Tafaj. Topi u shpreh në atë mbledhje, se Berisha po tallej me emrin e tij dhe kërkoi tërheqjen nga lista e kryesisë së PD me emrat për kandidat për president. Megjithatë Topi nuk e deklaroi tërheqjen përfundimtare nga gara, duke deklaruar se: “Do të jem në garë, nëse procesi është kushtetues dhe nuk do të jem produkt i tavolinave dhe negociatave”.

Në tryezën e negociatave sa vinte e shtohej lista e emrave që po diskutoheshin për t’u përfshirë në proces. Nga e djathta u përfolën si kandidatura të mundshme dy mjekë në zë, si Mentor Petrela e Halim Kosova. Nga diplomacia u propozuan nga e majta, Pavli Zëri e Bashkim Zeneli, nga drejtësia, kryetari i gjykatës kushtetuese Vladimir Prifti, i propozuar nga PS, Ferit Hoxha nga diplomacia i propozuar nga PD. Roland Bimo, Qirjako Qirko, Spiro Koçi, Vjollca Meçe, Tefta Zaka, ishin të tjerë emra të përfolur në tryezën e negociatave si kandidatura të mundshme për president. Kishin kaluar gjashtë orë negociata dhe lista e kandidatëve sa vinte e shtohej, por nga lista ishin përjashtuar emrat e kandidatëve politikë. Ndërkohë, dy seancat e para të cilat u konsumuan pa kandidat u cilësuan të pakonsumuara pasi nuk kishte patur votim, ndërsa pritej, që në seancën pasardhëse të konsiderohej seancë votimi dhe do të quhej votimi i tretë. Fatos Nano po pretendonte të rikthehej në garë, ndërsa Bamir Topi iu komunikoi mbështetësve të tij tërheqjen përfundimtare. Berisha po negocionte me socialistët, që të gjente kandidatin konsensual dhe për këtë arsye Topi ishte tërhequr, edhe pse mbështetësit e tij insistonin që ai të qëndronte në garë.

 

Gjashtë votat e Fatos Nanos zgjedhin Bamir Topin president

Negociatat mes mazhorancës dhe opozitës dështuan përfundimisht dhe në skenë u rikthyen kandidaturat politike. Grupi parlamentar i PD u mblodh në prag të seancës së votimit për presidentin dhe vendosi të rikthejë në garë kandidaturën e Topit. Ishte vendim zyrtar. Po atë ditë me 8 qershor, Edi Rama i kërkoi Fatos Nanos të tërhiqej përfundimisht nga gara pasi PS do të rifillonte përpjekjet për të paraqitur kandidaturë konsensuale në tryezën e gjashtë partive parlamentare. Nano e refuzoi tërheqjen dhe mbështetësit e tij dhe ky vendim u mbështet nga disa deputet në PS, ndërsa krerët e partive të koalicionit të majtë ritheksuan qëndrimin kundër Nanos. Neritan Ceka, i PAD, i cili ishte në listën e opozitës, nuk pranoi të tërhiqej nga gara duke theksuar, se nuk i nënshtrohej vendimit të koalicioni të majtë dhe garën do ta vazhdojë i pavarur nga këto vendime. Kandidaturat politike nisën garën. Fatos Nano kishte marrë firmat e 20 deputetëve, ndërsa Bamir Topi e paraqiti listën e firmëtarëve në datën 9 qershor. Në datën 10 korrik u krye votimi i parë, në të cilin Bamir topi mori 75 vota të deputetëve ndërsa Fatos Nano mori vetëm 3 vota. Topit i duheshin edhe 9 vota për tu bërë president, vota të cilat duheshin kërkuar nga opozita. Në fjalën e tij në këtë seancë, Berisha u shpreh se mazhoranca nuk do të mund të votojë në asnjë rrethanë kandidaturën e Fatos Nanos, ai është lideri historik i së majtës, dhe mazhoranca nuk mund ta votojë kurrsesi, ashtu siç nuk do t’i kërkonte në asnjë rrethanë opozitës socialiste të votonin kandidaturën e tyre për president. Të bindur se Berisha nuk ishte i interesuar për zgjedhje të parakohshme, socialistët shpresonin sërish në kthimin e negociatave, ku Rama priste të promovonte emrin e Arjan Zaimit, gjithashtu ushtarak. Pas refuzimit, opozita vendosi në tryezën e  partive të koalicionit të majtë, nisjen e përgatitjes për zgjedhje të parakohshme. Meta mungoi në atë tryezë.

Ndërkohë, Berisha u rikthye te mundësia e negociatave, por Meta doli kundër zgjedhjeve të parakohshme, duke deklaruar se do të ishte e dëmshme të shkohej në zgjedhje pa standarde, pa një reformë zgjedhore, dhe në një situatë të rënduar ekonomike. Në raundin e tretë të votimit, më 14 korrik, në garë kishte hyrë edhe kryetari i PAD Neritan Ceka. Kishte mundur të merrte 21 firma deputetësh, shumica e të cilëve i përkisnin partive të vogla të koalicionit të djathtë. Në votim, Bamir Topi mori 50 vota, Neritan Ceka 32 vota ndërsa Fatos Nano vetëm 3 vota. Deputetët e PS nuk ishin prezent në sallën e Kuvendit, pasi ishte vendosur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist të bojkotohej seanca. Ky vendim u konsiderua si një vendim i Ramës për të shmangur mundësinë e rrjedhjes së votave të PS. Kjo seancë përcaktoi edhe dy finalistët, Bamir Topin e Neritan Cekën, si dhe solli sërish në skenë mundësinë për bisedime. Fatos Nano u largua përfundimisht nga gara për president.

Neritan Ceka po shihej si një figurë politike, që mund të mbështetej edhe nga opozita. Berisha gjithashtu u shpreh i gatshëm për t’u ulur në bisedime. Aleatët e PD po i kërkonin Berishës tërheqjen e kandidaturës së Topit, për të siguruar konsensusin, Edi Rama tha gjithashtu, se opozita mund të votojë Neritan Cekën president, nëse tërhiqet Bamir Topi.

Duke qenë se opozita dha shenjat e konsensusit për Neritan Cekën, Nard Ndoka një prej aleatëve të PD, i ngarkuar nga Berisha si negociator me Ramën, tha se Topi duhet të tërhiqet për t’i hapur rrugën kandidaturës së Cekës, si kandidaturë konsensuale.

Ndërsa Berisha tha: Mendoj se zoti Topi është kandidati, që ka më shumë shanse për ta fituar këtë garë. Nuk do të tërheqim kandidaturën e Topit, për t’i hapur rrugë Cekës.

Edi Rama u shpreh se opozita është e gatshme ta pranojë Cekën si kandidaturë konsensuale, edhe pse ishte propozuar nga partitë e djathta, por Topi deklaroi se nuk do të tërhiqej. Në datën 20 korrik u zhvillua seanca e katërt e votimit për presidentin dhe në atë seancë morën pjesë gjashtë deputetë socialistë, të cilët thyen kështu vendimin e grupit parlamentar të partisë, duke qenë prezent në seancë plenare, kur Rama kishte vendosur bojkot të seancës për zgjedhjen e presidentit. Durim Hushi, Taulant Dedja, Hamit Kosta, Bukurosh Stafa, Paulin Sterkaj, Durim Lamaj, ishin socialistët që dezertuan vendimin e partisë dhe deklaruan votën e tyre pro Bamir Topit, tashmë president. Ata njiheshin si mbështetës të kandidimit të Nanos për president dhe si mbështetës të tij në parti. Bamir Topi mori 85 nga 90 votat e deputetëve që ishin prezent në seancën e kuvendit. Kështu u shpall presidenti i ri i republikës, duke mbyllur një periudhë të gjatë negociatash të vështira midis mazhorancës dhe opozitës. Bamir Topi u zgjodh president me votat e rivalit të tij, Fatos Nano.

11 komente në “DOSSIER/ Gjashtë votat e Fatos Nanos që shpallën president Bamir Topin”

  1. ALARM .... Shqiperia shtet MAFIOZESH says:

    Poshtersia politike arrin kulmin ne Sqiperi.
    Pushteti uzurrpohet nga “MAFIOZET”!
    Shqiperia ne DIKTATURE pseudo-demokratike !

  2. Historia e zgjedhjes se Presidentit te ri te Republikes ka hyre ne rjedha te pa parashikueshme, por, ne fund, Fatos Nano do te dale fitues, dhe ky do te ishte fundi i kesaj mazhorance, dhe krijimi i nje mazhorance te re parlamentare, pa mbeshtetje politike popullore. http://mdcal.blogspot.com/2012/06/greqia-shtet-i-shqiptareve-dokumentar.html

  3. ben says:

    Kjo gazetarja paska qejf me e zgjat shkrimin me e bo carcaf.Kjo me mire te beje libra,se e beka terkuz.

  4. War & Peace says:

    Po ca vota te Nanos , ato deputete moren nga 1 milion euro qe votuan per Bamirin . Nano sa beri pazarin

  5. atila says:

    Ky vend po rripet nga te kater anet nga nji hordhi politikanesh kriminele te mbeshtetur nga militante te babezitur, familiare te pangopur, me miq me soj e sorrolop qe u ka zene syte pasurimi mbi vuajtjen e popullit. Kjo murtaje e zeze me e zeza e ketyre 100 vjeteve shtet po e kthen Shqiperine ne nje xhungel ne kuptimin e plote te fjales ku pushteti,forca,paraja,imoraliteti po mbysin cdo qelize te kesaj te ashtequajture demokraci qe po jep shpirt. Kalbezimi moral e shpirteror, zvetnimi i shpreses dhe mungasa e prespektives per te dale mbi kete batak qe po na mbyt, po e ben kete vend nje koloni mafioze, ku fitohet me c’do menyre,por vetem me pune te ndereshme jo. Anarkia totale,padrejtesia,mashtrimi,dhuna dhe frikesimi me metoda te sofistikuara, deri ne zhdukje fizike, po kthehen ne norme. S’mjafton as rrevolta e as demostratat per te rrezuar kete bande vampiresh qe po na e pijne gjakun. Duhet nje kryengritje ose nje revolucion ku me gjak dhe hekur te vihet ne vend dinjiteti i popullit mbare. Kjo bande e felliqur e reksionare duhet delegjitimuar,shpronesuar dhe duhet vene para drejtesise per te mare denimin kapital se ate moral do ja jape historia. Rrofte Shqiperia!

  6. Dibrani says:

    Politikanet Shqiptare tallen me popullin te gjithe komunista jane por Nano-Berisha-Meta jane serbo-greke

  7. Lleshi says:

    Nuk ishin votat e Nanos, por vota te blera nga Bamir Topi me ndermjetesimin e Nanos. Thuhej se nje vote deputeti kostoi rreth 500 000 euro.
    Kjo eshte baza mbi te cilen lundrojne pushtetet dhe politikanet e degjeneruar te Shqiperise.

  8. Shumica e Shqipetareve qe angazhohenne ne politike i terheq interesi personal ata kane pare shoket dhe miqte e tyre(KETU KE NE CDO GJE ESHTE E LIDHUR ME TARAFE;DUKE PREZANTUAR NJERI TJETERIN RASTI BULLICA TRASHANI MIKESH E XHOZIT) TE KALOJME NE TEME SE SI BRENDA NJE KOHE TE SHKURTER TA THEMI SHQIP SA HAP E MBYLL SYT NGA NJEREZ TE THJESHTE PA VESE KETHEHEN NE MILIONERE TE KORUPTUAR KRIMINELE E PA DINJITET ME VILA E PARE SI META;MEDIU LULKA E BASHKISE QE E KA OREKSIN PER PASURI TE MADHE; ME PASURI TE PA TUNESHME TE FAMILIES BERISHA KU TE TERE I KANE FUTUR DUART FEMIJET DHE CIFTI SALISLLOBODANKA TE CILET KANE OZUPUAR GJITH SHQIPERINE;NE CDO VEND KU KA PARE KORUPSIONI KUPTOHET DEL EMERI I XENIT;ISHALLA MOS I GEZOFSHIN ; SI TOSI QE DO TE BEHET PRESIDENT ME PARET E FUKARENJEVE QE VDESIN NEPER MINIERA PER TE MBI JETUAR PUNOJNE ME CANTA DUKE U FUTUR NEPER GALERITE E SHKATERUARA,AI LUANTE DHE LUAN. NEPER KAZINO DUKE I BERE QEFIN VETES .TANI JETON NE NE VJENE, ME SE ? AI ESHTE MESUAR TE JETOI NE LLUKS,TE PRISHE PARE PA ESAP;KESHTU QE I DUHEN MANI;SHANCI ERDHI E LA VJENEN ERDHI NE TIRANE TAKO SA NJERI TJETRIN;SHOQERIA QE KA LENE NUK KA GJE NE DORE:ME VJEN INAT NE DISA KOMENTUES QE PERKRAHIN KETA FUNDERINA QE I DUAN SHQIPETARET DHE SHQIPERINE KUR KANE INTERESIN E TYRE KUR JU JANE MBARUAR PARET JU DOGJ SHPRETKA TOSIT DHE I KANE ERDHUR MEDEMEK TRUTE DO BEJE DREJTESI;ZGJEDHIE TE DREJTA VITIN TJETER;PO SI MUND TA FALE POPULLI OPOZITAR TE CILIN E LA NE UDHEKRYQ;VETE DUKE BERE TAKIME TE FSHETA ME SALINE NJERINE QE E FUTI NE BURG QE JU FUT NE FAMILIE SIC E KA ZAKON SALIU KUR DO TE GENJEJE DHE TI HEDHE HI SYVE POPULLIT QE E KA BESUAR; FATOSI ADOLESHENT I HENGRI TE GJITHA HILET E PLAKUT SHTRGAN(SE DHE TOSI NUK ESHTE PLAK ME I MIRE)VAZHDPJME TE DY TOSI DHE SALA PREGATITEN MBRAPA SKENA TE FELLIQURA KUNDRA PS DHE VCANERISHT LIDERIT TE SAJ Z RAMA MBRAPASKENAT DHE LUFTA E HAPUR E SALIUT DHE GJITHE PD KUNDRA EDIT SHPESH HERE ME KA FUTUR NE MENDIME;PSE KETA PUSHTANIKA I TREMBEN ARDHJES TE EDI RAMES DHE PS NE PUSHTET DHE NE QEVERI ?JA U THEM UNE DHE E THONE SHUMMMMMMMMMMM TE TJERE ,SEPSE EDI RAMA DO SJELL NDRYSHIMIN;DO TE KRIJOJ; NJE SHTET QE POPULLI KA NEVOJE, PUNE E QETESI, KJO VARET DHE NGA NE VOTUSIT,TE CILET DUHET TI TREGOJNE VENDIN KRIMBAVE PARAZITARE TE FATOS BIXHOZIT;EDI RAMA ESHTE NJERIU I DUHUR PER TE UDHEQUR KETE VEND QE DEMOKRACIA NUK EKZISTON;TA MBLEDHIM MENDIEN TOP SE PLAKU INTRIGANT BEN PAZARE MBI KOKEN E SHQIPETAREVE;SHET E BLEN SI POSTIN E PRESIDENTIT; PER TE SIGURUAR EDHE NJE MANDAT I CILI I DUHET PER TI SHITUR DHE ATO QE KANE MBETUR NGA SHQIPERIA DHE PER TE SIGURUAR PARET E MAFIES TE KRIMIT TE KORUPSIONIT KU ESHTE E PERFSHIRE PD DHE QEVERIA E TIJ:HAROVA XHOZIN QE PER SYRIN TIM ESHTE NJE BURE I FELLIQUR E KORUPTUAR SI VETE DHE FAMILIA E SAJ QE GEZOJNE PRIVILEGJE QE SJU TAKOJNE;KJO QEVERI DUHET SHKULUR ME RENJE ME SALI E KOMPANI;

  9. flora57 says:

    Leket e surratit tuaj moren , po tashi qe u kthyen ne ps tre nga ata deputetet qe ju po i akuzoni cfare do te thoni ?

  10. Gezimi says:

    6 deputete injorante, te cilet nuk u degjuan asnjehere te flisnin ne parlament, dhe ende u permendet emri. Tani kushedi ku jane duke bere poshtersite e rradhes. More, a do ekzistoje ligji ndonjehere ne kete vend, apo populli te kap hunjte e t’i zboje me force keta zagare e zullumqare te pashoq?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje