Si Gjermania jo, por të paktën si Bullgaria...

15 Qershor 2012, 17:46Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

 

Ndër 33 vendet anëtare apo kandidate të BE-së, 7 nuk kanë nevojë ta zgjedhin kryetarin/en e shtetit. Belgjika, Britania e Madhe, Danimarka, Hollanda, Luksemburgu, Spanja dhe Suedia kanë në krye të shtetit monarkë, të cilët kur vdesin ose kur nuk kanë më aftësi fizike për të ushtruar sovranitetit, zëvendësohen nga trashëgimtarët e tyre. Në 26 vendet e tjera, kryetari i shtetit zgjidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga populli, i cili luan në këtë rast rolin e sovranit.

Në rastin e zgjedhjes së drejtpërdrejtë, zëvendësimi i kreut të shtetit është i thjeshtë nga pikëpamja institucionale – në fund të një gare elektorale, ai/ajo kandidat që merr mbi gjysmën e votave të popullit bëhet president. Ndërsa në rastin e zgjedhjes së tërthortë, persona të zgjedhur për të përfaqësuar popullin në organe legjislative dhe, në disa raste, edhe ekzekutive, përcaktojnë me votat e tyre kryetarin e shtetit.

Zgjedhja e kreut të shtetit në Shqipëri, siç dihet, bëhet me mënyrën e tërthortë – populli zgjedh deputetët e Kuvendit dhe ata, nga ana e tyre, zgjedhin Presidentin e Republikës. Por në ndryshim me eksperiencën e shumicës së vendeve anëtare/kandidate të BE-së që bëjnë zgjedhje të tërthortë të kreut të shtetit, nga 6 ndër 7 votimet e fundit presidenciale në Kuvendin e Shqipërisë, ka dalë një president prej udhëheqjes më të lartë politike të shumicës parlamentare. Edhe në rastin e vetëm kur presidenti është zgjedhur jashtë politikës (2002), përzgjedhja e tij është bërë me metodën e emëruesit më të vogël të përbashkët – njeriu që do të përfaqësonte unitetin e popullit nuk njihej fare nga shumica dërrmuese e popullit. (Në pesë vjetët që vijuan, rezultoi që presidenti i zgjedhur atëherë me konsensus nga Kuvendi e kreu mirë detyrën e tij, por ndoshta kjo gjë ishte thjesht një fat i mirë).

Po eksperienca e shumicës së vendeve anëtare/kandidate të BE-së që bëjnë zgjedhje të tërthortë të kreut të shtetit çfarë na tregon? Ato zakonisht zgjedhin në krye të shtetit një politikan të pakicës parlamentare, me një karrierë të gjatë politike, por pa ambicie për ta vazhduar atë pas vajtjes në presidencë. Shembulli më i fundit i kësaj përzgjedhje është ai i Gjermanisë, ku një figurë politike e opozitës (një nga “armiqtë” më të mëdhej të Kancelares Merkel), u zgjodh në krye të shtetit edhe me votat e mazhorancës. Dhe një zgjedhje e tillë është padyshim tregues domethënës i pjekurisë së demokracisë së vendit që e bën.

Po kur do të vijë dita që një zgjedhje e tillë e kreut të shtetit të bëhet edhe në Shqipëri? Historia 100-vjeçare e shtetit shqiptar na tregon se ajo ditë nuk ka gjasa të jetë e afërt. Dhe në qoftë se nuk e ndryshojmë mënyrën e zgjedhjes së presidentit, duket se edhe për disa dekada, në krye të shtetit do të vihet dikush ose me forcën e kartonave parlamentarë, ose me metodën e emëruesit më të vogël të përbashkët.

Për t’i shpëtuar këtij mallkimi, ndoshta duhet t’i hedhim sytë tek eksperienca e vendeve të ngjashme me tonin.

Njëri nga këto vende, Bullgaria, është bërë rishtazi anëtare e BE-së, është vend ballkanik, ka patur të kaluar monarkike dhe komuniste, pati një tranzicion të ngjashëm me tonin nga shteti monist në shtet pluralist (në zgjedhjet e para pluraliste fitoi partia komuniste kryesisht me vota rurale, ndërsa një vit më vonë, në zgjedhje të parakohshme, fitoi Partia Demokratike) dhe tani ka një president me kompetenca të ngjashme me tonin, por që zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

Zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli edhe në Shqipëri nuk do të ishte ilaçi magjik për të zgjidhur të gjitha hallet tona, por do të na shpëtonte të paktën nga përzgjedhja nën kërcënimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të një presidenti të mazhorancës ose, më rrallë, të një njeriu që vetëm pak shqiptarë e njohin. Ndërsa kostoja financiare e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit mund të minimizohet në qoftë se bëhet në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale.

*respublica.al

1 komente në “Si Gjermania jo, por të paktën si Bullgaria…”

  1. The Looser says:

    Zgjedhjet për presidentin e Shqipërisë në parlamentin shqiptar:
    Maxhoranca voton unanimisht dhe z. Bujar Nishani President i Shqipërisë me 73 vota Pro, nga 76 deputetë që ka gjithsej maxhoranca!
    Dy vota të pavlefshme dhe një votë kundër:
    Gazmend Oketa, Jozefina Topalli dhe …… ndonjë analfabet ?
    E kush guxon e voton kundër nga deputetët e maxhorancës ?!!

    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/06/zgjedhjet-parlamenti-shqiptar-2012.html

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje