As Punësim, as Rritje Ekonomike

13 Qershor 2012, 18:39Blog TEMA
As Punësim, as Rritje Ekonomike

Nga Ilir Beqja

 

Ka disa javë që kryeministri i referohet Komisionit Europian kur flet për ekonominë shqiptare. Nuk thotë më se sa është rritja ekonomike, por mjaftohet të thotë se, sipas Komisionit, kjo rritje është më e e lartë se mesatarja e Europës.

Deri këtu kryeministri është formalisht korrekt. Por, Komisioni Europian publikon çfarë i raportohet nga institucionet shqiptare. Zyrtarët e Bashkimit Europian na e kanë thënë qartë se nuk janë ata që duan të na bashkojnë me Europën, por jemi ne shqiptarët që duam të bashkohemi me Europën. E për pasojë vetë ne duhet të jemi të interesuar më së pari të raportojmë të dhëna të sakta.

E veçanta është se kryeministri nuk i referohet më as Bankës Botërore, as Fondit Monetar Ndërkombëtar, as Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Këto institucione kanë bërë vlerësime paraprake që rritja ekonomike këtë vit do të jetë në intervalin 0 – 1 %, pra disa herë më poshtë se parashikimet e qeverisë në fillim të vitit. Së fundmi, Banka Bot♪ërore deklaroi se për vitin 2012 parashikon rritje 1.6%. Këto institucione ndërkombëtare vërtet duan të ndihmojnë Shqipërinë, por ato janë së pari institucione financiare borxhdhënëse dhe interesi i tyre është vlerësimi i saktë i aftësisë së borxhmarrësit për të shlyer borxhin. Të dhëna të pjesshme e të tërthorta të 4 mujorit të parë tregojnë se institucionet financiarë ndërkombëtare janë më pranë realitetit në vlerësimet e tyre.

Nuk ndodh vetëm me treguesin rritjes ekonomike që kryeministri i referohet Komisionit Europian, edhe pse ky i fundit, siç e thamë edhe më lart, publikon çfarë i raportohet nga institucionet shqiptare. Ndodh edhe me normën e papunësisë. Të dhënat e fundit tregojnë se në tremujorin e parë 2012 norma e papunësisë është 13,32 % me një rritje nga 13,29 % që ishte në tremujorin e fundit të vitit 2011. Kjo normë papunësie i korrespondon një numri prej 143,421 personash të regjistruar si punëkërkues në zyrat e punësimit në Shqipëri. Edhe nëse norma e papunësisë do të ishte ulur në 12 % apo do të ishte rritur në 14 %, praktikisht nuk do të thotë asgjë për shumicën e shqiptarëve. Ne terma praktikë, një normë papunësie 13 % është njësoj sikur midis 8 vetëve në moshë pune vetëm 1 nuk punon. Apo në jetën tonë reale në një pallat me 8 familje, të rriturit e 7 familjeve vrapojnë në mëngjes për në punë dhe vetëm në një familje janë atë që nuk kanë punë. Për fat të keq nuk është ky realiteti i qyteteve shqiptare.

Përveç se nëpërmjet të dhënave administrative, papunësia mund të matet edhe duke vrojtuar realitetin e përditshëm, duke anketuar qytetaret e qytetarët në moshë pune. Anketimi është një teknikë që përdoret të botën moderne për çështje nga më të ndryshmet. Anketimi në rastin konkret do të ndihmonte të identifikoheshin edhe ata individë që nuk punojnë por që kanë zgjedhur të mos shkojnë tek zyrat e punës për faktin e thjeshtë se nuk kanë besim se kështu mund të gjejnë punë. Për fat të keq, Anketa e Forcave të Punës më e fundit është e vitit 2009. Në vitet e fundit nuk ka publikime të mëvonshme, ndërkohë që Instituti i Statistikave nuk e ka parë të udhës të japë asnjë shpjegim pse nuk do të kemi deri në fund të këtij viti të dhëna për tregun e punës.

Megjithatë, ja çfarë na vjen nga leximi i të dhënave zyrtare të buletinit statistikor te tremujorit IV, i cili krahason punësimin në tremujoret respektivë të viteve 2011 dhe 2010.

(Shihni Tabelën 1 në figurë)

Përveç telekomunikacionit që është një sektor ku nuk ka punësim masiv, në sektorët tradicionalë raportohet zyrtarisht se ka rënie të punësimit gjatë gjithë vitit 2011 kundrejt vitit 2010.

1 komente në “As Punësim, as Rritje Ekonomike”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje