Nëse para njëqind vjetësh çështja për udhëheqësit e atëhershëm shqiptarë ishte si të kihet një shtet që është shqiptar, perëndimor, prandaj dhe evropian – e në këta njëqind vjet asnjëri prej objektivave nuk është arritur – a janë ende të gjalla këto aspirata?
Procesi i shpërndarë i shtetndërtimit nuk e ka lënë vetëm Shqipërinë të pakompletuar. Në forma të tjera kanë mbetur të pakompletuara dy shtete të tjera, me dallimet e tyre gjegjëse.
Republika e Maqedonisë është dashur të kalojë nëpër një proces të vështirë shtetndërtimi si vend i pavarur, vetëm për të gjetur se ende ka një problem fondamental me njërin prej fqinjëve të saj, Greqinë, e nëpërmjet këtij problemi edhe me identitetin si shtet kombëtar. Greqia ka penguar në formë të suksesshme anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe fillimin e procesit të negociatave për aderimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, duke mos e pranuar emrin kushtetues të vendit, dhe ç’është më brengosëse, duke mos e pranuar identitetin e shumicës së popullatës së vendit si maqedonas etnikë.
Ky moskompletim i identitetit perëndimor të vendit ka pasur një pasojë të dyfishtë negative te vendi.
Nga njëra anë e ka ushqyer edhe më lëvizjen populliste, që është e identifikuar me partinë në pushtet (VMRO-DPMNE), e që është përqendruar në ndërtimin e identitetit evropian nëpërmjet të një pothuaj parku zbavitës me temë adoptimin e Aleksandrit të Madh dhe Maqedonisë antike.
Nga ana tjetër, ka krijuar vendnumërim në aspiratat perëndimore të vendit: një Maqedoni e paralizuar është duke e humbur edhe më tutje teksturën sociale ndëretnike që e mban vendin bashkë. Sot, më shumë maqedonas se më parë janë të përqendruar në aventurat e Aleksandrit të Madh, e më shumë shqiptarë të Maqedonisë se më parë janë të përqendruar në idetë e islamit politik, përfshirë edhe kuptimin se të jesh pjesë e “kombit të madh islamik” do të thotë të mos jesh pjesë e etnikumit tënd. Sot në Maqedoni po zhvillohet një garë për identitete alternative: një pjesë e maqedonasve duke e kërkuar në antikitet, një pjesë e shqiptarëve duke e kërkuar në islamin, në atë që nuk bën pjesë në traditën shqiptare.
Por, shkalla e moskompletimit shtetëror ka një natyrë shumë më drastike në Kosovë, një shtet disfunksional, me 20 për qind të territorit të vet të pakontrolluar nga institucionet e vendit. Një moskompletim i identitetit tokësor shoqërohet me problemin e legjitimitetit të vet ndërkombëtar, duke qenë shtet i njohur nga 91 vende, mes të cilave janë edhe fuqitë më të mëdha perëndimore, por jo prej vendeve të tjera të OKB-së, dhe me rëndësi, të atyre që janë në Këshillin e Sigurimit si Rusia dhe Kina, që do të bllokonin anëtarësimin e Kosovës në OKB. Pastaj, legjitimiteti evropian i Kosovës është i bllokuar nga pesë prej 27 vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pra rrjedhimisht nuk e njohin vendin as si partner kontraktual të Bashkimit Evropian.
Shqiptarët nuk janë të vetmuar në ushtrimin e shtetësisë së pakompletuar. Ata janë bukur të ndërlidhur me dy projekte të hapura të shtetndërtimit serb. Bosnja dhe Hercegovina është një shtet disfunksional, i cili nuk ka legjitimitet kushtetues të vetin dhe i cili udhëhiqet pak a shumë me një marrëveshje ndërprerjesh të luftimeve të arritur në Dayton, Ohio më 1995. Brenda kësaj marrëveshje qe arritur Kushtetuta që legjitimoi një krijesë të pastrimit etnik, Republikën Serbe, një entitet me të drejtë vetoje brenda Bosnje e Hercegovinës.
Republika Serbe, duke funksionuar si entitet i veçantë në një shtet disfunksional, është duke e mbajtur të hapur procesin serb të shtetndërtimit. Të njëjtën gjë po e bën edhe veriu i Kosovës, apo thënë më mirë, politikat serbe në Kosovë, të cilat duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës po e bëjnë të paqartë çështjen e kufijve të shtetit të Serbisë.
Serbia është shtet i papërmbushur, së bashku me Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën. Për më tepër, duke i mbajtur të hapura opsionet e ndarjes në Bosnje dhe Kosovë, procesi shtetndërtues serb nuk është duke e përjashtuar irredentizmin, një precedencë që do të shtynte përqendrimin e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës dhe Maqedonia.
Pasojat e kësaj politike janë të dyfishta. Nga njëra anë ajo shërben për të paralizuar rritjen e institucioneve demokratike të shtetit, siç është rasti me Bosnjën e Kosovën, apo të ushtrojnë presion të përhershëm mbi shtetet si Maqedonia me një “skenar kiameti” që i rri mbi kokë shtetit. Nga ana tjetër, ajo shërben për të krijuar një diskrepancë edhe më të madhe mes Serbisë dhe restos tjetër të “shteteve të pakompletuara”. Serbia, përkundër pengimit të hapët të funksionimit të Kosovës, pengimit të Misionit të BE-së në Kosovë si dhe të mospërkrahjes për një Bosnje e Hercegovinë më të integruar, ka fituar statusin e kandidatit për vend anëtar të BE-së. Pra, ndërsa shqiptarët nuk janë të vetmuar në ushtrimin e shtetësisë së pakompletuar, ata janë në situatë krejt tjetër prej Serbisë, ngase kjo e fundit favorizohet nga BE-ja për shkak të pozitës së saj pivotale gjeopolitike.
Nëse para njëqind vjetësh çështja për udhëheqësit e atëhershëm shqiptarë ishte si të kihet një shtet që është shqiptar, perëndimor, prandaj dhe evropian – e në këta njëqind vjet asnjëri prej objektivave nuk është arritur – a janë ende të gjalla këto aspirata?
Objektivi i parë ka ndryshuar, e me të janë duke u riformuluar edhe të tjerët. Dështimi për të krijuar një shtet shqiptar që do të përfshijë në të shumicën dërmuese të shqiptarëve tashmë ka krijuar një proces shtetndërtimi të shpërndarë për kombin shqiptar, tashmë me një rezultat të prekshëm të pesë shteteve ku shqiptarët me prezencë të ndryshme demografike dhe përpjesëtim të peshës politike kanë të drejtën e identitetit të tyre etnik.
Ndjekja e një objektivi për korrigjimin e gabimeve të njëqind vjetëve të fundit, për të formuar një Shqipëri me shumicë të shqiptarëve në Ballkan, do të ishte një ndërmarrje gjigante për kombin shqiptar. Ky objektiv do të nënkuptonte tri procese bazike. Njëri, ai i ndryshimit të kufijve, me ose pa dhunë, të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Së dyti, do të nënkuptonte absorbimin dhe tretjen e Kosovës së sotme në Shqipërinë e re. Së treti, krijimin e një kapaciteti administrativ dhe ekonomik për ta bërë vendin më funksional se ç’është tani.
Asnjëri prej këtyre proceseve nuk mund të udhëhiqet nga demografia e tanishme politike. Shqipëria si vend nuk ka potencial të mjaftueshëm demografik, politik, ekonomik e as ushtarak për të integruar në të territore apo popullata të reja. Shqipëria është (mezi) ende në fazën e konsolidimit të institucioneve të veta, pas kolapsit shtetëror më 1997, duke dështuar vit pas viti, kohëve të fundit, për të përmbushur kriteret bazike të Kopenhagës të një demokracie funksionale. Për më tepër, një qasje e këtillë e Shqipërisë do të vinte në pyetje të vetmen arritje të rëndësishme që ka bërë drejt identitetit të vet perëndimor, anëtarësisë në NATO.
Kombi policentrik shqiptar i ka adresuar instinktivisht objektivat e veta, i detyruar fillimisht nga çintegrimi i ish-Jugosllavisë. Udhëheqja shqiptare e asaj kohe në ish-Jugosllavi vendosi të organizojë një politikë të shtetndërtimit të shpërndarë (pavarësi për Kosovën, status kombi shtetformues për shqiptarët e Maqedonisë, status special për shqiptarët e Serbisë dhe të Malit të Zi). Pjesë e kësaj politike ishte nënkuptimi gjatë këtyre dy dhjetëvjetëshave të fundit se shqiptarët do të bashkohen në Evropën e bashkuar. Çështja e integrimit evropian për shqiptarët pra është shndërruar në çështje të tejkalimit të deficitit fillestar të shtetit të Shqipërisë- BE-ja duhet të shndërrohet për shqiptarët atë çka Shqipëria nuk arriti në 100 vjetët e kaluar.
Por, atë që shqiptarët e kuptojnë tash është se rruga e komunikimit ndërshqiptar nëpërmjet projektit të unifikimit të Evropës është shumë më e ndërlikuar. Rruga drejt një realiteti të tillë është e gjatë, përfshin reforma, dhe në fakt është një finalizim i një procesi shtetndërtues – një shtet që është në paqe me veten dhe me fqinjët e vet, aq efikas institucionalisht sa të jetë pjesë e BE-së. Për më tepër, kjo rrugë çon nga objektivi i anëtarësimit në BE, një organizëm në ndryshim të përhershëm, një që ka një ardhmëri përherë të pasigurt, i definuar si “projekt në ndërtim e sipër”.
(VIJON NUMRIN E ARDHSHEM)
O Veton, mos na zer kot faqet e gazetes se nuk merret njeri me ty. A e shikon qe temat e tua sjane u\interesante? anje koment. Plus do te vazhdosh akoma. Thirri mendjes se nuk je ne kosove, ne duam cilesi!
Suroi kap tema qe shqiptaret e zakonte s’i njohin fare,perjashto nente koqe shqiptaresh qe meren me histori.