“Tirona, në zemrat tona!”

5 Qershor 2012, 22:29Blog TEMA

Nga Eda Derhemi

 

Që Tirana s’është e bukur, s’do mendje të hollë të kuptohet apo sy të veçantë të shihet. Klisheja e papërgjegjshme pavetore “Kjo dihet!” i shkon mirë për shtat situatës. Që Tirana është e bukur mund të thuhet, po, nga ata që e këqyrin me syze nostalgjike. Gazetarët nuk ka përse të veçojnë si fakt të pazakontë apo lajm-bërës se regjisori italian M. Bellocchio paskësh thënë: “Tirana nuk është një qytet i bukur.” Ndoshta ata duan të nënvizojnë sjelljen e pahijshme të Bellocchios që të shan në shtëpinë tënde? As kjo nuk më duket se justifikon lajmin. Në fund të fundit, ai u tregua i kujdesshëm e kortez, pasi s’tha “Tirana është e shëmtuar”, sido që qartësisht nënteksti tregon se kjo është ideja. Pastaj, përse duhet të gënjente? Për fat të keq, është aq e pabukur Tirana, sa do duhej verbëri totale ose ligjëratë prej politikani të BE-së që të mund të thuhej e kundërta.

Kush thotë që Tirana është e bukur? Ndoshta njerëz që, në botë, kanë parë vetëm atë kryeqytet. Kryeministri ynë, do ta thoshte këtë se ia do puna dhe votat. Lulzim Basha do ta thoshte se mban karrigen simbolike të Tiranës. “Ambasadorët” nuk para bëjnë gabime politike, dhe s’do ta quanin të shëmtuar qytetin ku u ka rënë koka. Edhe Edi Rama vetë, që më shumë se kushdo tjetër pas socializmit ‘ka vu dorë n’te’, në këngën për Tiranën (do thoja se kjo këngë tregon më saktë se kushdo tjetër historinë e Tiranës së tranzicionit) repon gjithë problemet e Tiranës, duke shtuar se, prapëseprapë, zemrat tona rrahin për të; por as atij goja s’ia thotë dot “Tiranë e bukur”. Jo veç nuk themi dot se Tirana është e bukur, por as e fshehim dot se është e shëmtuar.  Në planetin tonë veç kosovarët të thonë sinqerisht, gojëplot e duke të parë drejt e në sy “Sa e bukur është Tirana!”.(?!) (Dhe, nuk do ndalem sot të shpjegoj përse ata kanë gjithë të drejtën e botës të thonë kështu. )

Pse nuk është e bukur Tirana? Sido që themi se është konceptuar si një qytet shumë-qendërsh, të gjithë e dimë që kjo është mënyra më e mirë për të maskuar faktin që Tirana vetëm “e menduar” nuk është. Siç lindnin dikur qytetet mesjetare të botës (që, veç në shekujt më pas, u sistemuan dhe zbukuruan), ajo i bindet vetëm terrenit, trillit të atij që do të ndërtojë, dhe, për më keq, lodrave korruptive që kanë qenë më të shumta sesa banorët e Tiranës. Tirana është një qytet, pjesa historike e të cilit konsiston në aq e aq pesëkatësha të shëmtuar, kubikularë, të shfytyruar nga shtesat e modifikimet dhe tekstualisht të rrjepur, të socializmit. Pjesa e re është një absurditet më vete që mund të analizohet nga shumë pikëpamje, veçse jo për nga vlerat estetike dhe as ato funksionale. Ndërtesat e pakta gjigante pa kuptim, i rrinë Tiranës pahijshëm si sëmundje ardhur nga një tjetër civilizim. Rrugët janë në një proces riparimi të vazhdueshëm që s’pushon kurrë, por asnjëherë të pastra dhe kurrë pa kurthe ku të mund të ndrydhësh këmbët. Pastaj janë automjetet publike gjithnjë të mbi-rënduara, të vonuara, rënkuese. Pastaj ato private, arrogante e të paturpshme, frikësuese. Dhe shumë e shumë frikë këmbësorësh nga automjetet: rend, rend, rend me zemrën në dorë sa të arrish trotuarin, me shpresë se atje nuk të kap makina e paskrupullt! Ia hodhe edhe kësaj radhe! Parqet e qytetit janë të pakëta dhe pa hijeshinë apo gjelbërimin e çfarëdo kryeqyteti europian apo ballkanik, e, sa u rregullohet një anë, u prishet tjetra. Bulevardet themelore herë çalojnë nga pllakat, herë nga pemët e herë nga kafenetë në radhë, që, kur s’janë bosh, janë mbushur me qenie të plakura nga pamundësitë e që vrasin kohën para gotës, apo të rinj që s’kanë ç’bëjnë e luajnë me celularët. I ashtuquajturi Bllok që sapo vjen mbrëmja sulmohet nga një mizëri të rinjsh, që gjithë ditën e strukturon vetëm që të shkojë atje natën, është bërë i pajetueshëm, i lodhur e i lodhshëm.

Në fakt, themelorja janë njerëzit. Aq shumë njerëz me fytyra të lodhura e të varfra, të harruara në tym e halle; të tjerë që çapiten me kokën që ndiqet nga trupi, duke tërhequr këpucë, torba, dhe shpatulla të kërrusura; tufa fshatarësh që ua lexon në ballë hallin; shumë të rinj për fat, por shumica me shenja vuajtjeje e paqëllimi, me një lloj vyshkjeje të parakohshme në trup e lëvizje; jetë e keqe e shkruar në fytyrën e shumicës; Smog dhe pluhur që ndihen triumfues para njeriut të pafuqishëm që s’ka si të mos i thithë e bëjë pjesë të vetën; era e rëndë e varfërisë dhe rrallë parfumet e shtrenjta përzihen vazhdimisht teksa dikush çan ajrin e keq të Tiranës. Por në mars ndihen mimozat (ato s’i kam ndier që prej njëzet vjetësh, por pyes rregullisht, e rregullisht më thonë se janë ende gjallë) Në qershor, kur zakonisht vij në Tiranë, ndiej tek-tuk blirin. Më merr malli për blirin, por qoshkat e rehatshme dhe erëmira në Tiranë janë gjithnjë të shkëputura, vetmitare dhe rrenacake. Më shumë është dëshira për t’u ndier mire, sesa Tirana vetë që të bën të ndihesh si duhet.

Para do vjetësh një pogradecare kthyer feministe, m’u hakërrye kur pyetjes nëse Tirana ish më mirë në socializëm apo sot, guxova t’i përgjigjem “Mendoj se është më mirë sot”. Pogradecarka kish të drejtë të ruante me dashuri kujtimet e fëmijërisë, kur nga Pogradeci vinte ndonjëherë në Tiranë dhe i dukej si një lloj kopshti i rregullt, i pastër e funksional, apo të kujtonte Tiranën ku kish bërë shkollën. Por iluzionet rinore nuk mund të na zënë sytë e sidomos mendjen kur rritemi. Ajo lloj Tirane “më e mirë” e saj, është si dashuritë e shkurtra që nuk kthehen në martesa, dhe idealizohen më pas, veç ngaqë s’kanë jetuar ciklin e plotë. Në fakt, me gjithë sa thashë në paragrafët më lart, vazhdoj të mendoj se Tirana është më e drejtë sot sesa dje. E fëlliqur, pa plan e të ardhme, në lëmsh e tym, është më e lirë sesa ishte dje Tirana. Prodhon krim e rron prej krimit sot, por ajo Tiranë që ishte dikur veç për pak fatlumtur, ishte edhe më e padrejtë dhe kriminale sesa kjo e sotmja. Nuk është faji i Tiranës që shqiptarët e dëshpëruar nga politikat e këqia të shumë qeverive në fshat dhe provincë, gëlojnë në Tiranë me shpresën se këtu mund edhe të shpresohet për një të ardhme. Tirana e socializmit ishte një mollë e ndalume. Pastaj, edhe për ata që gjoja ishin të privilegjuar dhe e shihnin Tiranën si të tyren, nuk është se Tirana ishte një parajsë. Ishte një qytezë e mbyllur ku bëhej një jetë stër-provinciale ndër më të varfërat e mediokret në botë, një qytezë  që përdorej edhe për të ndëshkuar “me heqjen e saj” ata që s’e meritonin, dhe për të shpërblyer “me dhënien e saj”, njerëzit e Partisë. Kujtoni atë qoshkë, kafene, librari, shtëpi miqsh a kushërinjsh, sallë koncertesh a teatri, stol në park, apo çfarëdo pastë qenë referenca juaj më e bukur e Tiranës së shkuar. Kujtojeni me kujdes e deri në detaj. Jam e sigurtë që shihni ashtu si unë mungesë të së bukurës e të së nevojshmes, dhe mospërputhje të ambientit të krisur e të varfër me ndjesinë e ngrohtë që keni pasur. Çështja është që kujtimet janë gënjeshtare dhe e shkuara bëhet e bukur, sa më shumë largohet. Është më fort kështu, kur e sotmja zhgënjen e s’jep shpresë. Gjithashtu, shpesh, nuk është Tirana në vetvete që kujtojmë me mall, por marrëdhënie e ekuilibre të caktuara njerëzore që sot janë prishur, sido që edhe ato është më mirë të shihen më realisht dhe me mendje kritike. Ndoshta është më saktë të thuhet se Tirana s’është e bukur sot, dhe për fat të keq, s’ka qenë kurrë e tillë.

Unë i takoj grupit që argumenton se Ballkanet nuk janë njësh por të nuancuara, se po ndryshojnë e mund të ndryshojnë; po ashtu edhe Shqipëria, dhe, së paku, se ekziston mundësia e ndryshimit, qoftë edhe filozofikisht, se fara e së mirës nuk humbet kurrë as këtu, sado dekada apo shekuj shkofshin. Por Tirana e mjerë më shkund sa herë i afrohem. Mbrëmë lexoja nga Maria Todorova dëshmi historianësh dhe vizitorësh të Ballkaneve, dhe mendoja se, dua apo nuk dua unë, ato përshkruajnë edhe qytetin tim sot. W. Miller në 1898 thoshte: “Shkurt, gadishulli ballkanik është përgjithësisht toka e kontradiktave. Gjithçka është e kundërta e saktë e asaj çka mund të pritej arsyeshëm.” Ndërsa në 1945 W.E.B. Du Bois duke iu referuar ballkanasve (ku fut hungarezë, rumunë, bullgarë, jugosllavë, shqiptarë e grekë), shkruan “ata formojnë në masë një popullsi injorante, të varfër e të sëmurë, mbi të cilët Europa ndërkaq po planifikon sfera influence”. Ndoshta rrjedha e historisë u ka buzëqeshur më fort qytetarëve të kryeqyteteve të tjera ballkanase, por jo fort atyre të Tiranës.

Nëse dikush do më bënte dhuratë dhjetë bileta avioni vajtje-ardhje, një çdo vit për dhjetë vjetët e ardhshëm, nuk ka dyshim se nëntë ndër to do t’i përdorja për të ardhur në Tiranë. (Në fakt, do ndodhte kështu edhe sikur të mos më dhuronin asnjë biletë.) Por kjo, veç me bukurinë e saj që s’ka lidhje. Këtë e ndiej unë që u rrita aty, dhe që jam nga ai brumë që s’i ndahet dot së shkuarës, sado të sotme a të ardhme të krijojë rreth vetes. Po si mund t’ia kërkosh apo të presësh prej një të huaji (që sigurisht as lidhje nostalgjike e as të sëmura me Tiranën nuk ka), të të thotë se Tirana është e bukur. Ne ia krijojmë bukurinë e paqenë, se pa Tiranën s’jetojmë dot, çfarëdo djalli qoftë ajo. Por ata që jetojnë dot pa të, ia shohin shëmtinë, dhe s’na e kanë për borxh të shtiren, që ne të frymëtojmë në paqe e krenari të rreme.

*respublica.al

16 komente në ““Tirona, në zemrat tona!””

  1. TEFTA ALIKAJ says:

    tirane eshte nje ZUSAMMENPRALL !

  2. AHA says:

    Z.Derhemi ,nuk di nga jeni frymezuar per te shkruar kete artikull,megjithate paragrafi i fundit me pelqeu me shume se gjithe artitkulli.
    do te doja shume te behej megjithate nje koment i tille :nuk eshte se ka qene i bukur ndonjehere si qytet megjithese gjithmone e kemi dashur e kujtimet tona jane te lidhura pandashmerisht me te.fatalja eshte se ne vend te ndreqej e zbukurohej sic nisi nje periudhe ,ose me mire te themi sic tentoi ,u masakrua nga gjuetaret e siperfaqeve te ndertimit e tani na duket moster!

    1. cika says:

      njehere nuk duhet bere pyetja qe me mire dje apo eshte sot,une do thosha as dje as sot,sepse nuk pretenduam per nje tirane te tille ,nuk pretenduam per nje shqiperi te tille te piste pa asnje perspektive pa as nje shans prandaj kemi marre rruget e botes per te mos e kthyer koken mbrapa,me dhimbje kete te fundit.

  3. dritani says:

    C’te shkruash per Tiranen?
    Tirana sot eshte kthyer nje nje konvikt gjigand ku njerezit flene, kryejne nevojat personale dhe ne mengjes pleherat i hedhin nga dritaret para se te shkojne ne pune te veshur me kollare firmato apo me xhinse te tregut cam.
    Lidhur me Tiranen para ’90 vertet mund te mos ishte e bukur estetikisht nga jashte (dhe kjo ka patur te beje me mundesite ekonomike te shtetit) por ishte “qytet” nga ana urbanistike ku hapesirat publike ishin te barabarta me ato te banuara sic i ka cdo qytet europian.
    Po sot?
    Kush ka banuar ne Tirane mund te beje nje liste te gjate te parqeve dhe fushave sportive qe jane zhdukur dhe shnderruar ne godina banimi edhe me te shemtuara se ato parafabrikatet qe i shihnim me percmim.

    Ajo cka eshte me e trishte eshte se kjo egersi e shemtuar urbane do te blatohet edhe tek banoret e saj, ja ashtu avash-avash si pakuptuar. Bellocchio u ndal deri tek pabukuria e qytetit dhe nuk vazhdoi tek njerezit…
    Kush nuk eshte habitur nga pyjet me ketra brenda qyteteve europiane dhe qetesine e atyre njerezve nuk e kupton kete.
    Sot kthehem tek ai “konvikti” yne. Do ti qe largohesh 3 dite dhe fillon te merr malli!
    C’te besh? Tirona ne zemrat tona…

  4. skenderi says:

    duhen te jene te bukur brenda njerezit, qe qyteti i tyre te jete realisht i bukur si ne pamje ashtu edhe ne mbresa,s’kemi pse trishtohemi per kontributin qe kemi dhene per keto vlera te aritura deri me sot,me te cilat ka disa qe krenohen nga padituria e tyre

  5. Alba says:

    Znj. Derhemi!
    Te pergezoj per shkrimin. Edhe une jam lindur e rritur ne Tirane, prej 42 vjetesh. Edhe djali im ketu ka lindur. Eshte e vertete qe ka qene ndryshe, po ka qene qytet i kendshem. Une i kam shetitur gjithe qytetet me te medha te Shqiperise, por Tirana me terheq veçanerisht. Eshte qytet me jete, aty kam kujtimet, jam rritur, kam qare e kam qeshur. E dashur, Tirana eshte e bukur dhe Bellocchio te shkoje e ta gjeje bukurine ne vend te vet. Ka shume probleme urbanistike dhe mungese te theksuar qytetarie, per shkak te migrimit te pakontrolluar, faj ky i shtetit postdemokratik, blu apo i kuq, per mua njelloj jane.Te gjitha keto mua nuk ma heqin dashurine per qytetin tim, dhe ta dish qe kam bredhur mjaft neper bote, si ne Evrope, si ne bote. Nuk me hyjne ne sy, i shikoj, kenaqem, por une ndihem e plote vetem ne Tiranen time! Dhe jam krenare per kete e me optimizem them, me hapa te ngadalte, por do sistemohet…U lodhem me kritika, kritika! Qe Tirana te behet edhe me e bukur, mjafton nje xhest qytetarie nga ti, nga une, nga femijte tane, e keshtu me radhe! Nuk jane vetem kosovaret, edhe ne e duam kryeqytetin, me disa ndryshime kuptohe, por e duam dhe per mua eshte shume e bukur! Te pershendes dhe dite te mbare!

    1. dritani says:

      Te pergezoj per sensin pozitiv por Tirana mund te behet e bukur vetem pas nje termeti prej verteti qe zgjat te pakten 2 min…

  6. eva says:

    Tirana padyshim eshte qyteti qe ka ndjere me teper pasojat e periudhes post komunizem, dhe per rrjedhoje ka pesuar ndryshime, shkaterrime, rregullime, mbipopullim etj.
    Jam dakort qe qyteti ka arritur ne nje pike ku veshtire se mmund te duket “i bukur” nga nje sy objektiv.
    Perseri ne e duam Tiranen, dhe cuditerisht nuk i qendrojme dot larg!

  7. ALBAN says:

    Artikulli i ka bere nje analize te sakte qytetit te Tiranes se shkuar dhe te sotme. Atehere Tirana ishte me te vertete shume e paster e sistemuar dhe megjithse nuk ishim ne gjendje te mire financiare apo me keto komoditetet e sotme rinia e viteve ’70 dhe studentet e kane kaluar shume mire si me aktivitete kulturore apo sportive. Eshte e vertete qe ishte nje molle e ndaluar, jo gjithkush mund te shkonte ne Tirane. Ashtu sic ishte shteti ateher kishte rregull dhe disipline, ashtu sic eshte dhe ne vendet perendimore qe s’ben dot pa urbanistiken dhe pa ligjet. Pas njezet vjetesh Tirana ka ndryshuar shume, jane bere shume ndertime gjigande por per fat te keq jane jashte ngjyres europiane, pa parqe, pa gjelberime, pa trotuare te gjer si te Komuna e Parisit. Kultura e pastertise te ambjenteve publike eshte e tmerrshme, vazhdon parimi hiqe plehren nga shtepia ime dhe hidhe ku mund nga dritarja apo neper shkallet e pallatit. Mbase do duhen dhe 20 vjet te tjera qe njerzit te edukohen dhe te mbajne ambientet e pastra. Lumi i lanes eshte nje veper shume e mire dhe te shplodh syrin me gjelberimin qe ka si dhe Liqeni te kodra qe frekuntohet nga njerzit qe meren me aktivitete sportive dhe shplodhese.

  8. TEFTA ALIKAJ says:

    BASHKE ME GUSHTIN SHKOI EDHE VAPA
    C’DIMER I TMERRSHEM DO NA VIJE PRAPA
    TIRONA E BUKUR DO MBETET VETEM KUJTESE
    SE SOT CDO NJERI MENDON SE KU TA DHJESE

  9. shqiptar says:

    PO TE MBAJE FJALEN KRYETARI BASHKISE KJO PUNE FILLON NGA LIRIMI FILLIMISHT DHE PASTAJ ZGJERIMI I TROTUAREVE

  10. beso says:

    Tirana e kohes se enverit ishte vertete e ndertuar keq.Diktatura kishte mundesi te ndertonte gjera me te bukura,se rruge jeshile ishin vetem ato me blire te Bllokut.Por nejse,anarkia e nje vendi doemos do sillte anarki edhe ne fytyren e kryeqytetit.Meqe gjelberimin nuk dijti ta bente diktatura,me keq akoma,kohet e sal Kelmendit&Brojkes qene denimi me vdekje.Rama beri te mira dhe te keqija,por ne esence,Tirana eshte e mbipopulluar ne pak hapesire dhe gjeometri.Ka edhe me keq,patjeter,po une kam pare ne TV Bangkokun,qe kishte ca sheshe te bukura edhe pse kishte njerez qe terhiqnin karroca.Problemi i madh i ne shqiptareve eshte qe shkuam shume larg,ne qendrat e Evropes dhe Amerikes,e natyrisht qe pretendojme.Natyrisht,te kesh pare Nju Jorkun,Londren,Parisin,Romen;eeeeej,ky eshte problemi!Ata qe kane ardhur nga rrethet apo kane ngelur pa levizur nga Tirana natyrisht qe shohin bukurine e pallateve te reja,por kush ka qene ne Nju Jork ve re qe mungojne muzeumet,Teatret madheshtore,kush ka qene ne Londer do lumin ne mes te Tiranes,kush ne Paris do pallatin e Tyilerive,po kush ka qene ne Rome do nje shesh madheshtor si Piazza Venezia apo Koloseun,ose minimalisht arkitektoniken e Firences,te bere nga mjeshterit e medhenj te artit boteror.Pra,Tirana e deshirave tona nuk do behet kurre.Detaji qe znj.Derhemi s’ka vene re eshte ca alegorik,po ta vini re qe mbiemri i regjiosrit italian eshte kuptimplote(Bellocchio-sy i bukur).Pra,Bellocchio ka nje sy te ndjeshem ndaj te bukures;italianet jane famoze ne bote ne kete drejtim.Por çfare i mungon Toranes per te qene e jetueshme,se bukuria eshte nje gje,por jetueshmeria eshte tjeter.Psh,mungojne vijat e bardha per kalimtaret.Vijat e bardha jane zoti i rruges;ne tere boten kalimtari ka prevalence ne vijat e bardha;duhet te ndalosh patjeter!Ne vendet me fluks te madh mund te behen kalime te nendheshme,psh ne sheshin Skenderbej,kalimtaret mund te futeshin ne tynele te nendheshme per te kaluar nga nje rruge ne tjetren,pa qene nevoja per semaforet.Kete forme e kam vene re ne Duomo,sheshin kryesor ne Milano.Uji duhet te sigurohet,ose ato fijet e telefonit/internetit ne pallate;skandal i vertete.Plehrat po se po,por mjaft pallate kane nevoje per ristrukturim,sidomos ata te kohes se enverit.Duhen rivleresuar,suvatuar nga jashte dhe lyer;dmth,mundesite qe Tirana te behet me e rregullt dhe me e ofrueshme per syrin e bukur ekzistojne dhe nuk duan miliarda.Natyrisht,Romen nuk do e bejme dot,por as Roma nuk u be per nje dite.Pra,nje komunitet i ndergjegjshem dhe forma me inteligjente te drejtimit te puneve mund te bejne shume gjera te dobishme.Ne fakt po flasim per Tiranen sikur Shqiperia eshte vetem ajo,por masakra e vertete eshte bere me rrethet.Ne rrethe sundon anarkia absolute.Shyqyr qe Bellocchio nuk ka pare me tutje Tiranes!

  11. skenderi says:

    SHTETET e BASHKUARA te TIRANES ; jane shume te bukura ,kjo bukuri shihet ke antropologjia e njerezve qe e kane pushtuar,dhe gjuha me 10tra lloje dialektesh qe flitet,menyra si ecin ne trotuare ,disiplina dhe kultura e trafikut,njerez te grumbulluar ne tavolina kafesh si dele pa cobanne mes te trotuareve pavaresisht se jane detaje ne minorance i japin tirones nje shkelqim socialokulturor,dhe per kte ndihemi shume krenar kuptohet brenda rrethimit tone,na marte te ligat podgorica,shkupi dhe athina

  12. misionari says:

    Pergezime Znj. Derhemi per shkrimin. Nese nuk gaboj je vajza e nje mikut tim operator, i cili e ka filmuar shpesh Tiranen e viteve 1970-1990 dhe me tej; po ashtu, me duket se je nje pedagoge ne nje qytet studentesh ne shtetin Illinois te SHBA-ve me emrin francez te nje pijeje te famshme ne mbare boten, ku une kam ndaluar disa here ne rrugen drejt Çikagos. Tirana ka qene nje qytet i shemtuar periferik, me shtepi qerpiqesh orientale, i piset, i baltosur, i pluhurosur, i cili u be kryeqytet fale pozicionit gjeografik. Ahmet Zogu, i lidhur me Mbreterine e Italise i dha ndertesat romake dhe nje bulevard europian; Enveri i lidhur me Rusine dhe Kinen i dha pallatet me fytyre aziatike dhe parafabrikate kineze, por ia shtoi siperfaqet e gjelberta; Sali Berisha dhe malokeria e zhduken gjelberimin dhe e kthyen kryeqytetin shqiptar, si te gjithe Shqiperine, ne kazan te madh oriental plehrash te Europes.

  13. Rani says:

    Ti qenke ne amerike znj Dermeni? Po mire ty te pelqekan zezaket dhe latinot atje me shume se sa shqiptaret e Tiranes sa thua se njerezit qenkan te shtrember qenkan keshtu e ashtu. Nuk i marr vesh edhe disa qe i japin te drejte ketu, jeni ne metro apo jo? Po mire moj zonje se edhe ne jemi jashte, kam qene edhe une ne Amerike dhe i kam pare ata amerikanet e deformuar qe jane bere objekt emisionesh te televizioneve evropiane per bullafiqesine dhe deformimin galopant te tyre. Para se te shkruash artikuj per te kaluar kohen, bej nje analize se si kane qene shqiptaret dhe sa kane evoluar shqiptaret ne krahasim me te huajt, ta them une, shqiptaret jane rrace e bukur te pelqen apo jo ty dhe disa te tjereve. Sa per ate plehren italiane s’ja vlen te diskutosh se ai te beje nje xhiro nga Napoli dhe e mbyll gojen pastaj kur te shohe ata italianet idiote qe bertasin nga ballkoni ne ballkon, per keta plehra ul shqiptaret ti? Tirana eshte bere kryeqytet vone dhe s’krahasohet me qytete te tjera me te hershme. Mua te pakten me behet qejfi kur kthehem ne Tirane se shoh femra te bukura qe te qetesojne trurin se ketu ku jam ato qe shoh ne Tirane i shoh me rralle se ka me pak ketu, dhe jo vetem ketu po edhe shqiptare te tjere e kane konstatuar, pa folur per te huajt qe çuditen ndersa ty te pelqekan plehrat. Edhe nese ka njerez te deformuar normal qe ka se jane pjese e dekorit po jo ne ate mase qe thua ti.

  14. Yeah right! says:

    Tirana rocks! Urbana sucks! Enjoy insanity, oddballs, paranoids and “political correctness” in Urbana, IL!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje