Berisha kujton se me Nishanin do i shpëtojë drejtësisë

14 Qershor 2012, 19:33Blog TEMA

Nga Taulant Balla

 

Sali Berisha kujton se me vendosjen në krye të shtetit të një noteri politik do të mund t’i shpëtojë drejtësisë. Sali Berisha kujton se do të arrijë të shtijë në dorë edhe Prokurorinë e Përgjithshme edhe Shërbimin Informativ Shtetëror. Ta harrojë. Ne jemi këtu për të garantuar orientimin pro-europian të Shqipërisë sonë. Ne investuam deri në fund megjithë zemër, për një konsensus politik që do t’i jepte Shqipërisë jo thjesht një President të ri të Republikës me mbështetjen e të gjitha palëve, një shans real për të marrë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian në vigjiljen e 100 vjetorit të pavarësisë. Një analist politik më tha dje sesa qesharake është të krahasosh në këtë 100 vjetor Ismail Qemalin me Bujar Nishanin.

Fatkeqësisht sot Shqipëria ka një noter partiak në rolin e Presidentit të Republikës, duke i dhënë familjes europiane mesazhin më të gabuar para provimit të tretë të vjeshtës në Bruksel. Politika e pazarit të pisët bëri të mundur shkëmbimin e votave për Presidentin në këmbim të Albpetrolit, duke dëmtuar rëndë aspiratën tonë kombëtare për integrim Europian. Çështja e madhe, më e madhja çështje e Shqipërisë sot, çështja e bashkimit tonë me Europën, mori një goditje të rëndë. Europa sot është më larg se një javë më parë. Shqipëria sot është më larg se një javë më parë nga Familja Europiane. Ndërsa ne vetë, socialistët e progresistët shqiptarë, jemi ende më të vetëdijshëm sot për domosdoshmërinë e ndryshimit që duhet të sjellim medoemos në politikën shqiptare dhe me qeverisjen e vendit.

Eduard Kukan, kreu i delegacionit europarlamentar për Ballkanin e cilësoi procesin e zgjedhjes së Presidentit si një shans tjetër të humbur nga Shqipëria në rrugën e vendit  drejt  Bashkimit Europian. Peter Stano, zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerim Stefan Fule tha se nuk ka sinjale pozitive për statusin.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Vetëm një javë më parë Freedom House publikoi raportin e përvitshëm “Vendet në tranzit 2012”, ku analizohen zhvillimet demokratike në Europën Qendrore, Lindore dhe ish-vendet e Bashkimit Sovjetik. Për fat të keq, Shqipëria edhe këtë vit ka pësuar rënie, përsa i përket proceseve zgjedhore, pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe demokracisë.

Ky është konkluzioni Freedom House për zhvillimet e fundit politike në vendin tonë:

“Nuk pati progres gjatë vitit 2011, pas vitesh të trazuara të cilat po e mbajnë Shqipërinë larg marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Një skandal më profil të lartë korrupsioni që implikonte zëvendëskryeministrin, shkaktoi protesta antiqeveritare, nga ku forcat e sigurisë vranë 4 persona. Zgjedhjet lokale u karakterizuan nga dhuna ndërsa ankimimet në gjykatë, për zgjedhjet ne Tiranë u morën në mënyrë partizane, duke shkaktuar kështu për Shqipërinë rënie në renditjen, përsa i përket procesit zgjedhor.

Gjithashtu renditja në lidhje me kornizën ligjore dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë u përkeqësuan pas ndërhyrjeve gërryese, si pasojë e influencës që ka politika”. Raporti i referohet edhe atentatit ndaj gjykatësit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, duke cilësuar se u shënua edhe vrasja e parë e një gjykatësi në historinë e vendit. Sikurse edhe në vlerësimin e fundit të Freedom House për vitin e shkuar, qeverisja në Shqipëri për muajt e deritanishëm të 2012-ës vlerësohet me notën 4,75 nga 7 që është maksimalja, një notë jokaluese po ta krahasojmë me vende fqinje.

Vlerësimi është më i vogël krahasuar me Bosnjën dhe shtetin më të ri në botë Kosovën, për të cilën qeverisja e vendit vlerësohet me notën 5,75. Sistemi i drejtësisë thuhet në raport ka pësuar rënie. Vlerësimi është 4,75 ndërsa në Kosovë sistemi drejtësisë ka pësuar përmirësime, duke u vlerësuar me notën 5,50. Nota 5 është vlerësimi që jep Freedom House për korrupsionin në Shqipëri një notë e pandryshueshme që prej vitit 2007. E ndërsa Kosova vlerësohet me notën 5,18 për demokracinë në vend, niveli demokracisë në Shqipëri pësoi rënie gjatë 2012-tës duke u vlerësuar me notën 4,14.

Në tabelën ku renditet vlerësimi për proceset zgjedhore, përbri emrit ‘Shqipëria’ është vendosur një shenjë e cila tregon rënie, si pasojë zgjedhjeve te fundit vendore. Vendi ynë vlerësohet me notën 4,25. Tabela  për pavarësinë e medias, sikurse edhe në vitet 2010 dhe 2011 mbetet i njëjtë duke u vlerësuar me 4,00. Kjo është fotografia e Shqipërisë sonë në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, sepse Sali Berisha vazhdon ta sabotojë me dashje procesin e integrimit Europian.

4 komente në “Berisha kujton se me Nishanin do i shpëtojë drejtësisë”

  1. albani says:

    O Z. Balla!

    Mos e shqetesoni me kot udheheqesin tone te lavdishem. Aq sa shqetesohet ariu nga mizat, aq shqetesohet edhe Berisha nga krimet qe bene. As e ka gjetur gje dhe as ka per ta gjetur gje, ate dhe familjen e tij.

  2. saliheqenefi says:

    o taulant,pse ben demagogji or burre,po behen 22 vjet,dhe nga te gjithe politika hajdute nuk eshte denuar asnje politikan,e kush do ti denoje drejtesia e koruptuar deri ne palce,e cila ne cdo 4 vjet perdoret nga qeveria parti,boll me mbrockulla,jeni pjese e klaneve politike

  3. argjiro says:

    A sa do te donim ti besonim kesaj qe thua mor Taulant po ju e dini qe saliu nuk eshte diletant ne keto gjera .Eu sa furtuna ka kaluar ai keshtu qe kur te vije dita qe thoni ju dhe qe e deshirojme te gjithe do ta shikoni se cdo gje eshte fshire dhe ka avulluar ose eshte kopsitur ne menure te atille qe nuk ka ligj qe e prek .Po opzita po te rendi pas dashit me shprese se atij ne ndonje kthese do ti bien topet le te prese kalendat greke per ta pare saliun para drejtesise

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje