Nga Ermal Petushi
Popull i zymtë, i vrarë shpirtërisht, i shkelur me këmbë. Skllav i kapitalizmit, i lekut, i nevojës për të mbijetuar. Zombie që çohen çdo ditë në mëngjes pa gjetur një motiv të vetëm për të jetuar. Parazitë të kësaj toke që s’e meritojmë. Me kokën zhytur nëntokë si struci e me bythën përpjetë drejtuar qeverisë.
-Po z.Pusht-et! Si urdhëroni z.Pusht-et! Taksat do t’i paguaj që sot se ka mbetur shteti pa lek! O po t’ju kemi ju sa malet se edhe vitet e jetës nuk i kursejmë për ty. Neve s’na e bëri syri terr kur i dhamë 50 vite komunizmit, çfarë janë 22 vjet pluralizëm. Për ty o z.Pusht-et kaq edhe me shumë. E kemi jetëgjatësinë mesatare 90 vjeç na e ka thënë Doktori, na dalin e teprojnë 15 vjet për të shijuar mbijetesën.
Popull dhjaksash e frikacakësh. Asnjë gjurmë dinjiteti, as pluhuri s’i ka ngelur respektit dhe vetëm kjo krenari e sëmurë dhe e rrezikshme nacionaliste shfaqet herë pas here tek ty o popull. Ushtarë të betuar e bashkëpunëtorë të një sistemi mafioz që ta vret motrën për hasmëri, ta lë babën të vdesë në minierë ose ta vret me duar në xhepa në shesh. Mamin ta streson e ta ngop me antidepresivë kështu që në moshën 50 vjeçe të ketë logjikën e një 10 vjeçareje ndërsa vëllanë ta fut në një labirint arsimor 20 vjeçar, mbushur me premtime boshe dhe iluzione të tipit që më vonë do gjesh punë dhe do bëhesh “si ata”. Në vërtetë do shkosh t’i blesh vendin e punës (5000 euro) dhe t’i shesësh bythën e shpirtin drejtorit të bankës për dy vitet e ardhshme për 300 mijë lek të qelbura në muaj.
Dhe për të arritur deri këtu iu deshën 20 vjet shkollë, universitet, master, doktoraturë, stazh dhe kush ka më shumë le t’i shtojë. Më fal i/e dashur nëse shkatërrova aspiratën tënde për të punuar në bankë (30 % e studentëve krenohen që studiojnë ekonomi), por më duket e drejtë të të bëj me dije për të ardhmen e ndritur qe të pret. Në fund vij unë, ti, e shumë të tjerë si ne, që ikin nga kjo tokë tjerrë për të lulëzuar diku larg, sa më larg të jetë e mundur edhe pse shpesh herë ai vendi që duket pafundësisht i largët është thjesht përtej maleve apo detit. Ikim nga kjo arome ndryshku për të marrë pak aromë lirie dhe gjejmë një tjetër padron me hu në dorë që ta merr shpirtin 16 orë në ditë. Vetëm se ky z.Shtet këtej nuk është aq dinak sa mendon. Bën “gabimin” që i jep skllevërve të drejtën e dijes dhe vendin e punës në baze të asaj çfarë di. Shpesh herë ne shqiptarët që dëshira për dije s’na mungon, studiojmë, ngremë kokën dhe kur fati do bëhemi “si ata”.
Po ky nuk është vendi im dhe unë dua vendin tim. Kam një dashuri të sinqertë për të ashtu siç dashurohet një vajzë apo një fëmijë. Po ky vend luan me ndjenjat tona dhe na mban larg vetes dhe sillet si bushtër here pas here. Pushteti ia përdhunoi nderin e moralin dhe e shndërroi në këtë monstër të pashpirt që është sot. Por unë prapë e dua, një dashuri platonike. Sa herë kthehem, tentoj t’i flas popullit tim po është si t’i flasësh një vegjetali që rënkon në shtrat prej vitesh. Eh mor popull sa dua të flas me ty si burri-burrit, por ti tashme je plak dhe pleqëria është si fëmija. Me keqardhje ndjej se nuk më kupton dot më. Ke humbur shikimin që kur të thanë që ajo që pe me sytë e tu nuk ishte reale, ishte një halucinacion. Humbe dëgjimin kur fillove të ndërroje kanal TV pas çdo skandali politik që dëgjoje saqë edhe jehonën botërore mediatike të Gërdecoshimës ti nuk e dëgjove. Ke humbur edhe gojën që në momentin kur realizove që po tentove të prekësh “të paprekshmit”, të pret plumbi, e që atëherë je memec. Ndaj ti zgjodhe rrugën më të lehtë, atë të mos bërit asgjë. E ke më të lehtë të pushosh së marri frymë në atë agoninë tënde, nën aromën kalbësirë asfiksuese dhe me penelinat plot shurrë.
Porsi një plak zevzek në vitet e fundit të jetës e ndjen veten krenar për shërbimin që i ke bërë pusht-etit. Krenar si një gjeneral që mburret me pushtimet qe ka bërë, ti popull të vetmin vend që pushtove ishte vendi ynë. E shkule me gjithë rrënjë lule “Dijen” në vitet e para 90’ dhe në vend të saj mbolle fusha të tëra me pemë “injorance”, sepse kjo pemë është më e lehtë për tu rritur, s’ka nevojë për kujdesje dhe me të ushqen shumicën, ndaj sot mos prit mrekullira. Do dhe të hyjë në BE menderja jote po Europa s’ka nevoje për tangarllik, po për intelekt e modesti, fjalë që ti s’i di as kuptimin.
E kështu popull i dashur teksa më pyesnin për ty disa miq italianë, me zemrën që më rrihte fort, dorën që më dridhej nga sikleti dhe me një buzëqeshje false në fytyrë, iu përgjigja ashtu siç na ka mësuar z.Pusht-et!
-Si është vendi im? Porsi një kopsht me lule në zemër të Europës……. Lule të vyshkura!
pak shprese pak drite ,pak shpirt ,pak dashuri o njerez te mire shqipetare jemi mesuar gjithmone me pak se keshtu na therrasin per qindra vjet osmanet e lindjes ,e giotinasit e perendimit ne jemi shqipetare e duam shume shume shprese ,dashuri ,drite mall vellazeri pune paqe drejtesi ne me siguri do dalim nga rrethi vicioz ku jemi futur ne i kemi te gjitha ne do dime te ngrihemi mbi te keqen me punen ,luften tone te perbashket
E shkruar shume mire. Me dhimbje dhe vertetesi. Eshte si nje pasqyre ku secili duhet te shohe veten. Te tille jemi dhe pike. Pa dinjitet. Ndofta populli me i prapambetur i Europes. Prandaj edhe eurodeputeti italian i Lega Nord, Borghezio, tha:”Shqiperia do te ishte e bukur, po te mos kishte shqiptare”. Edhe bota e ka kuptuar.
Material teper realist, plot dhimbje! Eshte shpirti dritherues e sarkastik i nje te riu qe e sheh te verteten drejt e ne bebe te syrit dhe qe… do t’i bjere malit qe s’bezan!
Perfekt ne mendime.Bravo Ermal,sikur te kishe shume shoke si vetja do isha me e sigurt per te ardhmen time.Shoh ne fb qe qenke goxha i ri dhe paske shkruar edhe me pare.Komplimenta
shume i goditur artikulli dhe realist. edhe per mua dashuri utopike do ngelet ky vend. citoj ” po Europa s’ka nevoje për tangarllik, po për intelekt e modesti, fjalë që ti s’i di as kuptimin ” te kepusin shpirtin keto fjale, aq te verteta jane.
nje verejtje te vogel kisha: autori eshte i ndikuar nga anglishtja, foljen realizoj (realize) e perdor gabim. citoj ”Ke humbur edhe gojën që në momentin kur realizove që po tentove të prekësh “të paprekshmit”, të pret plumbi ”… kur e lexon shqip ngaterrohesh te nxjerresh kuptimin. dmth pervec fjalorit te shqipes duhet te jemi te kujdesshem edhe me morfologjine e huazuar qe e bejme pa vetedije.
gjithe te mirat!
….po a e kemi dashur ne ndonjehere te mirin? Ne duam hajdutin, ate qe na thote vetem fjale te bukura dhe te bukur e shohim te ardhmen, edhe pse na e pine gjakun diten edhe naten……
Kete koke kemi, kjo qeveri na bie pershtat per aq kohe sa njerez te tille si zoteria qe ka shkruar kete artikull nuk perkrahen e te behen me te shumte.